Shqipëria, votë kundër Gjykatës Europiane

431
Sigal

VOTIMI KUNDËR/ Debate të forta mes opozitës dhe maxhorancës mbi qëndrimin e delegacionit shqiptar në KiE për rezolutën e të përndjekurve politikë

Duket paradoksale që vetëm pak ditë para raport-progresit të Bashkimit Europian për Shqipërinë që publikohet sot kur, ne sipas të gjitha gjasave do të na jepet statusi i vendit kandidat, katër deputetët tanë të maxhorancës në Këshillin e Europës votojnë kundër rezolutës për të përndjekurit politikë, pra kundër Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Sido që të interpretohet nga Shpëtim Idrizi a ndonjë tjetër se kjo votë u hodh kundër për këtë e atë arsye, se kundër votuan edhe plot deputetë të Europës Perëndimore, etj., etj., thelbi nuk ndryshon dhe ai është ky: Deputetët tanë votuan kundër Europës! Si mund të besohet se gjykata e një vendi në lindje apo në perëndim qenka më e besueshme se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut? Vota jonë kundër bëhet edhe më e hidhur në këto momente kur në Shqipëri një grup ish-të përndjekurish politikë të kohës së diktaturës janë në një grevë urie prej gati tri javësh, ndërsa pardje një prej tyre i vuri flakën vetes! Një koincidencë jo e këndshme për eurodeputetët tanë që votuan kundër në KiE. Kjo tregon se sa të interesuar janë deputetët tanë për të drejtat e njeriut dhe sidomos për shtresën e të përndjekurve politikë. Por tregon edhe diçka tjetër: se persekutimi politik vazhdon edhe sot e gjithë ditën në një formë a në një tjetër. Këtë e bën me evident greva e ish-të përndjekurve politikë në Tiranë. Ishte pikërisht ajo grevë që ka rritur edhe ndjeshmërinë ndaj votimit të katër deputetëve tanë demokratë në KiE për Rezolutën e ish-të përndjekurve politikë. Dje gazeta jonë shkroi se politika shqiptare po ngrohet në zjarrin e ish-të përndjekurve. Dhe me këtë kishte parasysh të dy krahët e politikës. Sepse edhe socialistët nuk e dimë se çfarë do të bënin dhe çfarë jo për të përndjekurit më shumë se demokratët. Në këtë kontekst, përgjigja e Lajla Përnaskës është domethënëse kur kërkon nga socialistët që, para se të kritikojnë qëndrimin e maxhorancës në Strasburg, të sqarojnë opinionin publik pse kanë braktisur mbledhjet e Këshillit të Europës, sidomos tani që Shqipëria mban kryesimin e radhës. Debatet për këtë çështje vazhdojnë, por fakti gjithsesi mbetet: Shqipëria e dha votën e saj kundër Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, në një kohë që Europa përpiqet të na afrojë në gjirin e familjes së saj.

CILI ISHTE PARAGRAFI 3 I REZOLUTËS DHE AMENDAMENTI PËRKATËS ME NUMËR 2, PËR TË CILIN DELEGACIONI SHQIPTAR VOTOI PRO?

Për të krijuar një ide më të qartë për dallimin midis paragrafit 3 të Rezolutës dhe amendamentit 2, po japim formulimet e paragrafit 3 dhe të amendamentit 2:

A) paragrafi 3 i Rezolutës  thotë:

3. Asambleja riafirmon pranimin e kritereve te mëposhtme :

Një person i privuar nga liria e tij personale do te konsiderohet i burgosur politik nëse:

a. Nëse burgosja e tij është bërë duke dhunuar një prej garancive themelore të përmendura në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Protokollet e saj, në veçanti qe lidhen me lirinë  e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, lirinë e shprehjes e të informimit dhe lirinë e grumbullimeve dhe të krijimit të organizatave;

b. nëse burgosja është kryer për arsye vetëm politike po t’i referohemi verimit të kryer;

c. nëse për arsye politike, koha e burgosjes ose kushtet përkatëse janë në mënyrë të dukshme disproporcionale me aktin për të cilin personi është konsideruar fajtor ose që mendohet se ka kryer;

d. nëse për arsye politike personi është burgosur në kushte diskriminuese krahasuar me personat e tjerë; ose

e. nëse burgosja ka ardhur sipas një procedure që ka qenë në mënyrë të dukshme me parregullsi dhe që duket të jetë e lidhur me motive politike të autoriteteve.

B) Amandamenti nr. 2 që synon të zëvendësojë paragrafin 3 me formulimin e mëposhtëm:

Asambleja parlamentare konfirmon që interpretimi dhe aplikimi i të gjithë kritereve që lejojnë përkufizimin e të “burgosurit politik” te jetë kompetencë ekskluzive e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që është i vetmi autoritet i caktuar për të vlerësuar dhunimin e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore, siç janë të deklaruara në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe protokollet e saj.

Amendamenti nr. 2 është votuar :

89 pro

89 kundër

5 abstenime

Nga 89 që kanë votuar pro amendamentit 63 deputetë janë nga vendet e anëtare të BE dhe/ose NATO:

9 deputetë nga Spanja, 9 deputetë nga Turqia, 5 deputetë nga Çekia, 4 deputetë nga Anglia, 4 deputetë nga Greqia, 4 deputetë nga Shqipëria, 3 deputetë nga Italia, 3 deputetë nga Sllovakia, 3 deputetë nga Norvegjia, 3 deputetë nga Gjermania, 2 deputetë nga Belgjika , 2 deputetë nga Bullgaria, 2 deputetë nga Hungaria, 2 deputetë nga Andora, 2 deputetë nga Franca, 1 deputet nga Suedia, 1 deputet nga Holanda, 1 deputet nga Zvicra, 1 deputet nga Islanda, 1 deputet nga Polonia, 1 deputet nga Malta.