Tepelena ka nevojë për drejtues që dinë të qeverisin, jo që të komandojnë

764
Pas ndarjes së zonave zgjedhore mes PS e LSI, ku bashkia e Tepelenës iu la PS, fushata elektorale brenda të majtës për zgjedhjet lokale, tashmë ka zbritur në terren. Prej atyre që do të qeverisen, ka nisur të bëhet përzgjedhja e atyre që do të qeverisin këtë qytet, tashmë me një “hartë” të re gjeografike, më të madhe si territor dhe mbi 3 herë më të madhe si popullsi. Në bashkinë e Tepelenës, janë “shkrirë” 3 komuna, ndër të cilat Komuna Qendër (PS) me kryetar Redi Rama, Komuna Progonat (PS) me kryetar Pëllumb Milorin, Komuna Lopës, me kryetar Argjir Çela (e djathta) dhe Bashkia e Tepelenës (PS) me kryetar Tërmet Peçi. Duhet thënë e pranuar fakti, se qysh prej 25 vitesh e deri sot (siç na thanë qytetarët), Tepelena nuk është qeverisur aspak mirë në aspektin ekonomik e social si komunitet, por vetëm është komanduar me preferenca grupesh si “bajrak” politik i 1, 2, 3 emrave dhe klaneve në qendër e në bazë. Ky qytet që meritonte ‘qeverisje punësh” është trajtuar jo si qendër banimi me komunitet që kërkon të punojë e jetojë normalisht, por thjesht dhe vetëm si “bastion” dhe pronë private e atyre që kanë pasur çelësat e bashkisë. Në këto 25 vite, përveç një mandati 4 vjeçar (PD), Tepelenën e ka qeverisur e majta, konkretisht PS, duke “korrur, shirë e magazinuar” lehtësisht votat për kryetar, të cilët nuk kanë zgjidhur asnjë problem jetik të këtij komuniteti e që, pas pushtetit të tyre personal, kanë ikur prej qytetit duke “hedhur gurin prapa”. Në vijim të pasqyrimit të zhvillimeve për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie, gazeta “Telegraf” ishte këto ditë në zonën e Qarkut të Gjirokastrës. Sot, po nisim publikimin e investigimit tonë, për personat që duan të kandidohen e rikandidohen dhe sipas banorëve, për ata që i duhen realisht qeverisjes së këtij qyteti. 
Tepelenës i duhet një drejtues menaxhues e jo komandues
Dy ditë më parë, ishim në Tepelenë, për të vëzhguar dhe testuar preferencën e banorëve të këtij qyteti “të asfiksuar”, lidhur me kandidaturat e atyre që mund e duhet të jenë, të përzgjidhen nga baza e qendra dhe që duhet të votohen si kryetarë bashkie, për të qeverisur Tepelenën jo si deri sot. Testimi ynë, u përqendrua tek kandidaturat e majta (PS), si forcë politike dominuese e me reputacion në këtë qytet, qeverisëse prej 20 vjetësh në bashkinë e Tepelenës. Nga takimet me banorët e qytetit, mësuam se Tepelena ka nevojë për një model të ri qeverisës, funksional, efiçent e transparent, komunikues e bashkëveprues me komunitetin, i cili jep votën, që beson dhe kërkon zgjidhje nga ata që u jep votën. Nga biseda më kreun e PS të rrethit Dino Selimi, mësuam se për kreun e Bashkisë Tepelenë, janë piketuar 4 kandidatura, të cilat presin formalizimin prej qendrës së PS, kandidatura për të cilat kreu i PS Tepelenë, një drejtues politik bashkëpunues e jo klanor, nuk dha asnjë preferencë. Këtë “heshtje” të kreut të PS, na e plotësuan qytetarët gjatë testimit, të cilët edhe pse me rezerva, deklaruan se “Tepelena e madhe” si territor e popullsi, kërkon një drejtues menazhues të zotë e jo komandues, sado militant i provuar apo i deklaruar qoftë. Tepelena është një qendër banimi, tashmë tepër e madhe, që kërkon një drejtues vlerë potenciale, kualitative, aktive, larg demagogjisë e shabllonizmit militantesk të modelit të ish-qeveritarëve të viteve 1945-‘60. Këto figura që i duhen qeverisjes së Tepelenës, janë brenda atyre që janë futur në garën brenda të majtës, mes tyre drejtues efiçentë të njësive vendore komunare me popullsi e territor të madh, garues me kreun aktual të kësaj bashkie, si sfidantë seriozë e të kualifikuar, që po shpalosin natyrshëm e bindshëm platformën konkurrese efiçente të tyre e të PS, për qeverisjen e qytetit. Sipas banorëve të Tepelenës, votues të majtë e të djathtë, ka ikur koha e krye-bashkiakëve që nuk dinë se çdo të thotë qeverisje komuniteti, që mandatin e kryebashkiakut e konsiderojnë post e kolltuk, që bashkinë e trajtojnë dhe e përdorin si “bajrak” të vetes, të fisit, të grupeve. 
Testimi/ 100 socialistë të Tepelenës: Duam qeverisje efiçente
Në dy ditët e sondazhit tonë për alternativën e qeverisjes 2015-2019 të bashkisë së Tepelenës prej PS, ne testuam 100 qytetarë, anëtarë të PS. E përbshkëta e qëndrimit të tyre ishte kjo: duhet qeverisje efiçente, duhet punë e jo demagogji, duhen zgjidhje social-ekonomike e jo fjalë mitingjesh. Sipas banorëve të Tepelenës, kryesia e PS në qendër, veçanërisht kreu i saj Edi Rama, në emër të fitores së PS, duhet të vendos për kandidatin jo me preferenca skutash Tepelene e Tirane, por pasi të ketë “situr” kandidaturat në çdo aspekt moral e ligjor, larg preferencave klienteliste, të servirura prej “idhujve pa krena” të PS në Tepelenë. Kandidati për kryetar bashkie, siç thanë ata që u testuan, duhet ai që i duhet qeverisjes dhe jo ai që i duhet kupolës së partisë. 
Baza e PS Tepelenë, nuk ka marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve
Edhe në këtë proces kandidimesh, sipas informacionit tonë nga bisedat me socialistët e qytetit të Tepelenës, anëtarësia nuk është bërë pjesë as formale e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetarë bashkie. Faktikisht ka vetëm emër preferencial, fiksuar si “fitues”, preferencë kjo e paracaktuar nëpër mbledhje ilegale nga kupola e PS në Tepelenë dhe nga grupi deputetëve të zonës, të cilët siç rezulton nga bisedat me socialistët, kanë piketuar atë që duan, që u duhet atyre dhe jo atë që i duhet qeverisjes vendore të këtij qyteti. Tashmë lista është dërguar në kryesinë qendrore të PS, si “propozim” i bazës socialiste në Tepelenë, por që në fakt nuk është realitet. Tashmë, sipas informacionit tonë nga kryesia e PS në qendër, kjo preferencë e grupit që komandon Tepelenën, ka krijuar një çarje të PS në Tepelenë dhe ndarje të saj në grupe, ndarje e cila mund të jetë një “goditje e rëndë humbëse” për PS në Tepelenë. 
Socialistët e Tepelenës: Respektojmë rekomandimin e BE, jo kandidatë të lidhur me botën e krimit!
Socialistët që e duan ta mbajnë drejtimin e bashkisë së Tepelenës, kanë vendosur të mos tolerojnë në një gjë: Nuk duan dhe nuk do të votojnë kandidat për kryetar bashkie, të përfolur për lidhje me anti-ligjin. Këtë qëndrim, ua ka referuar edhe këshilla e BE, që si kudo edhe në Tepelenë, të mos kandidohen më, emra që kanë lidhje me botën dhe personazhet e krimit. Ngjarjet e fundit në parlament, në politikën shqiptare dhe sërish në Lazarat, kanë nxjerr në evidencë një debat publik brenda socialistëve tepelenas, për të evidentuar e për t’u distancuar, nga kandidaturat që janë individë me akuza e veprimtari që ka rënë e bien ndesh e ligjin. BE e tha qartë: Politika dhe qeverisja e re lokale e pas 21 qershorit 2015, duhet të shkëputet përfundimisht nga krimi, për të ndërtuar një strukturë pushteti të dekriminalizuar. 
Kandidatët e PS, për Bashkinë Tepelenë
1. Redi Rama
2. Pëllumb Milori
3. Gentian Alikaj
4. Tërmet Peçi