Topi: Votoni Veliajn si kryetar bashkie dhe FRD-në si subjekt

457
Kreu i Frymës së Re Demokratike, e cila është pjesë e koalicionit të majtë, ka publikuar sot listën me kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak. Në fjalën e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi tha se motivet e marrëveshjes me ASHE-në janë të qarta, janë për qytetet dhe për qytetarët. Ai theksoi se listën e kandidatëve për këshilltarë e kryeson një zonjë e nderuar, Mirela Bogdani. 
“Zgjedhjet e 21 qershorit natyrisht që kanë një kontekst politik, por për ne mbeten zgjedhje administrative për ti dhënë mundësi administratës së re që ta administrojë në mënyrë luajale dhe me profesionalizëm të gjithë jetën e këtyre qytetarëve. Tirana është kryeqyteti dhe ka jo vetëm specifikat e veta, por është edhe pikë referimi për të gjitha qytetet e tjera. Në Tiranë e kryesojmë listën me një zonjë të nderuar, Mirela Bogdani”, tha Topi. 
Ai ka kërkuar nga mediat të ekspozojnë listën e kandidatëve duke theksuar se Tirana nuk mund të jetë monopol i dy-tre vetave. Sipas tij, FRD-ja vizionin për Tiranën do ta shprehë nëpërmjet komunikimit nga kandidatët dhe anëtarët e ardhshëm. 
“Ju takon juve që ta ekspozoni, deri tani janë publikuar vetëm listat për kandidatë të partive të tjera. Duam realisht atë që kemi shpresuar dhe atë që kemi ëndërruar. Për qytetin tonë por edhe të brezave e kam thënë, nuk mund të jetë Tirana monopol i dy tre vetave. FRD është pjesë e ASHE-së. Janë dhënë motivet e kësaj marrëveshjeje e këtij koalicionit që është për qytetet ,që është për qytetarët. Duhet të votojnë për FRD si subjekt politik në Këshillin Bashkiak dhe të mbështesin kandidatin e ASHE, Erion Veliaj. E ardhmja e qytetit ka të bëjë shumë me një vizion perëndimor, jo për estetikën e qytetit, por për ruajtjen e identitetit.”, përfundoi Bamir Topi.
Sigal