Korrupsioni me inceneratorët/ Bosët e plehrave marrin çdo muaj miliona euro nga thesari, por punëtorëve të inceneratorëve nuk u jepen rrogat

141
Sigal

Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja majmin llogaritë bankare edhe me fondet e pagesave të punëtorëve. Punonjësit e inceneratorit në Fier janë ngritur në protestë ku kërkojnë marrjen e pagave, të cilat nuk i kanë marrë tashmë prej 5 muajsh, kohë kjo, që shënoi edhe nisjen e punës së një Komisioni Hetimor në Kuvend për të denoncuar aferën korruptive të inceneratorëve. Por korruptive apo jo, në fund janë banorët e kësaj zone të Fierit, punonjësit e inceneratorit, që po e pësojnë, ndërsa bosët e inceneratorëve vijojnë të qetë arratinë e tyre teksa llogaritë bankare majmen nga paratë që qeveria paguan rregullisht për kompanitë sipërmarrëse. Buxheti i shtetit vijon pagesat për inceneratorin e Tiranës. Pagesat nga Thesari për inceneratorin e Fierit u bënë para vendosjes së masës së sekuestros. Edhe pse ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako ndodhen në qeli dhe Klodian Zoto dhe Stella Gugallja janë në kërkim, inceneratorët vazhdojnë të marrin para nga buxheti i shqiptarëve.

 

Qeveria vijon të financojë arratinë e dy personave, që i kanë shkaktuar dëm miliona euro buxhetit të shtetit, ndërsa është e paaftë për të ndaluar pagesat e për të krijuar një fond që të shkojë për pagesën e punonjësve. Duket se Klodian Zoto, Stela Gugallja e Mirel Mërtiri do vijojnë të ‘pinë nga gjaku i shqiptarëve’ deri në pikën e fundit duke detyruar punonjësit të protestojnë për pagën e tyre. Punonjësit kanë deklaruar gjatë protestës këtë të enjte se nuk kanë marrë pagat e tyre prej 5 muajsh, ndërsa nuk kanë lejuar mjetet me mbeturina nga Lushnja dhe Fieri që të shkarkohen në incenerator. 10 ditë më parë 20 punonjësve të inceneratorit të Fierit i’u premtua dhënia e pagave ndaj edhe ata u tërhoqën nga protesta e tyre. Por pas rreth 10 ditësh punonjësit në mungesë të një premtimi të mbajtur janë rikthyer në grevë. Punonjësit kanë deklaruar se shefat i mbyllin telefonat! Kanë kontaktuar administratorin dhe çdo gjë që u kanë thënë deri më tani janë mashtrime dhe premtime boshe. Banorët shprehen se edhe në takimet, që kanë bërë me përfaqësuesit e kompanisë nuk kanë pasur rezultate konkrete. Punonjësit shprehen se janë në hall për bukën e fëmijëve, ndërsa shtojnë se edhe efektivët e policies, të cilët kanë ndërhyrë për zhbllokimin e punës në incenerator u kanë thënë se pagat do i marrin vetëm për t’i larguar nga zona. Punonjësit shprehen se ndihen të mashtruar e të pashpresë; se një ditë do të paguhen për punën e tyre, por do të vijojnë protestat për të drejtën e tyre dhe për pagën me të cilën ushqejnë fëmijët. Në thelb të të gjitha deklarimeve nga punëtorët është fjala mashtrim.