Taulant Balla përgënjeshtron, nuk e ka mik biznesmenin Edmond Bego

1114
Sigal

Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, u vonua të përgënjeshtronte vetveten, kur u shpreh se ka miqësi me familjen e biznesmenit Bego, i dënuar në Itali për veprimtari kriminale, ngaqë ka djalin e tij në një klasë me djalin e Begos, por më në fund, dje deklaroi se është …keqkuptuar, ngaqë nuk e tha kurrë, se e ka mik biznesmenin Bego. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, i akuzuar se kishte ndërhyrë në tenderë në favor të ish-anëtarit të bandës së Aldo Bares, deklaroi se akuzat e opozitës janë manipulime dhe të pavërteta. Ai bëri thirrje që nëse PD ka ndonjë provë për akuzat që artikulon t’i drejtohet prokurorisë dhe t’ia lërë në dorë drejtësisë. “Nëse drejtësia gjen që ka ndërhyrje të tilla, personat që kanë përgjegjësi të dënohen ashpërsisht, por kjo strategji nuk e çon PD-në askund për sa kohë nuk bën një kallëzim”, tha Balla. Ndërsa akuzat që drejtohen nga opozita ndaj tij i ngelen drejtësisë, i pyetur në lidhje me përgjegjësinë sa i takon anës morale, pasi nr.2 i Partisë Socialiste ka miqësi me një person që është i akuzuar si një ndër anëtarët e bandave më famëkeqe në Shqipëri, Balla dha këtë përgjigje: “ E para njëherë është që unë nuk di se ku e keni gjetur ju shprehjen “ka miqësi”. Nuk është e vërtetë kjo. Unë di them vetëm kaq, që në jetën tonë të përditshme…edhe unë nuk e di dëshminë tuaj të penalitetit. Secili nga ne mban përgjegjësi personale. Unë nuk bëj pjesë në racën e politikanëve që për hesape politike të gënjejnë sepse kam thënë dhe i qëndroj, njoh dhe e kam njohur, po më mirë se personin njoh familjen e shkëlqyer. Tani kjo histori që një njeri që thotë këtë, merr gjithë këtë baltë nga mbrapa le të jetë populli që do të na gjykojë”. Veçse Taulant Balla nuk foli fare, nëse biznesmeni Boga është favorizuar nga ai në marrjen e tenderëve publike në Librazhd dhe Elbasan, ku ai është Komisari Politik i Rilindjes Socialiste.