Shtohen zërat kritikë të deputetëve socialistë ndaj Rilindjes. Çfarë mendojnë Braçe, Bushati dhe Ndreu

425
Jakup B. GJOÇA
Kryeministri Rama pranoi në Asamblenë Kombëtare të PS-së, se qeveria ka gabuar 
Kryeministri Rama për herë të parë, në 5 vitet e qeverisjes, pranoi në Asamblenë Socialiste të PS-së, se qeveria ka gabuar, se ka ministra që nuk bëjnë punën, ka kryebashkiakë që nuk njohin realitetin, ka kryetarë të PS-ve nëpër bashki dhe qarqe që ende nuk kanë hapur zyrat e bashkëqeverisjes, ka deputetë që ndërhyjnë kudo për të punësuar njerëzit e vet pa asnjë meritë, por për hatëre personale etj. 
Reagimi ndaj kritikave
Ndonëse në Asamblenë Kombëtare të PS-së nuk pati zëra ndryshe, që të reagonin, shumë deputetë socialistë ditë më vonë reaguan dhe ngritën zërin e tyre kritik ndaj drejtuesve të Rilindjes. I pari është deputeti Erion Braçe, që është edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, i cili kritikoi drejtpërdrejt kryebashkiakun e Tiranës, për dhënie të lejeve të ndërtimit pa kriter, madje përmendi edhe emra ndërtuesish, që në të kaluarën janë përmendur për lidhje të ngushta ekonomike me kryeministrin Rama. Ervin Bushati, i cili është sekretar i Grupit Parlamentar të PS-së, pranoi publikisht se qeveria ka të meta në të gjitha fushat. Dje, deputeti Pjerin Ndreu, i cili ka qenë një nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, ekspert për çështjet e sigurisë rrugore, kritikoi kaosin e trafikut në segmentin Milot – Mamurras deri në Rinas, duke adresuar kritikën te paaftësia profesionale e drejtuesve të Policisë së Shtetit, drejtuesve të Policisë Rrugore. 
Ja “opozita” e kryeministrit ndaj qeverisë, kryebashkiakëve socialistë dhe PS-së
1. Prisja nga Elisa Spiropali që të thoshte se cilët kryetarë të PS-së duhen shkarkuar sot, jo nesër, për faktin që nuk duan t’ia dinë fare që bashkëqeverisjen
2. Si mundet që sot, pas gjashtë muajsh, ne të kemi ende bashki, ku kryetarët e partisë nuk e kanë marrë vesh se çfarë duhet të bëjnë në këtë aspekt. Deputetët nuk janë zyra pune. 
3. Mirëpo këtu, partia çfarë bën? Ku është partia në këtë mes? Ku janë kryetarët e partisë? Ku janë zyrat e partisë?
4. Kryetarëve të partisë nuk u ka dhënë njeri, detyrën që të merren me punësime. Ka kryetarë partie që e bëjnë.
5. Ne nuk mund të themi sot, që e kemi mbajtur zotimin tonë deri më tani, që drejtimin e institucioneve do ta marrin më të mirët që ka komuniteti. Nuk e kemi mbajtur ende këtë zotim dhe kush paguan për këtë?
6. Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë e duhet ta ndajmë, cilat pjesë të qeverisjes sonë konsiderohen arrogante, sepse është e drejtë e, sepse ne bëjmë reforma që janë të dhimbshme dhe, cilat pjesë të qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë.
7. Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, për të kuptuar çfarë ne nuk bëmë si duhet. 
Ervin Bushati: Qeverisja ka probleme në të gjitha fushat
Sekretari i Grupit Parlamentar të PS-së, Ervin Bushati, ka komentuar në media zhvillimet e Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike, të zhvilluar dy ditë më parë. Deputeti Bushati pranoi se qeverisja ka probleme në të gjitha fushat. “Qeverisja ka probleme në të gjitha fushat. Dhe këtë e tha edhe kryeministri Rama, si një “mea culpa” e mazhorancës, duke vënë theksin tek përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve. – u shpreh Bushati
Erion Braçe: Lali, (Erion Veliaj) na thuaj ku të jetojmë?
Lali, na thuaj ku të jetojmë pa frikë, pa mbyllur penxheret që të mos na shohin e mos na dëgjojnë kur jetojmë! 17 vite më parë, kur hyra në shtëpinë ku jetoj, shihja lindjen e diellit, perëndimin e tij, më përplasej në fytyrë flladi i veriut! 17 vite më pas, unë jam në të njëjtën shtëpi. Por, nuk shoh më lindjen e diellit. Para 5 vitesh erdhi njeri që se njoh dhe ndërtoi 11 kate, ky pallati i bardhë, ngjitur me të erdhi Samiri dhe ndërtoi e po vijon ta ndërtojë këtë kullën, ende gri; nuk shoh më perëndimin e diellit. Para 6 vitesh erdhi Samiri dhe ndërtoi këtë shëmtinë 22 a 23 kate; nuk do më përplaset më në fytyrë në ballkonin tim, flladi i veriut. Bashkia Tiranë, në mars paska dhënë një leje për një përbindësh 12 kate, përballë, m’u në fytyrë për mua dhe thuajse po në surrat dhe komshinjve të mi! Shoh foton e përbindëshit dhe kuptoj se, duhet të lyej xhamat me bojë të zezë, që të mos më shohë ai që do banojë në përbindëshin e ri, të mbajë mbyllur përfundimisht penxheret, që të mos më dëgjoj kush nga ata që do popullojnë përlindshin e ri!
Pjerin Ndeu: Se di çfarë ju kushton 3-4 komisariateve të policisë të zbarkojnë me forca për të neutralizuar situatën?!
Një super kaos në trafik, Milot-Mamurras- Fushë Krujë deri në Rinas. Më duket se 1 maji paska qenë pushim për policët që rrallë shihet ndonjë. Këtë rrëmujë s’e kam parë kurrë sa mbaj mend, as në pikun e pushimeve! S’e di çfarë ju kushton 3-4 komisariateve të policisë të zbarkojnë me forca për të neutralizuar situatën?! E papranueshme dhe e papërgjegjshme kjo situatë!
Sigal