Shqipëri-Rusi 2017-2019: Kumbaro dhe Medinskiy nënshkruajnë programin e bashkëpunimit në fushën e kulturës

442
Sigal

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nënshkruan me
homologun rus, Vladimir Medinskiy, Programin e bashkëpunimit në fushën e
kulturës Shqipëri-Rusi 2017-2019

Programi i bashkëpunimit u
nënshkrua me rastin e vizitës së Ministres Kumbaro në Forumin V Ndërkombëtar të
Kulturës në Shën Petërburg, ku ajo ishte ftuar për të marrë pjesë.

Forumi Ndërkombëtar i Kulturës i
Shën Petërburgut është një platformë e njohur shkëmbimesh të politikave
kulturore të nivelit të lartë, të përvojave më të mira ndërkombtare në fushën e
prodhimeve skenike, të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe një dialog i
hapur për të ardhmen e trashëgimisë botërore dhe bashkëpunimeve në lëmin e
artit.

Ministrja Kumbaro referoi në
panelin kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore ku morën
pjesë delegacione të nivelit të lartë nga Franca, Sllovenia, Greqia, Italia,
Serbia, Rusia, dhe Britania e Madhe.

Për gjatë dy orëve u shkëmbyen
përvoja të metodave të reja në ruajtjen dhe menaxhimin e promovimin e pasurive
kulturore nga vendet pjesëmarrëse.

Ministrja Kumbaro theksoi rolin e
rëndësishëm që luan promovimi i trashëgimisë kulturore për bashkëpunimin dhe
komunikimin me partnerët ndërkombëtarë dhe posaçërisht me Federatën Ruse, në
kuadrin e nënshkrimit të marrëveshjes kulturore,

Gjatë ditëve të Forumit, Ministrja
Mirela Kumbaro zhvilloi gjithashtu një leksion të hapur me studentë dhe
pedagogë të Universitetit të Shën Petërburgut, me temën “Komunikimi përmes
kulturës si faktor bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kohezioni social”.

Përmes një bashkëbisedimi të
drejtëpërdrejtë Ministrja Kumbaro foli për “potencialet e kulturës si ura që na
afrojnë, na mundësojnë të njohim Tjetrin përtej vetes dhe si e vetmja hapësirë
ku nuk kemi nevojë për viza sepse kultura është pasaporta më e mirë”.

Në këtë konferencë ishin
pjesëmarrës edhe studentë dhe pedagogë të gjuhës shqipe të këtij Universiteti
që për 60 vjet vijon me shumë pasion të ruajë mësimdhënien dhe punën kërkimore
në lëmin e albanologjisë. Ky ishte një takim shumë miqësor dhe premtues ku
Ministrja Kumbaro shprehu angazhimin e Qeverisë shqiptare për të mbështetur
këtë Departament përmes bashkëpunimeve më të ngushta me Universitetin e
Tiranës, si dhe nderoi punën e themelueses së Katedrës së Gjuëhs Shqipe në
vitin 1954, Agnija Desnickaja.

Me shumë interes ishte takimi i
Ministres së Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me Rektoratin e Universitetit
të Shën Petërburgut, gjatë të cilit u konfirmua sërish vullneti i këtij
Universiteti për të vijuar në vitin e ardhshëm me bursa për studentë shqiptarë,
si dhe u ideuan projekte të reja bashkëpunimi edhe në fushën e kulturës dhe të
biznesit me një nga Universitetet më prestigjioze të Federatës Ruse që sot
numëron mbi 35 000 studentë.

Forumi V Ndërkombëtar i Kulturës
zhvilloi punimet e tij nga data 1-3 dhjetor 2016. Ky Forum organizohet nga
Qeveria ruse, Ministria e Kulturës së Rusisë dhe Bashkia e Shën Petërburgut.