“Shteti nuk lufton piraterinë e autobusëve pa licencë”

210

INTERVISTA/ Flet Shpëtim Vrioni, Kryetari i Shoqatës të Transportit të Udhëtarëve të Shqipërisë për problemet e shërbimit të udhëtarëve

Zoti Vrioni, si është gjendja e transportit të udhëtarëve sot?

– Shoqata jonë, që nga 2009-ta, kur u ligjësua nga gjykata e Tiranës, ka bërë vazhdimisht një punë kolosale në drejtim të luftës të konkurrencës së pandershme të transportit të udhëtarëve. Më i prekshmi është transporti interurbanë. Ne si shoqatë, e kemi filluar punën tonë nëpërmjet komunikimit me institucionet e Ministrisë së Brendshme, me trekëndëshin Tiranë-Durrës-Shkodër dhe anasjelltas. Është me rëndësi të madhe të theksojmë se vetëm në aksin rrugor të transportit interurban Tiranë-Durrës- Tiranë lëvizin 2.500 studentë çdo ditë në të dy kahet. E theksojmë këtë për të dhënë një shembull, që të gjitha këto mjete të palicencuara, arrijnë deri aty, duke i sharë e kërcënuar studentët e pasagjerët për t’i zbritur nga autobusi i linjës dhe për t’i detyruar që të hipin në mjetet e tyre, të palicencuara dhe të pa dokumente. Fakti tregon që ne po marrim një shembull të thjeshtë që në aksin Tiranë –Durrës-Tiranë punojnë 85 mjete të palicencuara. Më 15 nëntor ne patëm një takim me ish-ministrin e Brendshëm, z. Nishani, i cili, pasi na dëgjoi, na ndihmoi, duke thirrur drejtorët e drejtorisë nëpër qarqe dhe duke u dhënë urdhër që të mos ketë më  raste të kësaj natyre në transportin e udhëtarëve. Në Durrës u arrit që të punohet mirë, nën drejtimin e shefit të policisë rrugore, Artan Osmani, por shikoj që ditët e funditshërbimet e caktuara nga ministri, atëherë, janë pakësuar.

– Problemet dhe vështirësitë, sipas jush, nga çfarë faktorë ndikohen?

– Faktori numër një është moskorrektësia në zbatimin e ligjit dhe korrupsioni në tre organet përkatëse: Policia rrugore, DPTRSH-ja dhe hetimi tatimor. Policia rrugore ka dalë krejtësisht jashtë loje. Sepse ka policë dhe drejtues policie që kanë mjetet e tyre në këtë transport piratesk të udhëtarëve. Për DPTRSH-në, u kërkojnë para në dorë shkelësve të ligjit të transportit të udhëtarëve dhe i lënë të lirë. Kur pyesin hetimin tatimor, përse nuk gjobit këto mjete të palicencuara që qarkullojnë, na thonë: “Nuk janë të regjistruar në organet tona hetimore”. Si ka mundësi, kur shteti humbet edhe TVSH-në dhe taksa të tjera nga piratët e transportit të udhëtarëve?- i pyesim zotërinjtë e hetimit tatimor, por ata nuk na përgjigjen. Kur, ndërkohë, sikur edhe një udhëtar të kemi në autobusët tanë pa biletë, hetimi tatimor na gjobit me 10.000 lekë të reja. Për parantezë, hetimi tatimor po të kapë një qytetar me 5 steka me cigare të pa tatuara, e procedon penalisht. Vaj me det në çfarë gjendje katastrofike kemi shkuar. Ju jap edhe një shembull konkretë. Që kur vjen dita të paguajmë këstet e tatimeve dhe taksave, të gjithë pronarët, gati sa nuk fillojnë e qajnë.

– Ju cilën zgjidhje mendoni dhe nga cilët institucione?

– I kërkojmë shtetit që të zbatojë ligjin, të zbatojë ligjin, të zbatojë ligjin që vetë ai ka miratuar. Të tre ministritë, ajo e Brendshme, e Transportit dhe e Financave të ushtrojë kontroll dhe të zbatojnë ligjet e shtetit. Shteti të mos e zbatojë ligjin me fushata, por duke ushtruar kontroll të vazhdueshëm në rrugë. I lutemi shtetit, që të mos qëndrojë indiferent dhe të mos arrijmë deri në acarimin e dhunshëm të problemeve tona, sepse me situatën e stome edhe raste të vrasjes kanë ndodhë. Jemi konfliktuar edhe në dhunë fizike me piratët e transportit të udhëtarëve. Por shikojmë që interesat e korrupsionit janë mbi vetë zbatimin e ligjit, sepse drejtues të organeve shtetërore kanë interesat e tyre në piratërinë e lëvizjes të udhëtarëve, kanë mjetet e tyre, të padokumente e të palicencuara, që qarkullojnë nën diktatin e forcës që u jep pushteti i shtetit që kanë në duar. U jap një shembull, që po të dojë shteti dhe bashkia, rregulli e ligji zbatohen brenda ditës. Në linjën urbane Kombinat-Kinostudio, nga Kombinati në “21 Dhjetori” u ndaluan brenda 24 orësh fugonët piratë të transportimit të pasagjerëve, sepse kishte interes të drejtpërdrejtë Bashkia e Tiranës dhe policia bashkiake vendosi rregullin e ligjin. Po kjo polici bashkiake, po të dojë, mund të vendosë këtë ligj edhe në tre dalje-hyrjet e Tiranës, edhe për transportin interurban. Bashkia dhe policia e saj nuk e bëjnë këtë, sepse nuk kanë interes e punojnë me preferenca.

-Faleminderit!