Veliaj në Tiranë: Brenda mandatit asnjë pallat pa hipotekë

449
Asnjë pallat pa hipotekë nuk do të ketë më në Tiranë. Gjatë një takimi me përfaqsues të biznesit ku ka shpalosur projektin e tij për punësimin dhe ekonominë Veliaj u shpreh se në Tiranë janë rreth 400 pallate pa hipotekë të cilat pas 21 qershorit nuk do të jenë më dhe për këtë do të sigurohet bashkia e Tiranës.
Sipas tij, aktualisht në Tiranë ka mbi ndërtim dhe mijëra apartamente të pashitura. Veliaj tha se një nga shqetësimet kryesore të biznesit është fakti se në katër vitet e fundit bashkia e Tiranës nuk e ka marrë seriozisht në mënyrën se si paraqet ankesat dhe shqetësimet, me mënyrën se si bëhen propozimet. Në këtë takim ai u shpreh se puna në Bashkinë e re të Tiranës do të bazohet në tre shtylla kryesore, në marrëdhënien serioze me biznesin, në trajtimin me paanësi të tyre dhe në një model të qartë zhvillimi për qytetin, pa ndërtime të reja.
“Në katër vitet e shkuara Tirana nuk ka pasur model të qartë për zhvillimin. Këtu përfshihet jo vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe zhvillimin urban, sigurisht edhe zhvillimi social. Edhe plani urbanistik që u miratua nga kryetari aktual i Bashkisë nuk ishte një plan për zhvillimin e Tiranës, ishte një plan klientelist për leje ndërtimi dhe për troje pallatesh në Tiranë. Në konceptin tonë modern, plani i zhvillimit nuk mund të jetë vetëm një plan për të përcaktuar lejet e ndërtimit.
Ndaj dhe do të ndërtojmë një model të qartë për zhvillimin e Tiranës, një model që do të gërshetojë zhvillimin ekonomik me atë urban duke orientuar zhvillimin e qytetit drejt periferisë. Pra, për të inkurajuar më shumë investime aty ku ato janë më të pakta dhe mundësitë janë më të mëdha”, u shpreh sot Veliaj në takimin me biznesmenët. Gjatë fjalës së tij ai shtoi se në Tiranë janë identifikuar 871 rrugë të amortizuara, se do të rikonceptohet transporti publik.
Sigal