Skenari Rama-Xhafaj për pasojat e dosjes “Tahiri”

611
Skenari Rama-Xhafaj për përballimin e uraganit “Tahiri”
Kryeministri dhe ministri i Brendshëm rakordojnë veprimet pas shpërthimit të skandalit. Si do të “ushqehet” opinioni publik, roli i drejtorëve të policisë, lista e Interpolit dhe dilema për Haki Çakon
Shpërthimi i skandalit për trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali dhe kërkesa e prokurorisë për prangosjen e ish-ministrit të Brendshëm shkaktuan një uragan të vërtetë në skenën politike e mediatike, që mori emrin e Saimir Tahirit. Njeriu që kryeministri Rama e kishte mburrur ndoshta më shumë se çdokush tjetër në katër vitet e mandatit të parë, tashmë ndodhej përballë një akuze të rëndë për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal. Një pjesë e këtij grupi ka përfunduar në qeli në Itali, një pjesë tjetër është ende në kërkim, ndërsa tonelata me kanabisin kanë udhëtuar të qeta nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane. Këto tonelata kanë vënë në alarm Antimafian e shtetit fqinj, prej nga ka mbërritur edhe dosja ku ndodhet emri i Saimir Tahirit. Megjithatë, përveç planit politik dhe vendimmarrjes së Këshillit të Mandateve, grupit parlamentar apo më tej Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri dhe ministri i Brendshëm po zbatojnë edhe një plan të mirëfilltë për të përballuar opinionin publik dhe zbutur zemërimin e Antimafias. 
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, drejtorët e policisë në qarqe janë urdhëruar të dalin përpara medias për të publikuar të dhëna nga operacionet e suksesshme, ndërsa fokusi do të vendoset te të kërkuarit nga Interpoli, kryesisht për dënime të ardhura nga gjykatat italiane. Vetëm nga dita kur u bë publik arrestimi i grupit “Habilaj” në Itali, policia shqiptare ka publikuar 6 raste të arrestimit të personave të përfshirë në listën e “Interpol”-it për krime në vendin fqinj. Sipas porosisë së dhënë për drejtuesit kryesorë të policisë, fokusi do të jenë pikërisht personat me aktivitet në Itali, me shpresën se pakësimi i listës së të kërkuarve nga “Interpol Roma” do të zbusë mërinë e Antimafias për tonelatat e toleruara nga Shqipëria. Trafiku i dendur i drogës në vitet e fundit dhe përfshirja në të e policisë shqiptare ka detyruar edhe autoritetet italiane që të veprojnë në mënyrë të izoluar, në mënyrë që të mos rrezikoheshin marrja e informacioneve të nevojshme dhe finalizimi me sukses i operacioneve. Sipas burimeve, nga pala shqiptare është menduar se shtimi i të ekstraduarve drejt Italisë, pas aksioneve të fundit, do të jetë një mundësi e mirë për të rirregulluar marrëdhënien mes dy policive. 
Ndërkohë, për të quajtur të ndryshuar gjendjen në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit pas skandalit të fundit, Ministria e Brendshme po përgatit edhe ndryshime të tjera të rëndësishme. Një prej tyre pritet të prekë edhe vetë drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. I ndodhur për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, kryepolici nuk ishte i pranishëm në dy takimet e Ramës me Xhafën gjatë fundjavës. Megjithatë, Rama dhe Xhafaj duket se po kujdesen që një largim i mundshëm i Çakos dhe drejtuesve të tjerë të mos interpretohet publikisht si dështim, por si ndryshime normale. Kjo mund ta spostojë disi në kohë këtë lëvizje në kokën e policisë. 
Disa nga të arrestuarit
A. E., 45 vjeç, banues në Kodër Kamzë, Tiranë. Ai rezulton person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Catanzaros, Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Krime ndaj të miturve” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”.
I. D., 45 vjeç banues në Shijak. Në ngarkim të shtetasit I.D, Gjykata e Catanzaros / Itali, ka lëshuar urdhër arresti me Nr.157/05RMC datë 02.11.2005 për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim” parashikuar në nenin 110 të Kodit Penal Italian si dhe paragrafi 73, i ligjit “Për drogat” Nr.909/90. Maksimumi i dënimit është 22 vjet burgim.
E. B., 55 vjeç, banues në Sukth. Në ngarkim të E.B, Gjykata e Catanzaros / Itali ka lëshuar urdhër-arrestin me Nr.157/05RMC, datë 02.11.2005, për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni, shfrytëzim i të miturve” dhe”Pjesëmarrje në organizatë kriminale”parashikuar në nenet 3, 4 të ligjit Italian Nr.75/58.
T. V., 56 vjeç, banues në Kavajë. Ky shtetas është i shpallur në kërkim pasi, Gjykata Catanzaros/ Itali, me vendimin e datës 02.11.2005, ka lëshuar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar, pasi ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i armëve të zjarrit”, parashikuar nga Neni 110 i Kodit Penal Italian si dhe Nenet 73 dhe 309/90 të ligjit mbi drogat.
G.A. 41 vjeç, banues në Shijak. Në ngarkim të shtetasit G.A Gjykata e Brescia-s/Itali ka lëshuar urdhër arrestin Nr. 664/98R.G.P.M.466/98 datë 16.06.1998 për veprën penale ”Vrasje” parashikuar nga legjislacioni italian.
D.H. 48 vjeç, banues në Durrës. Në ngarkim të shtetasit D.H, Gjykata e Peskarës / Itali ka lëshuar urdhër arrestin Nr. 15/99 RGNR/PD- 14/00 GR GIP/ D-7/00 REG, Dt 09.06.2000 për kryerjen e veprës penale “Trafikimit të lëndëve narkotike” parashikuar në nenin 110 të Kodit Penal Italian.
Sigal