Kryemadhi: Qëllimi ynë nuk është për të bërë propagandë, por të tregojmë çfarë ofron LSI

148
Sigal

Unë në fakt, edhe Goni, edhe Mondi, të cilët do të drejtojnë edhe listën e deputetëve të Shkodrës, pasi bëmë takimet në Obot, kemi pasur takime me faktorë, me socialistë që do t’i afrohen LSI-së në vazhdim. Ky nuk është qëllimi ynë, për të bërë propagandë sesi njerëzit i afrohen LSI-së, qëllimi ynë është që të jemi shumë të qartë dhe të kthjellët në atë që ofron sot LSI-ja. Sigurisht që kemi marrë përsipër përgjegjësitë tona. Përgjegjësitë tona janë për të pranuar jo vetëm ato gabime që kemi bërë, por edhe për të reflektuar mbi punën tonë që kemi bërë në këto 4 vite të opozitës dhe për të vazhduar në një etapë të re në LSI, që është partia e të rinjve dhe të rejave. Pse e them këtë? E them këtë sepse nëse një prindi nuk i garantohet e ardhmja dhe mundësia e djalit apo e vajzës, nëse një prindi i largohet fëmija nga shtëpia e tij, atëherë ai nuk ka asnjë motiv për të qenë pjesë e vendimmarrjes në politikën shqiptare. Ama nëse ne i krijojmë mundësinë djemve dhe vajzave tona, që jo vetëm të jenë pjesë e vendimmarrjes, por të jenë ata vetë politikë bërësit, sigurisht që ne do të shikojmë një Shqipëri komplet tjetër. Do të shikojmë një Shqipëri që është ëndërruar në mendjen e të rinjve dhe të rejave. Jo se nuk e bëjmë ne që jemi të vjetër, sepse po e fus veten time te të vjetrit, por ne nëpërmjet gabimeve tona duhet t’i tregojmë të rinjve dhe të rejave tona që të ecim në rrugën e duhur, në mënyrë të tillë që Shqipëria të jetë sa më e konsoliduar, sa më solide, sa më e fortë drejt integrimit europian. Shqiptarët do thonë na ka lodhur kaq shumë Edi Rama me integrimin europian sa që e nisi betejën e tij kundër shqiptarëve për hir të integrimit europian dhe jo vetëm që nuk i integroi shqiptarët, por përkundrazi i varfëroi ata i largoi nga Shqipëria, e zbrazi Shqipërinë dhe krijoi një situatë që vazhdoi dhe e futi nga kriza në krizë.