Tregtarët mbyllin dyqanet, kundërshtojnë taksimin me TVSH

522
Biznesi i vogël të tregu i qytetit të Nxënësve në Tiranë uli qepenat në shenjë proteste për përfshirjen në skemën e TVSH. Për 2 orë ata bllokuan shitjet, atmosfera është e zymtë dhe tregtarët e vegjël janë të frikësuar të flasin, pasi në derë iu trokasin menjëherë tatimet. Ndërkohë shoqatat e biznesit të vogël thonë se tregtarët e kanë të pamundur të mbijetojnë. “Nuk themi që nuk paguajmë taksat, por brenda normave dhe mundësive që ka biznesi. Sot biznesi është në pikë të hallit. Që të futet në TVSH do kërkojë një ekonomist, ai do të kërkojë 100 mijë lekë në muaj. Biznesi sot e ka të pamundur për t’i përballuar këto”, shprehet Besnik Muçaj, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël. Barra fiskale është rritur sipas biznesit të vogël ndërkohë që rritja e pragut të TVSH duhej të ishte drejtimi i duhur. “Ne do vazhdojmë, nëse qeveria për çështjen e TVSH nuk e rishikon, ne kemi kërkuar ngritjen e pragut të jetë 100 milionë të vjetra, pragu ku të klasifikohet biznesi i vogël me biznesin e madh”, thotë ai. Nga 1 prilli pragu për përfshirjen e biznesin në skemën e TVSH ka zbritur nga 5 në 2 milionë lekë xhiro vjetore. Sipas të dhënave zyrtare automatikisht në këtë skemë janë futur 11.500 subjekte. Doreni, i cili ka një bar-kafe para stadiumit “Dinamo”, protestoi dje kundër vendosjes TVSH-së. Ai ka ulur qepenin e lokalit dhe ka vendosur që në shenjë proteste të ndalë aktivitetin e tij. Doreni nuk është pjesë e asnjë shoqate biznesi, mirë po ka lexuar në media se biznesi i vogël do të dalë në protestë kundër përfshirjes në skemën e TVSH-së. Sipas tij, biznesi i vogël e ka të pamundur që të përballojë përfshirjen në skemën e TVSH-së. Si i vetëpunësuar në këtë aktivitet tregon se nxjerr prej tij një rrogë mujore dhe jo fitime marramendëse, prej 80 mijë lekësh në muaj. Lokali i tij ka një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh në muaj, 190 mijë lekë janë shpenzime fikse, ku përfshihen: qiraja mujore 70 mijë lekë; 48 mijë lekë pagat e punëtorëve; 40 mijë lekë fatura e energjisë elektrike; 10 mijë lekë fatura e ujit; 20 mijë e 100 lekë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe 2 mijë lekë tarifa e ekonomistes. Aktivitetet e bar-kafeve operojnë me një marzh bruto prej 60% (çmim mesatar i aplikuar mbi furnizimet e lokalit). Për një xhiro mesatare mujore prej 450 mijë lekësh, ai do të duhet të paguajë rreth 45 mijë lekë në muaj TVSH, kur të hyjë në skemën e TVSH-së. Pas përfshirjes në TVSH, në rastin më të mirë, do t’i mbeten vetëm 35 mijë lekë në muaj. Me këtë nivel, zgjidhje është mbyllja e aktivitetit. Doreni tregon se nuk mund të rrisë çmimet pasi e gjithë klientela do të largohej drejt bar-kafeve të mëdha. Protesta vijoi edhe në zonat e tjera të Tiranës. Albert Nasta, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël, tha se të gjithë bizneset në qytetin e nxënësve kanë ulur qepenat. Edhe në qytete të tjera të vendit bizneset e vogla janë organizuar edhe kanë mbyllur bizneset. Sipas organizatorëve të protestës, ajo do të zgjasë rreth dy orë. Nga 1 prilli, ka hyrë në zbatim, vendimi për uljen e pragut të qarkullimit vjetor mbi të cilin llogaritet TVSH-ja nga 5 në 2 milionë lekë. Sipas të dhënave zyrtare të tatimeve nga 1 prilli kanë hyrë automatikisht në skemën e TVSH-së 11,500 subjekte, të cilët janë identifikuar nga transmetimet ditore të qarkullimit të realizuar me pajisje fiskale gjatë vitit të kaluar; si dhe nga të dhënat e vetëdeklaruara në deklaratën e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të vitit 2017. Ndërsa rreth 60 mijë të tjera janë jashtë skemës së TVSH-së. Sipas burimeve zyrtare të tatimeve, strukturat në terren do të kryejnë vazhdimisht verifikime me qëllim monitorimin e xhiros së tatimpaguesve. Do të përdoren të gjitha mundësitë për shfrytëzimin e informacionit nga palët e treta, si të dhëna nga Qendra Kombëtare e Biznesit, Dogana etj. Gjithashtu do të përpunohen të gjitha të dhënat që lidhen me kryqëzimin e librave të Shitjes dhe të Blerjes. Kjo do të thotë që nëse evidentohen tatimpagues, të cilët nga ky kryqëzim kanë blerje mbi 5 milionë lekë, atëherë do të vlerësohen si potencial për t’u futur në skemën e TVSH.
Sigal