Sot raundi i tretë për Presidentin, Rama-Meta 30 minuta takim kokë më kokë

150
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar mëngjesin e sotëm zyrës së kryeparlamentarit Ilir Meta, disa minuta para nisjes së seancës plenare të së enjtes.
Në orën 9:30 kreu i Qeverisë është takuar me kryeparlamentarin Meta në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, dhe për 30 minuta kanë biseduar për zhvillimet politike në vend, dhe zgjedhjen e presidentit të ri, duke qenë se sot zhvillohet raundi i tretë.

Të gjitha gjasat janë që edhe ky raund të digjet për shkak të mungesës së një emri për kandidat. Me djegien e këtij raundi Partia Socialiste, që nuk ka një emër, djeg edhe mundësinë për të zgjedhur Presidentin me 84 vota.

Edhe ky takim mes Ramës dhe Metës nuk ka sjellë një emër konkret të mazhorncës për Presidentin e ri.

Kujtojmë se një ditë më parë, deputetja Vasilika Hysi ka njoftuar mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në orën 13:00 për të pritur kandidaturat e mundshme dhe nëse ka ato pritet të votohen në orën 15:00 në seancën parlamentare për raundin e tretë të Presidentit.

Po dje në mbrëmje, në përfundim të takimit me përfaqësues të partive parlamentare, Meta deklaroi se Presidenti pritet të zgjidhet brenda kësaj legjislature, madje shtoi se mund të jetë dhe sot, nëse palët arrijnë të gjejnë një kandidat konsensual.

Si Rama ashtu edhe Meta kanë deklaruar se presin edhe opozitën të bëhet pjesë e këtij procesi.