Totozani: Shqiptarët meritojnë politikanë të pastër

442
Avokati i Popullit Igli Totozani, në dallim nga politikanët që kanë shprehur kritika në drejtim të OSBE pas publikimit të një raporti sekret mbi lidhjet e politikës me biznesin, vlerësoi punën dhe aktivitetin e OSBE-së dhe e konsideron si një partner të rëndësishëm. Totozani theksoi se shqiptarët meritojnë politikanë të pastër. Këto komente Totozani i bëri pas inspektimeve të zhvilluara në Bashkitë e Përmetit dhe Këlcyrës, ku zhvilloi takime me banorët e zones, si dhe me drejtuesit lokalë.
Në Bashkinë e Përmetit dhe atë të Këlcyrës, banorët u ankuan duke thënë se furnizohen me ujë vetëm një apo dy orë në ditë dhe për pasojë vështirësitë janë të shumta. Ndërsa në ditët me shi, uji ndotet dhe bëhet krejtësisht i pakonsumueshëm, për shkak të rrjetit tejet të amortizuar dhe mungesës totale të investimeve. Ky shqetësim u konfirmua edhe nga kryetarët e bashkive respektive në takimet me Avokatin e Popullit. Për Bashkinë e Përmetit qeveria ka dhënë vetëm fondin prej 1 milionë euro për qendrën e qytetit.
Në takimet me Avokatin e Popullit banorët u ankuan për nivelin e lartë të papunësinë, por edhe mungesën e strehimit.
Ata i thanë Totozani se pjesa më e madhe e familjeve në Përmet jetojnë me të ardhurat që u vijnë nga të afërmit në emigracion. Ndërsa në Këlcyrë, ku numri i të papunëve është shumë i lartë, ndihma ekonomike prej 3 mijë lekësh të reja në muaj u konsiderua krejt e pamjaftueshme për të jetuar.
Në Bashkinë e Përmetit rreth 200 familje kanë aplikuar si të pastreha, por deri tani nuk ka asnjë fond qoftë për ndërtimin e banesave sociale, ashtu edhe për strehimin e tyre përmes dhënies të kredive të buta.
Gjithashtu, një grup ankesash që ju drejtuan Avokatit të Popullit, në Përmet, lidheshin me funksionimin e dobët të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër. Sipas banorëve, përveç kostos së transportit nga Përmeti në Gjirokastër, ata hasnin në indiferencë në zgjidhjen e çështjeve për fillimin e procedurave të përfitimit të pensionit. Në zyrën e postës, ata detyrohen të presin me orë të tëra për të marrë këtë pagesë, në ambiente jashtë standardeve, ku mungojnë tërësisht vendet e qëndrimit ulur.
Një tjetër çështje e mbetur pa zgjidhje është edhe ajo e ngrohjes në shkolla për periudhën e dimrit. Kostoja e lartë e ka bërë të pamundur garantimin e këtij shërbimi në shkollat e arsimit parauniversitar nga ana e bashkisë së Përmetit dhe Këlcyrës.
Lidhur me shërbimin shëndetësor në këto zona, mungesa e mjekëve specialistë mbetet shqetësuese. Avokati i Popullit Totozani theksoi nevojën e politikave stimuluese nga ana e strukturave drejtuese të shëndetësisë, që mjekët specialistë të mos përqendrohen vetëm në qendrat e mëdha urbane, por edhe në bashkitë e vogla. Në Bashkinë e Gjirokastrës Totozani zhvilloi një takim me kryetaren Zamira Rami. Aty u diskutua mbi perspektivën e hapjes së një zyre rajonale të Avokatit të Popullit, me qëllim trajtimin e ankesave të qytetarëvve, por edhe për të monitoruar respektimin e të drejtave të njeriut, nga ana e institucioneve tona shtetërore, për ata qytetarë që vijnë në Shqipëri nga vendet në konflikt, si Siria, Afganistani etj. Totozani, së bashku me ekspertë të institucionit kanë përfunduar një tur inspektimesh në zonat juglindore të vendit, pas atyre të zhvilluara në veri të Shqipërisë. Nisma “Ditët e hapura” do të vijojë me inspektime dhe takime në të gjitha bashkitë.
Sigal