Të dënuar në Zvicër dhe Itali, 3 deputetët e tjerë që rrezikojnë mandatin

52
Të paktën tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë aktualisht në hetim në lidhje me dekriminalizimin. Lajmi është mësuar nga burime jozyrtare, të cilat kanë pohuar se bëhet fjalë për një deputet të së djathtës dhe dy deputetë të koalicionit të majtë, raporton 
Zyrtarisht Prokuroria nuk pranon të bëjë asnjë koment në lidhje me hetimet apo edhe verifikimet që po kryhen për një numër zyrtarësh, që në total po arrin në 600.
Megjithatë, burimet jozyrtare të organit të Akuzës pohojnë se në tre deputetët që po hetohen, dyshohet se njëri prej tyre nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një ndalim nga policia.
Ndërkohë, dy deputetët e tjerë dyshohet se kanë dënime të padeklaruara në Itali dhe në Zvicër. Siç dyshohet, nga ana e Prokurorisë, dënimet e dhëna ndaj dy deputetëve të së majtës, variojnë nga 10 deri në 15 vjet burg dhe kanë të bëjnë me trafiqe të paligjshme e shpërndarje droge.
Hetimet mësohet se kanë nisur nga sektori i verifikimeve për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme i krijuar enkas në pranverën e këtij viti, pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për dekriminalizimin”.
Verifikimet kanë nisur pas indicieve dhe informacioneve të marra nga prokuroria prej tri burimeve: institucionet, qytetarët, përfshi edhe informacionet anonime dhe informacionet e publikuara nga media.
HETIMET
Pak javë më parë, Prokuroria deklaroi se u ka kërkuar 15 zyrtarëve të lartë shenjat e gishtave për verifikim e ballafaqim me databazën e Interpolit dhe Europolit. Pas këtij hapi, Prokuroria zgjeroi hetimet dhe kërkoi shenjat e gishtave edhe për 15 zyrtarë të tjerë të lartë.
Ky proces vazhdon dhe nuk ka përfunduar ende. Ndërkohë për tre deputetët, për të cilët ka pretendime konkrete, përveç analizimit të shenjave të gishtave, janë nisur edhe letërporosi në tri shtete.
Fjala është për kërkesa për informacion të nisura nga Prokuroria shqiptare në drejtim të Italisë, Zvicrës dhe Kosovës. Prej policive, gjykatave e prokurorive të këtyre vendeve janë kërkuar informacione, dënime apo procedime që janë kryer ndaj tre deputetëve që po verifikohen nga organi i Akuzës.
Aktualisht mësohet se Prokuroria e Përgjithshme është pikërisht në fazën e pritjes së dokumenteve dhe informacioneve që ka kërkuar nga këto shtete të huaja.
Pas mbërritjes së materialeve nga Kosova, Zvicra dhe nga Italia, organi i Akuzës do të shqyrtojë vërtetësinë e indicieve të deritanishme dhe nëse konstatohen deputetë të dënuar dhe me precedentë të padeklaruar në formularët e dekriminalizimit, Akuza do t’i drejtohet menjëherë KQZ-së. Ligji parashikon që veç heqjes së mandatit në KQZ, për zyrtarët të ushtrohet ndjekje penale me akuzën e falsifikimit të formularëve.