Miliona lekë “dhurata” partive, që nuk hetohen nga KQZ-ja dhe prokuroria

504
Kohët e fundit dy donatorë fizikë, deputeti Tom Doshi dhe kandidati për deputet Eduart Ndocaj, kanë deklaruar publikisht se gjatë fushatës zgjedhore te zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013 kanë financuar me shuma të mëdha, që arrijnë deri në 600 milionë lekë parti politike. Ajo që të bën përshtypje, është se këto deklarata nuk përfillen nga organet e drejtësisë, si edhe nga KQZ-ja, edhe pse qartazi bëhet fjalë për financime të padeklaruara, qoftë nga këta donatorë për parti politike, qoftë edhe nga subjekti politikë. 
Ja çfarë parashikon ligji i financimeve për partitë politike:
Në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, në nenet 89 dhe 90 parashikohen financimet e subjekteve politike nga fondet jopublike dhe regjistrimi i këtyre fondeve. Sipas nenit 89 neni 1, subjektet zgjedhore mund të marrin fonde, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Dhe në pikën 2 të nenit 89 thuhet se: “Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Neni 90 përcakton edhe mënyrën sesi donatori dhuron lekët për subjektin zgjedhor. Në pikën 1 thuhet se: “Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë”. Në pikën 2 të këtij neni thuhet se: “Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor”. Në nenin 91, pika 5 thuhet se: “Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në këtë kre nga subjektet zgjedhore apo dhuruesit, në rast se nuk përbën vepër penale, është kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet sipas parashikimeve të pjesës XIV të këtij Kodi”.
Mirëpo subjektet politike financohen me miliona lekë të padeklaruara
Në Shqipëri është fakt që të gjitha subjektet politike financohen me burime financiare, që nuk deklarohen kurrë, qoftë nga subjekti zgjedhor, qoftë edhe nga donatorët fizikë dhe juridikë. Por nga ana tjetër, edhe institucionet që merren me auditin e financimeve të subjekteve zgjedhore dhe të partive politike, asnjëherë nuk zbatojnë ligjin që të hetojnë dhe të zbulojnë këto financime ekonomike të jashtëligjshme për subjektet zgjedhore dhe partitë politike. Kjo do të ishte gjysma e së keqes. Mirëpo, shqetësimi më i madh është kur edhe në rastet që donatorë të ndryshëm deklarojnë publikisht se kanë financuar me miliona lekë subjekte zgjedhore, edhe duke i cilësuar ato, sërish asnjë institucion kushtetues, sikurse KQZ-ja apo Prokuroria, nuk reagojnë, nuk veprojnë, nuk hetojnë, qoftë edhe për të zbardhur deklaratat publike e për të dhënë transparencën e kërkuar. 
Deputeti Doshi: Vetëm për transportin e protestuesve nga Shkodra në Tiranë kam dhënë 25 milionë çdo herë
Deputeti milioner Tom Doshi, që cilësohej nga gjithkush si financuesi i PS-së me shuma të mëdha, javët e fundit ka pohuar publikisht se ka financuar me miliona lekë aktivitetet politike të PS-së. Kështu, siç deklaroi Doshi, ai ka paguar vetëm për lëvizjet e militantëve socialistë për të protestuar nga Shkodra-Tiranë dhe anasjelltas, çdo herë mbi 25 milionë lekë, askush nga Prokuroria nuk ka filluar hetimet përkatëse. A i ka deklaruar në deklarimin e pasurisë deputeti Tom Doshi këto financime për PS-së? Po PS-ja i ka deklaruar? A janë dhuruar këto miliona lekë me kesh në dorë, apo nëpërmjet llogarive bankare sikurse parashikon edhe ligji për financimin e partive politike. Pastaj, ligji e ndalon që një donator fizik të dhurojë te partitë politike mbi 100.000 lekë. Atëherë, derisa këto pyetje mbeten pa përgjigje, përse Prokuroria nuk heton?
Kandidati i PS për deputet, Eduart Ndocaj: 600 milionë lekë fatura ime zgjedhore për PS-në
Kandidati i PS për deputet, Eduart Ndocaj ditët e fundit ka dhënë publikisht një faturë prej 600 milionë lekë, që i ka dhënë për fushatën zgjedhore të PS-së. Ndocaj ka bërë të ditur se nga shpenzimet e tij prej qindra milionë lekësh përfituesja kryesore ka qenë Mimi Kodheli, pasi ajo ka qenë dhe kryesuesja e listës së kandidatëve të PS për Lezhën. “Përfitimet më të mëdha nga shpenzimet e mia i ka pasur Mimi Kodheli. Unë e kam të faktuar shumën që kam harxhuar, pasi ka qenë e domosdoshme”.
Reagojnë për “Telegraf”
Kristaq Kume, ish-kryetari i KQZ-së: Kur ka deklarata për financime të mëdha, KQZ-ja duhet t’i verifikojë
Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar që partitë politike duhet të deklarojnë çdo mbështetje financiare që ju jepet, në funksion të zgjedhjeve. Partitë duhet të hapin një numër llogarie dhe këtu duhet të bëhen derdhjet e të gjitha parave, të cilat janë mbi 1 milionë lekë të vjetra. Auditimin e shpenzimeve dhe financimin dhe mënyrën e tyre, jo vetëm në fushatën zgjedhore, por edhe jashtë saj, ligji ia ngarkon KQZ-së. Pra, KQZ-ja në të gjitha rastet duhet të ndërmarrë verifikimin e shpenzimeve të padeklaruara, sepse edhe çdo shumë që jepet në fushatë zgjedhore si dhuratë, ka limit. Nuk mund të financosh sa të duash dhe partitë politike nuk mund të pranojnë ato shuma që i ofrojnë asaj. Kur ka deklarata të tilla, KQZ duhet t’i verifikojë.
Edvin Salianji, jurist: Duhen çuar për ndjekje penale edhe donatori, edhe partia që pranon shuma të mëdha parash
Mosdeklarimi i parave që u janë financuar partive politike, apo subjekteve zgjedhore është vepër penale, si për dhuruesin, por edhe për kryetarin e partisë që pranon shuma të mëdha financiare, e që nuk i deklaron kurrë. Verifikimin duhet të bëhet jo vetëm KQZ-ja, por edhe policia dhe prokuroria, derisa donatorët e shprehin publikisht këtë financim. Të hetojnë, qoftë edhe për shpifje ndaj atij që deklaron financime të zeza parash për partitë politike. Në rastin konkret, bëhen ballafaqimet financiare dhe duhet të çohen në ndjekje penale, si PS-ja, por edhe donatorët që financojnë shuma kaq të mëdha për parti politike, derisa ligji i ndalon.
Kodi Zgjedhor për financimin e partive
Sipas nenit 89 neni 1, subjektet zgjedhore mund të marrin fonde, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Dhe në pikën 2 të nenit 89 thuhet . se “Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Neni 90 përcakton edhe mënyrën sesi donator dhuron lekët për subjektin zgjedhor. Në pikën 1 thuhet se: “Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit”.
Deklarimet e donatorëve
Deputeti milioner Tom Doshi, që cilësohej nga gjithkush si financuesi i PS-së me shuma të mëdha, javët e fundit, ka pohuar publikisht, se ka financuar me miliona lekë aktivitetet politike të PS-së. Kandidati i PS për deputet, Eduart Ndocaj ditët e fundit ka dhënë publikisht një faturë prej 600 milionë lekë, që i ka dhënë për fushatën zgjedhore të PS-së. Ndocaj ka bërë të ditur se nga shpenzimet e tij prej qindra milionë lekësh përfituesja kryesore ka qenë Mimi Kodheli
Reagimi në “Telegraf”
Kristaq Kume: KQZ-ja në të gjitha rastet duhet të ndërmarrë verifikimin e shpenzimeve të padeklaruara, sepse edhe çdo shumë që jepet në fushatë zgjedhore si dhuratë, ka limit. Nuk mund të financosh sa të duash dhe partitë politike nuk mund të pranojnë ato shuma që i ofrojnë asaj. Kur ka deklarata të tilla, KQZ duhet t’i verifikojë.
Edvin Salianji: Verifikimin duhet të bëhet jo vetëm KQZ-ja, por edhe policia dhe prokuroria, derisa donatorët e shprehin publikisht këtë financim. Të hetojnë, qoftë edhe për shpifje ndaj atij që deklaron financime të zeza parash për partitë politike. Në rastin konkret, bëhen ballafaqimet financiare dhe duhet të çohen në ndjekje penale
Sigal