Zgjedhjet, LSI denoncon KQZ për zhvendosjen e qendrës së votimit në Dropull

451
KQZ vendosi të heqë qendrën e votimit në Dropull duke e çuar atë në ambientet e shtëpisë së kulturës në fshatin Grapsh në këtë bashki. Kjo ka sjellë edhe reagimin e nënkryetarit të LSI-së, Luan Rama, i cili në një dalje për shtyp, foli kundër këtij vendimi, madje e cilësoi të paramenduar dhe absurd. Rama ka shpjeguar edhe faktin se, përse është bërë një përpjekje e tillë, siç edhe e quan ai, tinëzare. Nënkryetari i LSI-së thotë se qendra e votimit që deri dje ka qenë në një nga shkollat me infrastrukturë të mirë, tashmë është dërguar në një ambient tejet të papërshtatshëm. Ai tha se pas këtij vendimi fshihet në prapavijë produkti i marrëveshjes së Rilindjes me aneksin e Rilindjes, pasi përfaqësuesit e të dyja partive të bëra një, asnjëherë nuk kanë zhvilluar mbledhje në këtë KZAZ me gjithë protestat dhe ngritjen e këtij shqetësimi që kanë bërë përfaqësuesit e LSI-së pranë trupave apo institucioneve të hierarkisë së zgjedhjeve. “Ndërkaq, shkolla e Jorgucatit i plotëson të gjitha këto kushte që përmenda më lart dhe përvoja e zgjedhjeve të mëparshme ka treguar se sigurimi i një procedure normale për zgjedhjet mund të bëhet vetëm në këtë ambient, pasi siguron edhe një territor të bollshëm për parim dhe është i tëri i rrethuar. Shkolla në fshatin Jorgucat ka ambiente të jashtme të bollshme, për vëzhguesit, për përfaqësuesit e partive dhe kështu me radhë. Ndërkohë në shkollën e fshati Jorgucat edhe ambientet e brendshme janë të gjitha të gatshme për të realizuar drejtimin e të gjithë procesit zgjedhor nga kjo KZAZ në mënyrë korrekte në përputhje me ligjin dhe me standardet që kërkon OSBE/ODIHR-i”, u shpreh Luan Rama.
Sigal