Skandali i PPP-ve/ Anulohet koncesioni Kashar – Thumanë, më i shtrenjti në Evropë, që do kushtonte 544 miliardë për 21 km

555
Sigal

Koncesioni më i shtrenjtë në Evropë dhe më i debatuar, dhënë nga qeveria aktuale e Rilindjes Socialiste është anuluar. Kështu deklaroi ministrja e re e Transportit Belinda Balluku pa shpjeguar shkaqet e anulimit. Ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku bëri të ditur publikisht vendimin për anulimin e koncesionit më të madh dhe më të debatuar të qeverisë, atë që parashikonte ndërtimin e afro 21 kilometrave autostradë për një kosto që mund të shkonte deri në 54 miliardë lekë. “Kam vendosur të bëj ndërprerjen e partneritetit publik-privat të aksit Kashar -Thumanë,” deklaroi Balluku dje, pa dhënë shpjegime për shkaqet që sollën anulimin. Kompania “Gener 2” fitoi koncesionin vitin e kaluar, pasi mori paraprakisht një bonus nga qeveria “Rama” për “propozim të pakërkuar”. Dokumentet e tenderit sugjeronin një kosto ndërtimi prej 226 milionë eurosh, por raporti i Ministrisë së Financave për Parlamentin mbi kostot e kontratave koncesionare flet për një kosto të përgjithshme prej 54.4 miliardë lekësh (435 milionë eurosh). Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe “Gener 2” hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të çonin në kontratën finale. Negociatat nuk u përmbyllën. Parashikimi i Ministrisë së Financave ishte që pagesa e kontratës koncesionare të fillonte në vitin 2020 me një këst vjetor prej afro 2.5 miliardë lekësh. Qeveria u vu në siklet dhjetorin e kaluar kur një kompani fantazmë me emrin “DH Albania” rezultoi fituese e dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Dokumente të zbuluara nga media sugjerojnë se ka disa lidhje mes personave të kompanisë “DH Albania” dhe kompanisë “Gener 2”, e cila ishte fituesja e tenderit të koncesionit Thumanë – Kashar. Ministrja Balluku ka kërkuar shkarkimin nga detyra të drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit. OST ishte institucioni ku “DH Albania” fitoi njërin prej tenderëve me dokumente të falsifikuara. Sipas Ballukut, fondi i koncesionit do të shkojë për të ashtuquajturin “pakt për universitetin”, por buxheti i shtetit nuk ka planifikuar shpenzime për këtë koncesion për vitin 2019, pasi pagesat për të fillojnë në vitin 2020.