Xhindi: Vendimi i Ramës për bllokimin e shtatores së Ibrahim Rugovës, i turpshëm

461
Në një dalje publike para mediave, nënkryetarja e bashkisë, Nevila Xhindi ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se nuk po lejon që në kryeqytet të vendoset shtatorja e Ibrahim Rugovës. Xhindi deklaroi se pas bllokimit të kësaj nisme nga ky institucion fshihet Rama, pas vendimit absurd dhe sipas saj të turpshëm. Sipas Bashkisë, refuzimi është thjesht një alibi.
“Në një akt të turpshëm dhe të paprecedentë, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar moslejimin e vendosjes në Tiranë të shtatores së presidentit Ibrahim Rugova. Shtatorja e Ibrahim Rugovës tashmë e përfunduar me kontributet vullnetare të qytetarëve të Tiranës, siç dhe kishte premtuar kryetari i Bashkisë Lulzim Basha do të vendosej në rrugën që mban emrin e tij përballë parkut Rinia. Propozimi i kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha është refuzuar të merret në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak me urdhër të Edi Ramës, me pretendimin se i ka mbaruar mandati, por ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, në nenin 31 të tij, për funksionimin e këshillit komunal ose bashkiak, në pikën 1 të tij thekson se Këshilli Komunal dhe ai bashkiak ushtron funksionet e tij, qysh nga krijimi, sipas nenit 26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës. Pra, refuzimi është thjesht dhe vetëm alibi, për të mos lejuar vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë. 
Tirana, kryeqendra e shqiptarëve e ka për krenari të lartësojë shtatoret e heronjve të kombit dhe arkitektëve të lirisë së saj. Krah shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, shtatorja e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit të parë të saj Ibrahim Rugova i bën nder Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, por mesa duket për Edi Ramën është më e rëndësishme të bllokojë kryebashkiakun Basha, se sa të nderojë, siç u takon personaliteteve të kombit shqiptar. Për fat të keq, ky vendim absurd dhe i turpshëm është jo vetëm në vijim të bllokimeve politike por edhe shenjë mosvlerësimi ndaj figurës së Ibrahim Rugovës, në vazhdën e qëndrimeve shpërfillëse që Edi Rama ka mbajtur edhe më herët si për shembull në Kuvendin e Kosovës. Bashkia e Tiranës u bëri thirrje këshilltarëve të majtë që të kryejnë detyrën e tyre qytetare dhe atdhetare. “Bashkia e Tiranës u bën edhe njëherë thirrje këshilltarëve të majtë në detyrë të kryejnë detyrën e tyre qytetare dhe atdhetare, duke shpërfillur urdhrin politik të Edi Ramës dhe duke miratuar vendosjen e shtatores së presidentit Rugova dhe nderimin e këtij personaliteti të kombit shqiptar”, përfundon reagimi i Bashkisë.
Sigal