Spartak Ngjela: Grabitja në Bankë, Ardian Fullanin e mbrojnë 3 kryeministrat e fundit

866
Sigal

Intervista ekskluzive me Avokat Spartak Ngjelën

 Avokati i njohur: Në Bankë janë grabitur 713 milionë nga 750 milionë që është kapitali i saj. Në atë Bankë janë fshehur abuzimet e tre kryeministrave të fundit të Shqipërisë

 Një fakt tronditës e shumë domethënës publikon Avokat Spartak Ngjela lidhur me skandalin e fundit, atë të grabitjes në Bankën e Shqipërisë: Në Bankë janë grabitur 713 milionë lekë nga 750 milionë lekë që është kapitali i Bankës! “Duhet të dini një fakt, i cili ende nuk është bërë publik, se vjedhja e 713 milionë lekëve, nuk është një gjë e thjeshtë, sepse ka karakter të theksuar juridik. A e dini se sa është fondi themelues i Bankës së Shqipërisë? 750 milionë lekë, aq është kapitali i bankës. Ç’ janë këta birbo apo gangsterë që 713 milionë lekë të Bankës së Shqipërisë u duken diçka e vogël. Pyetja që duhet ngritur në këtë rast është kjo: Si ka mundësi që një referent i thjeshtë i bankës së Shqipërisë të ketë mundësi të vjedhë fondin themelues të bankës? Askush nuk e beson këtë, vetëm naivët dhe jo profesionistët”- pohon Avokat Ngjela në intervistën e dhënë ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”. Ashtu si të gjitha pikat e kthesës apo ngjarjet e rënda që kanë ndodhur në këto 24 vitet e fundit, Ngjela, ndër politikanët e paktë me reputacion e të besueshëm në vend, edhe për këtë ngjarje, vë gishtin mbi ‘plagë’. Ai shton se, “…Në atë bankë janë fshehur abuzimet e tre kryeministrave të fundit në Shqipëri, për të mos thënë dhe arsye të tjera që janë sekondare…”.  Ja intervista e Avokatit Spartak Ngjela dhënë për gazetën “Telegraf”.

 Avokat Ngjela, rebel dhe i ndëshkuar në monizëm, në vijë të parë të luftës për liri dhe demokraci, këto 20 vite, e mbi të gjitha i pa kompromis me kundërshtarët e misionit të tij. Cili është shkurtimisht bilanci i këtyre dekadave për avokat Ngjelën, sot në këtë kohë, që ndonëse stinë behari, vendi është pothuaj në kaos e në dimër politik?

 -Nuk e kam shumë mirë. Pyetja juaj më duket shumë e çuditshme se nuk ma ka bërë askush deri më tani dhe më duket me vend. Kur them se nuk e kam shumë mirë, nuk do të thotë se më është prishur raporti im i brendshëm në lidhje me lirinë interiore. Në rast se je i ngritur intelektualisht nëpërmjet dijes, e njeh qytetërimin modern dhe historinë e kohëve, liria jote e brendshmes është gjë tjetër veçse intencion ose qëllimi që i ke dhënë vetes për të lënë diçka morale në kohën tënde. Liria e brendshme është moralitet dhe raport i drejtë, që duhet të kesh me të tjerët, por ju pyesni për politiken. Është e njëjta gjë, unë kam botëkuptimin tim, mendimin tim të konsoliduar për demokracinë shqiptare dhe prandaj në funksion të asaj që thashë, të kesh qëllimin tënd do të thotë të ruash dinjitet. Do ndihesha jo i lirë nëse do humbisja dinjitet dhe nuk do i shërbeja qëllimit tim. Do thoni ju, po ti nuk ke interesa? Po kam interesa, por interesi im ka karakter historik, ju thashë dhe më lart, qëllimi është të lë një gjurmë korrekte në historinë e vendit tim. Politika nuk mund të jetë tregti me interesat e shoqërisë tënde. Politika është mjet për të realizuar zhvillimin e shoqërisë që ke marrë përsipër të ndërtosh, por siç na ka thënë një president i famshëm amerikan, që në politikë hynë dy tipe njerëzish: burri dhe fëmija. Dallimi midis tyre është se, nëse fëmija ka hyrë në politikë për të marrë diçka, burri ka hyrë për të bërë diçka. Atëherë, ky do jetë gjithmonë qëndrimi im për marrëdhënien politike që kam në shoqërinë shqiptare.

 Cilët janë sipas jush, apo mbeten, shkaktarët e kësaj situate të rëndë politike në Shqipëri?

 -Janë dy arsye kryesore: Injoranca ose padija e personave që janë marrë me drejtimin e shtetit shqiptar dhe arsyeja e dytë është karakteri amoral i qeverisjes dhe qeveritarëve. Padija e ka lënë vendin pa zhvillim ekonomik, kurse amoraliteti qeveritarëve ka mbjellë korrupsion ose abuzime me pushtetin. Që të dyja kanë lidhje me njëra tjetrën, por kam përshtypje që brezi i ri nuk po e pranon dot këtë gjendje. Si rregull, në një 100 vjet histori, ne kemi pasur gjithmonë, por sidomos në periudhën komuniste, një brez të vjetër pa karakter dhe një brez të ri pa eksperience. Gjendja ka degraduar gjithmonë te pakarakteri, sepse brezat e rinj nuk kanë pasur model dhe Shqipëria ka qenë e izoluar. Shkallmimi që i u bë kufijve të izolimit në këta 20 vjet, e ka edukuar një brez të ri me principe perëndimore. Kjo është arsyeja që më jep shpresë, se ky brez i cili është shume patriot dhe e do vendin e tij, do të dijë në të ardhmen të ndëshkojë imoralitetet e politikës shqiptare me anë të dijes që ka marrë tashme në këtë qytetërim bashkëkohor.

 Ju jeni më i ashpri dhe më i drejtpërdrejti lidhur me skandalin e grabitjes në Bankës e Shqipërisë, por fatkeqësisht opozitë dhe pushtet, në këtë aspekt janë bërë “memecë”, përse?

 Memecllëku i politikës shqiptare me vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, është shumë i thellë, megjithatë kam përshtypjen se përgjigjen e kësaj e kam dhënë në arsyetimet e mësipërme dhe pikërisht te amoraliteti. Vjedhja e Bankës së Shqipërisë ishte pika konvergjente e të gjithë amoralitetit qeverisës në 10 vitet e fundit në Shqipëri. Në atë bankë janë fshehur abuzimet e tre kryeministrave të fundit në Shqipëri, për të mos thënë dhe arsye të tjera që janë sekondare. Por, shqiptarët e kanë kuptuar dhe e ndjejnë, pikërisht pse guvernatori i bankës nuk jep dorëheqjen. Kush nuk e dëshiron dorëheqjen e guvernatorit të bankës? Të tre kryeministrat e fundit. Po kryeministri i ri? Pardje qeveria shqiptare ka bërë një hap, por ju me të drejtë mund të pyesni, po kryeministri aktual, është edhe ky në hallin e tre paraardhësve të tij në lidhje me guvernatorin? Nuk besoj, se koha është e shkurtër, që nga shtatori i vitit 2013 e deri më sot, vështirë se mund të kemi ndonjë lidhje (koneksion) midis guvernatorit dhe kryeministrit, por prekja që i bëri qeveria shqiptare kësaj çështjeje të jep të kuptuar, se nuk është në pellgun e tre kryeministrave të tjerë.

 Si mendoni se duhet të procedojë më tej çështja e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë?

 -Duhet të dini një fakt, i cili ende nuk është bërë publik, se vjedhja e 713 milionë lekëve, nuk është një gjë e thjeshtë, sepse ka karakter të theksuar juridik. A e dini se sa është fondi themelues i bankës së Shqipërisë? 750 milionë lekë, aq është kapitali i bankës. Ç’janë këta birbo apo gangsterë që 713 milionë lekë të Bankës së Shqipërisë u duken diçka e vogël. Pyetja që duhet ngritur në këtë rast është kjo: Si ka mundësi që një referent i thjeshtë i bankës së Shqipërisë të ketë mundësi të vjedhë fondin themelues të bankës? Askush nuk e beson këtë, vetëm naivët dhe jo profesionistët. Vjedhja e 713 milionë lekëve nga një hiç nëpunës banke, është vetëm maja e ajsbergut. Do ta shikoni që në Bankën e Shqipërisë është ngjizur konspiracioni shumë vjeçar i grabitjes së popullit shqiptar. A do ketë fuqi kjo qeveri që me ndihmën e ekspertizës perëndimore, të ketë mundësi ta shkallmojë këtë konspiracion, kundër mirëqenies shqiptare. Nuk kam asnjë lloj besimi tek prokurori aktual. A do gjej forcë Kryeministri aktual, që brenda kornizës ligjore dhe kompetencave që i ka dhënë fryma e popullit në votimet e fundit, të ndalojë agresivitetin e një bande që ka grabitur shqiptarët për një kohë të gjatë. Ky është turpi, ose do t’ ia lëri këtë turp historik atyre që e kanë bërë ose do ta mbajë për vete Kryeministri aktual.

 Kur mendoni se së fundmi dhe shqiptarët do të jenë në rrugën e drejtë të shpresës, do e prekin demokracinë, atë ëndërr që ju i kushtuat vite të tëra burg dhe luftë pa kompromis në këta 24 vitet e fundit?

 Unë nuk e kam humbur asnjëherë shpresën dhe më lart ju fola hapur për respektin që kam ndaj brezit të ri. Brezi i ri duhet ta kuptoje dhe të jetë konshient që vend i përshtatshëm për të jetuar ata si shqiptarë, është vetëm Shqipëria, që kanë 100 vjet që e drejtojnë injorantët dhe abuzuesit. Brezi i ri duhet të grupohet brenda elitës së vetë dhe ta shikojë seriozisht krizën aktuale për të shpëtuar historikisht qeverisjen shqiptare nga injoranca.

Gerjola Çaushi