Bujar Nishani: Rama rrëzohet nga pushteti vetëm nëse PD-ja reformohet dhe bëhet e besueshme për 1 milion shqiptarë

152
Sigal

Bujar Nishani, kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, thotë se Edi Rama rrëzohet nga pushteti vetëm nëse PD-ja reformohet dhe bëhet e besueshme për 1 milion shqiptarë”.

“Unë kam kërkuar marrjen e përgjegjësisë politike për rezultatin në zgjedhje, që nuk i dha qytetarëve atë që prisnin nga Partia Demokratike. Edi Rama do të vazhdojë të qeverisë edhe më keq seç ka qeverisur në 8 vitet e fundit, përmes korrupsionit dhe bashkëpunimit me krimin.

Dhe PD-ja nuk arriti që ta mposhtë modelin e Edi Ramës. Zgjedhjet janë të grabitura, por kjo nuk është hera e parë që ndodh. Nuk ka dilemë që Edi Rama, që është përgjegjësi kryesor për garantimin e standardeve normale të zgjedhjeve, nuk do të ofrojë ndonjëherë zgjedhje normale.

Mekanizmi për ta rrëzur Ramën është politik dhe mund ta bëjë vetëm PD-ja. Por kjo parti nuk e bën dot këtë gjë kështu siç është. Modeli i Ramës rrëzohet vetëm nëse PD-ja reformohet dhe bëhet e besueshme për 1 milion shqiptarë”, tha Nishani.