Prokuroria 8 ditë hetime për vëllain e kryebashkiakut Zotkaj

396
Kanë mjaftuar vetëm 8 ditë hetime nga Prokuroria e Beratit që të zbulojnë sasinë prej 19 kilogramësh drogë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Mësohet se hetimi ka nisur në 9 shtator dhe është mbyllur në 17 shtator, kur Forcat Speciale dhe agjentët e antidrogës kanë arrestuar vëllanë e kryebashkiakut, Artur Zotkaj. Përgjimet dhe ndjekja operative në terren kanë zbardhur të gjithë planin e këtij grupi kriminal që zotëronte sasinë e drogës.
Në këtë grup është i përfshirë dhe një shtetas italian me emrin Fabricio. Në dosjen hetimore tregohet se në 9 shtator 2015, në Drejtorinë e Policisë Berat është referuar material ndaj shtetasit Kreshnik Hysenbelli, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve“ dhe “kultivim i bimëve narkotike“. Më datë 10.09.2015, nga prokuroria është regjistruar procedimi penal ndaj këtij shtetasi. Gjatë kësaj kohe ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hysenbelli ka komunikime të dyshuara për shitje lënde narkotike me një person, i identifikuar më pas si shtetasi Artur Zotkaj, banues në Poliçan, si dhe me një shtetas italian, i identifikuar si Fabricio.
Më datë 15.09.2015, Kreshniku ka diskutuar me një shtetas të identifikuar si Miço (Emiliano Hysenbelli) në lidhje me shitjen e një sasie lënde narkotike. Të dyshuarit gjatë kësaj kohe diskutonin mes tyre në lidhje me shitjen e një sasie lënde narkotike të kultivuar nga shtetasi i identifikuar si “Toni”.
“Gjatë datës 17.09.2015 është bërë i mundur lokalizimi i ambientit ku po mbahej lënda narkotike, e cila me anë të disa shtetasve po përpunohej në një ambient biznesi në lagjen “Xhenio” në qytetin e Poliçanit, në pronësi të shtetasit Artur Zotkaj. Është ndërhyrë më datë 17.09.2015, në orën 21:00, dhe është bërë kapja në qytetin e Poliçanit e shtetasit Artur Zotkaj, Kreshnik Hysenbelli dhe Destared Allko, të cilët janë kapur në mjetin tip “Nissan” me ngjyrë të bardhë, në afërsi të fshatit Pronovik”, thotë prokuroria. Po ashtu është arrestuar edhe shtetasi Abedin Nurellari, i cili u gjet në objektin biznes të shtetasit Artur Zotkaj.
Sigal