Vangjush Saro: Fjalkalimi i pasojave të tërmetit

565
Sigal

Fjalëkalimi: BASHKËPUNIM!

 

 

Mesazhi i ‘Portokalli’-së: “Këpucar, bëj këpucë!”

 

Vangjush Saro

Po të dëgjosh, qoftë edhe për një çast, disa llafazanë të jetës politike, gjithnjë të pranishëm në panelet shqiptare, veçanërisht këto ditë, nuk arrin të kuptosh çfarë kërkojnë të thonë ata. Pamja e vendit vjen kaq gri dhe pyetja kryesore që duhet të na mundojë, është: Çfarë mund të bëhet që kjo pamje të ndryshohet disi dhe të mpaket e të bjerë kriza sadopak? Mirëpo përkundër kësaj, nga TV-të më të njohura të vendit, te gazetat dhe rrjetet, shamataja e këtyre ditëve është trashur si kurrë ndonjëherë. Një patetizëm i paparë ka mbërthyer të madh e të vogël; njerëzit nuk dinë si iu takon të sillen. Shumë kanë marrë përsipër të zëvendësojnë prokurorin, filozofin, diplomatin, inxhinierin… nuk dinë çfarë iu takon të bëjnë vërtet. Nuk kërkon askush heshtje e urti prej budallai; por në të njëjtën kohë, ne s’mund ta bëjmë grindjen dhe ‘dhënien e mendjes’ qëllim në vetvete. Ne mund të dëgjojmë me interes specialistët e fushave përkatëse – edhe pse disa kanë dalë pak si ‘trima pas lufte’ – mund të dëgjojmë, gjithashtu, edhe dikë që ka një përvojë dhe mund të ofrojë diçka ndryshe në këtë kakofoni. Por nuk mund të tolerojmë, në medie veçanërisht, turlisoj hipokritësh e të ngeshëm, që më shumë se situata, iu intereson kredoja e tyre. Këtu ka njerëz të fiksuar te ndëshkimi dhe hakmarrja, që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me zbatimin e ligjit. Nëse disa drejtues e zyrtarë me përgjegjësi i shikon të mos u zërë këmba dhe, sa në një qendër pritjeje në një tjetër, sa te një familje te tjetra, e kështu me radhë, kjo do të thotë që po punojnë me orë të zgjatura, anipse fundja po bëjnë atë që iu takon. Çështje tjetër, sa shtirje e hipokrizi ka në këtë mes. Nëse një pjesë e mirë e medieve, pa le ç’gafa këput ndonjëherë Kryeministri, po përpiqet të pasqyrojë me realizëm situatën dhe kështu të sensibilizojë kë mundet, brenda apo jashtë vendit, kjo do të thotë se është duke kryer punën e vet. Një shembull të asaj se duhet të bëjmë atë çfarë mund të bëjmë më mirë, sidomos në këto ditë, e dha Top Chanel, me Mbrëmjen-homazh “Jemi një” të trupës së spektaklit të njohur ‘Portokalli’: Poezi të përzgjedhura. Balada dhe muzikë që i shkon momentit. Një tekst përcjellës i ndjerë, i menduar mirë fjalë për fjalë. Veshje serioze. Profesionalizëm dhe shpirt në interpretim, si rrallëherë. Pra, bëj atë që di të bësh më mirë! Përveç shumë e shumë të tjerave, edhe kjo na mundon prej kohësh ne shqiptarëve… Prandaj na shkojnë punët kaq mirë(!) Ç’të thuash tjetër! Mbase kjo bërtitje vend e pa vend, orë e çast, pa ndonjë objeksion përfitues, iu vjen pas shijeve e interesit disa korenteve e lobeve; mendoj, jo vendit, jo qytetarëve. Prandaj e vlerësoj zgjidhjen e ‘Portokalli’-së, që njëfarësoj na thotë: Në këto rrethana, në po bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. Me fjalë të tjera, për të gjithë llafazanët dhe munxëdhënësit: “Këpucar, bëj këpucë!” Që të mos lejojmë dallime, keqinterpretime, edhe në ngjarjen e rëndë për të cilën po flasim, kanë protagonizmin e tyre negativ, me pasoja, individë e grupe që… nuk kanë qenë në punën e tyre, në atë që u takon, por… sepse ashtu e ka menduar partia dhe klani. Gjithsesi, situata dikton emergjenca të tjera; fjalët e pambarim dhe sherret e shumta, bëjnë më shumë keq se mirë. Për më tepër, me kaq shumë miq në shtëpi, specialistë të huaj, diplomatë, artistë me origjinë shqiptare, të tjerë që qasen për ndonjë ndihmë; shamataja jonë edhe ata po i lë pa mend dhe me të drejtë habiten se ku gjendet gjithë ky delir…  Në këto rrethana të trishtuara, në këtë terr fjalësh, në këtë mish-mash kërkesash, në këtë sherrnajë që thjesht është vazhdim i të tjerave, në këtë labirit ku kemi humbur tash tre dekada, shtatë dekada pse jo, fjalëkalimi është: BASHKËPUNIM! -Nuk jam që provat të mbulohen, -nuk jam që krimet të fshihen, -nuk jam që debati të ndalet, asesi jo; por më së pari: -Duhet menduar për pamjen e rëndë që kemi përpara, duhet menduar për njerëzit. Në rrethana të tjera, në një tjetër situatë, beteja politike dhe ajo mediatike le të vazhdojnë, nëse protagonistët mendojnë që kjo është një mënyrë e mirë për të shkuar kohën; sepse kështu dhe vetëm kështu mund të thuhet kur gjithsekush përpiqet të bëjë prokurorin e filozofin, politikanin e diplomatin, kurse ligjet, të shkretat ligje, edhe në këtë vend pa shumë përvojë në këtë temë, janë të shkruara e zeza mbi të bardhën; dhe le të shkojë haka tek i zoti. Nuk është fjala të tregohemi sentimentalë, por nuk është fjala as të bëjmë të ‘fortin’; është fjala të ndihmojmë me sa mundemi, në radhë të parë materialisht, nëse mundemi; mandej edhe duke u qasur sekush me atë që di më mirë. Janë bërë të lodhshëm tashmë një tufë me njerëz që gdhihen e ngrysen nëpër studio televizionesh, ku ofrojnë vetëm spektakël dhe ‘gijotina’ dhe disa prej tyre e kanë si hobi këtë punë, se kontributin s’ua kemi parë asnjëherë. Këtyre llafazanëve mund t’ju them, se vetëm në ëndrra zgjidhen punët ashtu menjëherë, me një të rënë të shkopit a të lapsit. Këta që ne kemi në krye të shtetit e të organizmave qeverisëse, por edhe këta që drejtojnë forcat kryesore politike të vendit, të mirë apo të këqij, të zot apo të pazot, kanë hë për hë mandatin të punojnë për të përmirësuar sadopak këtë situatë. Duke shkuar koha, le të mendohet: – edhe për ndryshime, – edhe për dorëheqje, – edhe për zgjidhje të tjera. Por në mënyrë të sforcuar, pse do njëri e tjetri apo pse i erdhi dita dikujt të klithë keq edhe më keq, kjo situatë nuk ndryshon, nuk përmirësohet. Nëse doni ta shtoni kakofoninë, jepini; por kështu sillni vetëm ilaritet. Fjalëkalimi i kohës është i qartë për të gjithë ata që mendojnë, se duhet përmirësuar pamja; fjalëkalimi është: BASHKËPUNIM! Të tjerat janë aty, protagonistë apo jo në çfarë ka ndodhur, në këtë rast apo më tej, e përsëris, le të shkojë haka tek i zoti. Sot, kiametit s’mund t’i përgjigjemi me kiamet.