Vetëvrasja në Shkodër/ Petrit Vasili: “Ministria e Brendshme do dalë të thotë se fajtor është…”

581

Lidhur me ngjarjen që ndodhi një ditë më parë në qytetin e Shkodrës, ku u vetëvra 47-vjeçari Ardian Kallami ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili

Ndërsa familjarët akuzojnë policinë se ka ushtruar dhunë ndaj Kallamit për të pranuar një krim që s’e kishte kryer, Vasili u del atyre në krah dhe dënon aktin e efektivëve të policisë. Ai shprehet i revoltuar nga mosreagimi i Ministrisë së Brendshme dhe përmend edhe rastin e ngjashëm të Enea Ftoit.

“Policia dhunon e vret të pambrojturit dhe ministria e brendshme rri e vështron. Enea Ftoi dhe Ardian Kallmi humbin jetën brenda pak ditësh pasi policia i dhunoi, u bëri presion dhe u tregoi forcën e saj të ç’frenuar.
Policia tregon histerinë e forcës me qytetarë të thjeshtë e të pambrojtur, por u mban ison trafikantëve kriminelëve dhe u hap dyert që të ikin, drejtorëve të policisë të akuzuar si drejtues të trafikut të drogës.”, thotë Vasili.

Më tej Vasili përmend sërish Ministrinë e Brendshme, duke thënë me ironi se mund të dalë shumë shpejt të thotë se fajtorë janë vetë viktimat.
“Do dalë ministria e brendshme dhe do na mbushë mendjen që fajtorë janë vetë ata që humbën jetën.
Edhe një jetë e vetme e humbur do të mjaftonte si një akuzë tronditëse për të gjithë këta, që drejtojnë ministrin e brendshme dhe policinë që këta të jepnin dorëheqjet nga i pari deri tek ata që ekzekutuan dhunën.
Por kjo kërkon moral dhe ndërgjegje, por këta s’kanë as të parën as të dytën.”, shkruan Vasili.

Ardian Kallami u gjet dje nga familjarë të tij i vetëvarur pas banesës së tij në fshatin Barbullush. Ai sapo ishte kthyer nga Komisariati i Policisë së Vaut të Dejës, ku ishte shoqëruar si i dyshuar për një vjedhje.

Sipas vëllait të viktimës Zef Kallami, policia e kishte dhunuar fizikisht 47-vjeçarin e madje e ka detyruar atë të nënshkruante një dokument sikur e kishte kryer ai vjedhjen. Por në të vërtetë, sipas të afërmve, Ardian Kallami nuk dinte as të shkruante e as të lexonte.

Kallami ka lënë pas dy fëmijë. Një vajzë e martuar, e cila jeton në Itali dhe një djalë 22 vjeç. Bashkëshortja e tij ishte ndarë nga jeta vetëm 6 muaj më parë, për shkak të një sëmundjeje të rëndë.