“Statusi rrezikohet nga mungesa e shtetit të së drejtës”

46

INTERVISTA/Dashamir Peza, deputeti i PS-së: “Çështja e Qarkut të Fierit është mosfunksionimi i demokracisë në Shqipëri”

Dashamir Peza, deputeti i PS-së dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve, në intervistën për “Telegraf”, sqaron për PS-së, çështja e Qarkut të Fierit është çështja e funksionalitetit të demokracisë, ndaj PS-ja nuk mund të tërhiqet.

– Zoti Peza, derisa çështja e Qarkut të Fierit është moszbatim i vendimeve të gjyqësorit, përse Kryetari i PS-së, u bëri apel forcave politike që ta zgjidhin këtë në kompromisin politik nëpërmjet tryezës së bisedimeve?

– Jo, kjo nuk është çështja e Fierit, kjo është çështja e zbatimit të ligjit, kjo është çështja e funksionalitetit të demokracisë, kjo është mbi të gjitha çështje e lirisë. Rusoi thoshte:  ” Askush prej jush nuk është aq i pakulturuar, sa të mos dijë se atje ku mungon rreptësia e ligjeve dhe autoriteti i mbrojtësve të tyre, nuk ka as siguri e as liri për askënd”.

– Keni ndjesinë se PS-ja e ka argumentuar sa duhet çështjen përse këmbëngul për Qarkun e Fierit, qoftë edhe te opinioni vendas, qoftë edhe te faktori ndërkombëtar, sa të mos i faturojnë dështimin e marrjes së statusit?

– Ju jeni dëshmitarë që para disa muajsh Berisha bërtiste çdo ditë se po pengohemi nga PS-ja për çështjen e integrimit,  sepse nuk po kalohen Kodet (Kodi Rrugor, Kodi Detar, Kodi Penal). Pastaj u rikthye zhurma për Gjykatën Administrative, e pastaj PS ishte kundër heqjes se imunitetit etj., etj.. Tani janë shpallur pengesat e radhës. Të bën përshtypje se në procesin e integrimit maxhoranca aktuale nuk i njeh asnjë lloj detyrimi vetes së saj. Ajo e ka degjeneruar procesin jetik të integrimit europian në një procedurë të votimit të disa ligjeve dhe kaq, ky është një mesazh shumë i shtrembër dhe i dëmshëm njëkohësisht. Do ishte për të ardhur keq nëse truket politike të Berishës për shkak dështimeve spektakolare të kësaj qeverisje të kenë ndikim, si në opinionin racional të brendshëm edhe në atë ndërkombëtar.

– Mendoni së modeli i Qarkut të Fierit mund të shërbejë edhe në zgjedhjet e 2013-s, sesi mund të deformohet vota?

– Këtu në Shqipëri ne shpesh e harrojmë natyrën e principeve mbi të cilat qëndron demokracia, me dëshirën për t’i dhënë zgjidhje problemeve të ditës, sfidave të momentit, shpërqendrojmë vëmendjen e publikut nga këto shqetësime themelore. Ajo që po ndodh me qarkun e Fierit është një dëshmi tjetër e përdorimit të shtetit për qëllimet e pushtetit. Pushteti ekzekutiv, i cili është pushteti që zotëron edhe forcën (policinë, ushtrinë) në raport me dy pushtetet e tjera, legjislativin dhe gjyqësorin, ka vendosur në mënyrë arbitrare të mos zbatojë vendimet e gjykatës, ky është atentat ndaj sistemit ndaj është detyrim i ynë kushtetues për të mos hequr dorë nga kërkesa për zbatimin e vendimit të gjykatës. Kjo që po ndodh me Qarkun e Fierit më shumë se një model, është shprehje e një mendësie e cila ka në themel dëshirën dhe pasionin për të grumbulluar të gjitha pushtetet në një dorë, kjo që ndodh tashmë prej 20 vjetësh me Sali Berishën është një sjellje e cila duhet dhe do të ndëshkohet me votë në 2013. Askush nuk mund të pengojë apo mohojë vullnetin e popullit. Në gjykimin tim, kjo e diskretiton edhe më tej Sali Berishën dhe qëllimet e tij të paskrupullta për më shumë kontroll, për më shumë pushtet, pra në fund të fundit kjo nuk do ta ndihmojë, por përkundrazi do ta dëmtoje atë dhe PD-së. Nga bisedat e përditshme me njerëzit të krijohet bindja se ka një lloj atmosfere si në periudhën e referendumit për Kushtetutën në 1994. Njerëzit po bëhen gjithmonë e më të vetëdijshëm për rrezikun e madh që paraqet përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme dhe kjo do pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve të 2013-s.

– Rrezikimi i mosmarrjes së statusit, edhe për herë të tjerë, mund të justifikohet me përgjegjësi politike të njërës palë politike, apo përgjegjësia është mbi gjithë klasën politike në Shqipëri?

– Përgjegjësia bie mbi të gjithë natyrisht. Por ka një proporcion natyral të ndarjes së përgjegjësisë. Përgjegjësia e PS-së është e kufizuar në mundësitë që ka për të ndryshuar situatën. Duke qenë në opozitë nuk mund të shmangim krizën ekonomike, ku qeveria e ka zhytur vendin dhe po planifikon ta zhysë më thellë me buxhetin e vitit 2013. Po kështu nuk mund të evitojmë kontrollin e qeverisë me shërbimet inteligjente, mbi organin e akuzës dhe mbi gjithë sistemin e Drejtësisë. Ne tentuam ta bëjmë këtë me ndryshimet kushtetuese që propozuam, por vota jonë ishte e pamjaftueshme. Është naive të fajësosh opozitën që nuk tërhiqet nga e drejta e vet, si ka bërë dhjetëra herë në të mirë të vendit dhe të shfajësosh kështu kryeministrin që nuk ka bërë asnjë lëshim në të mirën e vendit dhe nuk po bën as në rastin e Fierit që është një uzurpim i pushtetit të marrë me votën e popullit.

– Sa të drejtë kemi, kur mendojmë se palët politike do të mundohen që vetë marrjen ose jo të statusit kandidat, do ta përdorin si kapital politik në fushatën zgjedhore të 2013-s, ndaj edhe tensionojnë ngërçin politik të tre reformave të statusit?

– Dihet që marrja e statusit është vepër e shqiptarëve që pengohet nga politika dhe veçanërisht nga qeveria. Merita tashmë ka shkuar tek shqiptarët, ka shkuar tek ata që dalin në punë çdo mëngjes për të siguruar një jetë minimale dhe ëndërrojnë Europën, tek fëmijët që studiojnë për të qenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre europianë tek biznesmenët e ndershëm që kanë dhënë kontributin më të madh në zhvillimin e vendit. Janë njerëzit që po e ndërtojnë Shqipërinë europiane dhe është qeveria që po na pengon të jetojmë si europianë.

– Duke qenë se ju si deputet, ndodheni shumë shpesh edhe më afër elektoratit, cilat mesazhe ju merrni: Duhet të këmbëngulni deri në fund për çështjen e Fierit, pavarësisht nëse rrezikohet statusi?

– Nuk rrezikohet statusi nga çështja e Fierit. Statusi rrezikohet nga moszbatimi i ligjit, nga mungesa e shtetit të së drejtës. Këtë simbolizon Fieri. Dhe njerëzit na inkurajojnë që ne të luftojmë deri në fund për këtë parim. Tërheqja nga kjo pikë do të ishte braktisja e llogores së fundit në luftën për mbrojtjen e institucionit të votës nga Berisha, do ishte dorëzim përballë shkelësit të ligjit që është Kryeministri, do të ishte tulatje përballë krimit që kërkon të rrëzojë shtetin e së drejtës. A duhet të heqim dorë nga kjo betejë apo duhet të bëjmë Berishën të tërhiqet nga kapja e shtetit të se drejtës?

– Në qoftë se PS-ja e jep votën e saj për tre reformat, pa u zgjidhur çështja e Qarkut të Fierit, kjo do të përcillet si humbje e kauzës politike të PS-së, apo kontribut konstruktiv për hatër të procesit të integrimit?

– Kauza e zbatimit të ligjeve nuk është kauzë e PS-së ajo është kauza e Shqipërisë Europiane. Njëri prej studiuesve më të thellë të teorisë së demokracisë. Sartori,  thotë, “nëse ligjit i mjafton forma e ligjit atëherë asgjë nuk e pengon tiranin të ushtrojë tiraninë e vet në emër të ligjit dhe përmes urdhrash me veshjen e ligjeve”, nga një here mendoj se këtë frazë Sartori e ka shkruar duke patur parasysh Shqipërinë.

– Zëdhënësi i zotit Fyle, nga Brukseli pohoi se, nuk ka afat për miratimin e reformave për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë, por raporti përfundimtar do të përgatitet kur të miratohen reformat. Jepet kohë politike akoma PD-PS, që të gjejnë mirëkuptimin e të bashkëpunojnë?

– Po. Kemi kohë. Kemi edhe vullnetin e mirë. Prandaj kryetari i PS-së e ka ftuar Kryeministrin në tryezë. Duhet të përfitojmë nga kjo kohë. Në 28 Nëntor nuk ka pse të mos arrijmë një marrëveshje të madhe dhe të çojmë në Bruksel mesazhin që presim të gjithë. Ftesa e zotit Rama është në fuqi. I takon Berishës të bëjë një herë të vetme një akt në shërbim të vendit.

– Faleminderit!