Si e kam përjetuar vdekjen e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut

496
-60 vjet jetë, 40 vjet punë e ditar për çdo gjurmë që ju keni lënë në jetën tuaj. Çfarë e motivon një ish ushtarak si ju të jetë gjithmonë në kërkim të shtigjeve për tek vlerat e mbetura në kohë, që shërbejnë si modele për sot e për nesër?
-Balzaku thotë pak a shumë, se e kaluara është thelbi i jetës së njeriut dhe kush mohon të kaluarën mohon jetën e tij. Unë jam krenar që kam qenë ushtarak, kam kontribuar në mënyrë modeste, por me përkushtim e ndershmëri për popullin tim. Po të isha njëzet vjeç sot dhe të më jepej mundësia të zgjidhja, do të ndiqja po atë rrugë që kam ndjekur para dyzet vjetësh, me të gjitha sakrificat dhe vështirësitë e saj. Çdo aspekt të kësaj jete unë e kam hedhur në një ditar që vazhdoj ta mbaj tash e katër dekada, e kam hedhur në shkrimet e botuara dhe në një libër që kam publikuar këto ditët e fundit. Vendosa që kujtimet t’i përmbledhur në një libër, që t’iu lë fëmijëve të mi, nipave e stërnipave një kujtesë, një gjurmë, një rrugë, një histori dinjitoze, një rrëfim mbi atë çfarë kam përjetuar në rrugën e jetës sime deri tani.
-Po, meqë dolët tek libri, ju keni hedhur në qarkullim librin tuaj “Lura, perla e Evropës”. Cilat janë temat dhe fokusimet tuaja në këtë libër?
-Është një kujtesë dhe apel për brezat, për të mbrojtur vlerat historike unike, vlerat natyrore magjepsëse të Lurës, vlera këto të fundit që gjatë këtij tranzicioni primitiv janë dëmtuar rëndë, jo sikur të jetonin njerëz por barbarë në këtë perlë mrekullie, për fat të keq, e rrënuar nga dora e egër dhe mizore e barbarisë. Janë kujtimet e mia që kur isha fëmijë e më tej, shkollimi, puna, fisi, kontributi në fushën e mbrojtjes kombëtare, njohjet me figurat më të larta të ushtrisë dhe të pushtetit politik të kohës së komunizmit, poezi, mbresa, impresione për gjithçka që më ka rrethuar e vazhdon të më rrethojë në jetën time.
-Me 6 shkurt 1981 ndodhi orteku i Fekenit, ku humbën jetën 11 oficerë dhe studentë së Shkollës së Bashkuar të Oficerëve. Si e përjetuat këtë katastrofë?
-Unë në atë kohë kam qenë në Përrenjas, duke përgatitur ushtarët e rinj. Erdhi fonogrami nga Ministria dhe na futi në klasë komandanti i Brigadës Zyhdi Kroj dhe na njohu me situatën e rëndë. U ndiem të traumatizuar. Ishte një nga humbjet më të rënda që kishte pësuar ushtria jonë në epokën e komunizmit. Në repartet tona, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, u ngritën flamujt në gjysmështizë. U shpall tre ditë zi kombëtare. Përsëri u vumë në gjendje alarmi dhe gatishmërie numër një, shkuam ushtarë e oficerë në llogore, ku kryenim stërvitjet luftarake, flinim e hanim me rroba veshur. U vunë detyra parësore për ruajtjen e efektivit, pasi jeta e njeriut çmohej aso koha dhe parulla se kapitali më i çmuar është njeriu nuk ishte propagandë, por realitet. 
Si e ndjeve vdekjen e Enver Hoxhës?
-Kam qenë shef i shtabit të batalionit të Gjashtëlisit (Rajcë-Skënderbe), ishim duke bërë qitje i gjithë batalioni, ku erdhi lajmi që nesër në orën dymbëdhjetë të ishim në Brigadën e Përrenjasit. Kur vajtëm në brigadë, altoparlanti po jepte muzikë funebër dhe pas pak zëri i spikerit, Virgjil Kule, tronditës jep lajmin për vdekjen e Enver Hoxhës. Të them të drejtën, mu errësuan sytë dhe ndjeva dhimbje të thellë. Shumë kolegë të mi u ndien keq dhe pati dhe që iu ra të fikët. Ai ishte Komandanti ynë, personi që kishte mbajtur mbi supe epokën e Luftës dhe të ndërtimit të shoqërisë shqiptare. E kishte pasur komandant im atë, kur pati marrë tre plagë në luftën për çlirimin e Tiranës, e kisha pasur dhe unë dhe isha krenar për emrin dhe veprën e tij. Në momentin e njoftimit të kësaj vdekje të rëndë, u dha gatishmëria numër një dhe efektivat kaluan në detyrën luftarake, në kohë lufte. Por ushtarë e oficerë ndiheshin të shokuar, shumë prej tyre u sëmurën, kishte që qanin me ulërima e të tjerë binin përtokë, sikur ti kishte prerë kosa. Po kështu edhe popullata civile e Rajcës, ku ne ishim, ndihej e traumatizuar dhe na drejtoheshin neve si oficerë për ti sqaruar rreth vdekjes së Komandantit. Për rreth tre muaj qëndruam në pozicionet luftarake, në gatishmëri luftarake numër, ku ushqim e fjetje e bënim në qendrat e zjarrit dhe llogoret e një lufte të mundshme. Frika se me humbjen e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë popullore mund të pësonim ndonjë sulm nga armiqtë tanë, në kufijtë tanë apo më larg, ishte një frikë e përligjur, ndaj gjithë populli qe mobiluar sipas parullës së drejtë të kohës, se “i gjithë populli është ushtar”. Unë e kisha takuar dy herë Enver Hoxhën, në vitin ’78, në paradën e 35 vjetorit të Krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku më pati pyetur për Lurën dhe më pati thënë se qenke stërnip i Dom Nikoll Kaçorrit; në takimin e dytë, në paradën e vitit ’79, kur u ndodha përballë tij kur kaloi dhe pata emocione shumë të forta. 
-Vdekja (vetëvrasja apo vrasja)e Mehmet Shehut ishte një ngjarje e rëndë dhe traumatike për kohën. Si e përjetuat ju si ushtarak këtë ngjarje?
-Mehmet Shehu ishte figura numër dy e regjimit monist, personalitet me kontribute të mëdha, që nga Lufta kundër Frankos në Spanjë, tek lufta partizane dhe aksionet e tij të forta si kryeministër, për t’iu dhënë drejtim punëve të ekonomisë kombëtare. Ndaj vetëvrasjen apo vrasjen e tij e pritëm me çudi, dyshim, por edhe frikë, pasi menduam që kur tehu i shpatës nuk ngurronte të binte mbi një figurë të tillë, kaq të epërme, çfarë mund të ndodhte me ne, që ishim njerëz të thjeshtë dhe ushtarë të revolucionit? Në atë kohë kam qenë në Mokër (Bishnicë) dhe kur mësuam vdekjen e kryeministrit shqiptar, në rrethana misterioze, u ndiem të shokuar. Nuk më bënin duart të bëja as planin e përditshëm të veprimeve që çonin në mbarëvajtjen e repartit. Ndihesha i shokuar. Në ditarin, që e ruaj edhe sot, atë ditë të zezë kam shkruar: “Vdekja misterioze e Mehmet Shehut, kryeministër i Shqipërisë na ka shokuar dhe tronditur. Nuk di çfarë tu them ushtarëve të mi. E ndiej që as eprorët e mi nuk dinë se çfarë të më thonë mua dhe të tjerëve. Unë e kam takuar personalisht Mehmet Shehun, im atë e kishte shok e mik betejash, ai ka qenë në Lurën time dhe ka pirë kafe me tim atë, në Liqenet e mrekullueshëm të Lurës. Nuk di çfarë të mendoj për këtë ngjarje të rëndë, por ndiej frikë dhe ankth…” Edhe pse udhëzimet u dhanë që të demaskohej figura e kryeministrit si tradhtar dhe poliagjent, nuk më bënte goja të flisja para ushtarëve kundër tij.
-A i ruan ende lidhjet me ish-figurat e larta të ushtrisë dhe të mbrojtjes sonë kombëtare?
-Po, i ruaj dhe jam shumë rigoroz në ndjekjen e tyre. Këto figura të larta si Kiço Mustaqi, Kostaq Karoli, Sheme Kosova, Bajram Mane, të cilët kam pasur fatin t’i takoj e të shkëmbej me to dialogë që nuk do të më shlyhen kurrë nga kujtesa, vazhdo t’i takoj edhe sot, të ndjek ecurinë e tyre personale, familjare e shoqërore; kafetë në mëngjes me to, shkëmbimi i bisedave të ngrohta për gjithçka që na rrethon në këtë shoqërinë tonë, në këtë kohë të vështirë, janë për mua evenimente që më ngrohin e më japin impulse pozitive në jetë. Kostaq Karoli foli me shumë ngrohtësi në promovimin e librin tim në sallën e Muzeut Kombëtar, ndërsa Kiço Mustaqi, edhe pse i sëmurë, i shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, më dërgoi mesazh urimi për ta lexuar para të pranishmëve, me këtë rast. Dua të shtoj se Kiço Mustaqi përballoi me dinjitet dhe me një intuitë të shkëlqyer prej ushtaraku dhe atdhetari momentin e kalimit të shoqërisë shqiptare nga regjimi njëpartiak në pluralizëm. Falë tij dhe ushtarakëve të tjerë, si gjeneral Kostaq Karoli e të tjerë, si dhe të gjithë ushtarakëve të lartë, nuk u derdhë një pikë gjaku shqiptar dhe shoqëria kaloi në mënyrë të zbutur nga një sistem në tjetrin, edhe pse ushtria ishte e armatosur deri në dhëmbë, nuk u hodh një fishekë kundër shqiptarëve në krahun tjetër të llogores. Kujtoi me mall dhe i sjell në vëmendje në të gjitha takimet me shokët e mi ushtarakë e jo ushtarakë të ndjerët Veli Llaka, ish shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Nazar Berberi, ish zv/ministër i Mbrojtjes Popullore.
Cili është mendimi juaj për të gjitha këto figura të larta të shtetit monist dhe të ushtrisë popullore?
-Duhet thënë se e kaluara ka lënë gjurmë në kujtesën historike të kombit shqiptar dhe nuk mund të fshihet me gomë, siç pretendojnë disa. Enver Hoxha ishte udhëheqësi i popullit, Komandanti i madh i Ushtrisë, strategu i Luftës Nacionalçlirimtare dhe ideatori e frymëzuesi i ndërtimit të vendit, një njeri që luftoi për emancipimin dhe progresin e shqiptarëve, edhe pse gjatë rrugës u bënë mjaft gabime. Vetë analistët amerikanë, të cilët ai i konsideronte kundërshtarë e armiq, e kanë quajtur atë udhëheqësin më të madh të këtyre shtatëdhjetë viteve, që nga Çlirimi i vendit e deri më sot. Mehmet Shehu ishte një vizionar i madh, njeri me shumë kulturë, luftëtar dhe komandant i shquar; eliminimi i tij ishte një gabim dhe faj i rëndë i atij regjimi, siç ishte faj i rëndë eliminimi i të gjithë atyre që ndoshta mendonin ndryshe nga Udhëheqësi, por ishin shqiptarë të mëdhenj, atdhetarë dhe nacionalistë. Ish ushtarakët e lartë, ish ministrat dhe ish politikanët e kohës së komunizmit kishin ideale, nuk kishin privilegje dhe bënin aq sa mundnin që të zgjidhnin problemet e popullit. Sot gjeneralët, politikanët, ministrat, deputetët, partiakët nuk kanë asnjë motiv atdhetar që mund t’i udhëheq në jetë, i vetmi motiv i tyre është mbushja e xhepave, mashtrimi i radhës, klientelizmi, përfitimi vetjak, nepotizmi, tenderët, përfitimet abuzive etj. 
Sigal