Veliaj: “Tirana tregoi qytetari; Krenar për këdo që mori pjesë në garë”

522
Sigal

Mbahet edicioni i 4 i Maratonës së Tiranës, 2500 sportistë garuan në 3 kategori

Për të katërtin vit radhazi, Tirana priti sot Gjysmë Maratonën e saj, ku morën pjesë më shumë se 2500 vrapues, profesionistë dhe amatorë, nga mbi 42 shtete të ndryshme nga mbarë bota. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe e certifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, Maratona këtë vit solli një garë të fortë sportive, në tre kategori të ndryshme, “We too”, “Half Marathon” (21, 0975 km) dhe “Tirana 10K”.

 

Fitues i garës së Gjysmë Maratonës (21, 0975 km) për meshkuj doli sportisti nga Kenia Laban Cheruiyot, i cili e realizoi për kohën 01:06:44, ndërsa për femra fituese doli një tjetër sportiste nga Kenia, Christine Moraa Oigo, e cila e realizoi për kohën 01:20:32.

Në garën Tirana 10K fitues për meshkuj doli sërish një sporti tjetër nga Kenia, Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo me kohën 00:29:57. Ndërsa, për femra fituese u shpall rekordmenia shqiptare, Luiza Gega me kohën 00:33:42, e cila arriti të thyejë sërish rekordin kombëtar me 25 sekonda.

 

Kryebashkiaku Veliaj, i cili garoi në kategorinë Tirana 10K, teksa i dorëzoi çmimin e parë Luiza Gegës, tha se sot Tirana tregoi qytetari. “Jam shumë krenar për ju dhe për ata që morën pjesë. Ju duam shumë, jemi një qytet të gjithë bashkë. Dua të falënderoj dhe shumë qytetarë që sot treguan durim, u sollën më shumë si europianë sesa si ballkanas. Duruan me orë të tëra teksa kaloi gara, do të thotë që jo vetëm emancipohen ata që po vrapojnë, por edhe ata që e mbështesin. Mezi pres që nesër të vazhdojmë me regjistrimet në shkollat tona për çunat dhe gocat që merren me sport dhe ta bëjmë Tiranën qytetin më të shëndetshëm në Shqipëri. Për vendin e parë kemi 2 lajme të mira: Lajmi i parë i mirë është që është thyer një rekord kombëtar për 10 km, me 25 sekonda. Lajmi i dytë i mirë është emri i fitueses, ajo që na bën krenarë, ajo që meriton gjithë duartrokitjet dhe mbështetjen tonë, ajo që thyen rekorde, Luiza Gega”, tha Veliaj.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku tha garën e tij ia dedikoi kauzës së atyre që u prekën nga tërmeti i muajit shtator, ndërsa falenderoi të gjithë ata pjesëmarrës të tjerë që garuan për kauzat e tyre. “Unë kam zgjedhur kauzën time për rindërtimin e shtëpive që u dëmtuan nga tërmeti. Dua të falenderoj dhe përshëndes çdo kauzë tjetër. Pashë disa që po vrapojnë për refugjatët, një super kauzë që gjithë organizatat e OKB-së po e bëjnë. Pashë disa aktivistë të tjerë për tema ekologjike, për emergjencën e klimës, për të mbjellë më shumë pemë, për të ruajtur një specie në zhdukje”, tha Veliaj.

 

Më tej, ai bëri të ditur se gara të tilla sportive përveçse nxisin qytetarët dhe në mënyrë të veçantë të rinjtë të merren me sport për një jetë të shëndetshme, i japin edhe qyteti frymëmarrje. “Sot është një ditë kur qyteti merr frymë. Kemi ndaluar makinat nga qendra e qytetit. Është një mënyrë për të kujtuar që në fakt për miliona vite njerëzimi ka ecur dhe ka vrapuar, vetëm në 100 vitet e fundit rri te një makinë metalike duke pritur në trafik. Është një kthim në origjinë për t’u investuar në më shumë shëndet. Qyteti ka asete plot, ka ndërtesa, pemë, sheshe. Por, aseti numër një janë njerëzit. Qytete pa sheshe dhe pa pazare ka, por nuk ka qytete pa njerëz. Ndaj, shpresoj shumë që t’i kemi sa më të shpeshta këto aktivitete, ditët pa makina dhe një moment ku Tirana jonë të mbushet me oksigjen dhe të investojmë për qytetin e ëndrrave tona”, shtoi Veliaj.

Fituesit e Half Marathon 21, 0975 Km për meshkuj

 

Laban Cheruiyot                Kenya    01:06:44.323

Evans Kipngetich Tanui Kenya    01:06:47.584

Moses Kipruto Kibire    Kenya    01:10:32.679

 

Fituesit e Half Marathon 21, 0975 Km për femra

 

Christine Moraa Oigo      Kenya          01:20:32.936

Gladys Jepkurui Biëott Kenya          01:24:53.098

Anna Pedrazzini Albania 01:30:28.526

 

 

Fituesit e Tirana 10k për meshkuj

 

Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo Kenya    00:29:57.276

David Nikolli      Italy        00:30:06.888

Ndiëa Kipkurui Sakon Kenya    00:30:11.966

 

 

Fituesit e Tirana 10k për femra

 

Luiza Gega                       Albania            00:33:42.203

Cveta Trajce           Albania            00:36:43.047

Relaksa Dauti Albania            00:38:48.040

 

 

Fituesit e Kategorisë We Too

 

Dovlet Gjangolli Albania                00:08:15.090

Erblin Karaj Albania     00:08:42.289

Saimir Ustabeqiri Albania                00:08:51.109