Zamira Çavo:“Rama po përpiqet të ndryshojë vetë politikën shqiptare”

446
Sigal

Analiste

Nëse Kryeministri demonstron personalisht “qeverisje me duar të pastra”, unë ju garantoj një sukses të padiskutuar!

Ndoshta përbën një absurditet kushtetues, që ndonëse zgjedhjet kanë mbi 35 ditë që kanë përfunduar, janë zyrtarizuar rezultatet dhe ende Presidenti nuk ka mandatuar kryetarin e koalicionit fitues që të formojë qeverinë. E, megjithëkëtë, fituesi i zgjedhjeve, ka zyrtarizuar qeverinë e tij, e cila, edhe një muaj akoma, do të qëndrojë në …hije të një qeverie në ikje. Këto çudira kushtetuese ndodhin vetëm në Shqipëri. Analistja e njohur Zamira Çavo, në intervistën për “Telegraf” pohon se, vetë përbërja e qeverisë “Rama1” ka risinë e saj në politikbërje dhe se, “zgjedhja e Ramës i ka përmbushur mjaft mirë pritshmëritë për një qeverisje te “re””.

 – Zonja Çavo, ç’domethënie politike përcillet te risia që ka qeveria e Ramës, ku emrat e politikanëve me “peshë” dhe përvojë mungojnë nga kabineti qeveritar?

– Duket që dhe ju e pranoni që në këtë ekip qeverisje ka një risi. Dhe ky mendoj se është hapi i parë që premton pozitivitet. Kemi 23 vjet që jemi mësuar të shikojmë në qeverisje dhe në përgjithësi ne drejtim, të njëjtët emra ose më mirë të njëjtat fytyra. Nuk është pozitive për një zhvillim të shpejtë e të suksesshëm. Por po i përgjigjem drejtpërdrejtë pyetjes suaj. Ku e shikoj unë risinë?

 Së pari, në faktin se, ky ekip qeverisës është me emra të rinj, që në shumicën e tyre vijnë për herë të parë në qeverisje. E di që shumë njerëz mendojnë se kjo nuk është vlerë , sepse shumë prej këtyre emrave vijnë pa ndonjë përvojë në administratën publike. Unë prirem të shikoj anën pozitive. Ata do të sjellin një metodë tjetër të bërjes së punëve. Mos harrojmë se shumë ministra të qeverisë aktuale e kanë nisur punën  po në këtë mënyrë; pa qenë asnjë ditë në administratën publike.

Së dyti, unë mendoj se risi tjetër është fakti që pjesa më e madhe e emrave nuk janë të përfolur për afera korruptive.

Së treti, mendoj se ky ekip mund dhe duhet të realizojë programin me të cilin PS-ja fitoi zgjedhjet. Shumë nga emrat e këtij ekipi kanë qenë pjesë e shkrimit të programeve të partisë . Mendoj se duhet ta provojnë në aksionin e zbatimit, teorinë që kanë propozuar.

Së katërti, nuk besoj se  ka politikanë me “peshë”. Unë mendoj se ka nga ata që janë prej kohësh në politikë dhe kjo i ka bërë më të pranueshëm në veshët tanë, ka të tjerë më të rinj por që janë vënë para provës më të vështirë të jetës së tyre. Le të presim për t’i gjykuar. Nisur nga fakti që shoqëria shqiptare është shoqëri me moshë mesatare të re, besoj se zgjedhja e Ramës i ka përmbushur mjaft mirë pritshmëritë për një qeverisje te “re”.

– Për herë të parë 6 gra do të jenë ministre në një qeveri. Është një risk politik, derisa Rama u beson zonjave edhe ministri shumë të rëndësishme?

– Unë i besoj maksimës “nëse dëshiron që të bëhet puna, jepja një gruaje”. Ndaj e vlerësoj shumë këtë zgjedhje të Ramës. Por ka dhe një detaj tjetër që doja ta shprehja. Gratë janë më pak të korruptueshme se burrat. Të paktën kjo është e pranueshme nga të gjithë. Kjo zgjedhje premton për një qeverisje,  e cila që në hapat e parë premton për devotshmëri dhe shërbim. Nga natyra gratë janë më fisnike, më të përkushtuara, më të sakrificës, dhe pse jo më egoiste. Ndaj, unë besoj në këtë  zgjedhje.

– Mendoni se do të ketë një ndihmesë dhe një rol më përcaktues shoqëria civile në vendimmarrjen politike, derisa Rama përfshiu në kabinetin e tij edhe përfaqësues nga shoqëria civile?

– Ky problemi i shoqërisë civile më duket se ka nevojë për një rikonceptim tjetër. Personalisht mendoj se, shoqëria civile në vendin tonë, është ende në hapat e saj të parë. Si e tillë, ka shume nevojë të formohet. Por elementë të sajë janë vërtetë në pararojë të mendimit intelektual shqiptar. Unë vlerësoj këtu Mirela Kumbaron. Shpresoj shumë në vizionin e saj, por ama mendoj se i duhet një mbështetje e njerëzve që kanë përvojë në administratën publike. Nga ana tjetër, mendoj se trajtimi me dyshim i shoqërisë civile, nuk i bën mirë gjithë shoqërisë shqiptare. Mbase, ngaqë shoqëria civile barazohet me emra konkretë, jo fort të denjë për emrin e saj.

– Cili do të përbëjë çelësin e suksesit, që kjo qeveri të përmbushë misionin e vet?

Çelësi i suksesit? Thjeshtë fare: Nëse Kryeministri demonstron personalisht “qeverisje me duar të pastra”, unë ju garantoj një sukses të padiskutuar! Unë shpresoj shumë që z.Rama do ta bëjë këtë. Dhe nëse këtij modeli qeverisës do t’i shtojmë edhe ekipin e zgjedhur, mendoj në një sukses të pamohueshëm.

– Që të plotësohet hopi cilësor i politikëbërjes, a është domosdoshmëri që të kryhen edhe ndryshimet kushtetuese për të vendosur ekuilibrin kushtetues midis pushteteve?

– Maxhoranca e zgjedhur ka të gjitha mundësitë për të bërë ndryshmet e duhura kushtetuese. Por mendoj se, kjo do bërë jo me arrogancën e numrave, por me nevojën e ndryshimeve. Pra, kërkon një hapje të gjerë dhe diskutim me specialistët, që nuk i mungojnë këtij vendi.

Fakti që maxhoranca e re ka shumicën e cilësuar, mund të përbëjë rrezikun që sjellja e saj  ndaj opozitës të mos ndryshojë, e të vijojë sikundër deri tani?

– Unë kam thënë dhe herë të tjera se Partia Demokratike ka nevojë të riorganizohet. Dikur kjo është marrë për herezi. Zgjedhjet e fundit në këtë parti treguan se Partia Demokratike vërtetë nuk kishte organizimin e nevojshëm. Por nuk e kam fjalën për këtë organizim, por për riformatimin ideor e politik të sajin. Pra shpresoj që opozita të ketë kuptuar se gjuha e urrejtjes, fyerjes dhe përçarjes nuk e çon asgjëkund, veçse në disfatë. Nuk besoj se maxhoranca do sillet me opozitën ashtu si u soll kjo e fundit, kur ishte në pushtet. Por mendoj se kjo nuk do të thotë që të mos kërkojë ndëshkimin e “fajtorëve”, që i kanë sjell dëme të pallogaritshme ekonomisë shqiptare dhe vendit.

– Faleminderit!

 

Somario

 

Duket se do kemi dhe ndryshime të tjera pozitive dhe në mënyrën se si do organizohet administrata publike, duke iu larguar militantizmit dhe mungesës profesionale. Kjo do i bëj shumë mirë popullit, por natyrisht do “prekë” interesat partiake.

Risitë e politikbërjes të Kryeministrit Rama

– Mendoni se do të kemi një hop cilësor në politikëbërje, teksa shikojmë një konceptim më ndryshe të qeveribërjes?

– Shoh disa zhvillime pozitive:

-Së pari, Rama po përpiqet të ndryshojë vetë politikën shqiptare. E keni vënë re që nuk ka më kundërpërgjigje ndaj akuzave qesharake të opozitës? Ka zgjedhur rrugën e veprimit dhe bindjes së opinionit publik jo në sharje e fyerje, por në plotësim të premtimeve të bëra.

Së dyti, muk bëri pazare me emra dhe media u gjet pothuaj e befasuar nga përbërja qeveritare. Kjo tregon edhe një herë se Rama po ndryshon mënyrën e të bërit politikë. Po tregon se ka ikur koha e bërjes politikë në kafene, dreka e darka.

Së treti, duket se do kemi dhe ndryshime të tjera pozitive dhe në mënyrën se si do organizohet administrata publike, duke iu larguar militantizmit dhe mungesës profesionale. Kjo do i bëj shumë mirë popullit, por natyrisht do “prekë” interesat partiake.

Së katërti, mendoj se Rama do të ndryshojë dhe qëndrimin ndaj opozitës, duke treguar se në demokraci opozita është aset.

Së fundmi, mendoj se na duhet të presim që të shikojmë rezultatet konkrete. Na mbetet të shpresojmë duke besuar!