Shqipëria: Mbështetje integritetit të Ukrainës

529
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kiev (Ukrainë). Në takimin me homologun Klimkin, u shpreh mirënjohja e thellë për mbështetjen që ka dhënë Shqipëria për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si në aspektin bilateral, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu, ministri Klimkin falënderoi ministrin Bushati për linjëzimin e vendit tonë me qëndrimet dhe deklaratat e BE-së për Ukrainën. Nga ana e tij, Bushati rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës. Më tej, dy ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh dhe ndanë mendime për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore në fusha ku të dy vendet ofrojnë potencial për shkëmbime si bujqësia, turizmi, transporti, energjia, arsimi, kultura, etj. Ministri Bushati veçoi si një element të rëndësishëm dhe urë miqësie mes dy vendeve diasporën shqiptare që jeton në Ukrainë, si dhe vlerësoi autoritetet ukrainase për trajtimin e diasporës në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ai shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen e identitetit kulturor të këtij komuniteti të vogël që bashkëjeton me popullin ukrainas prej afro 300 vjetësh.
Sigal