Shkëlqim Cani: “Pika më e fortë, programi”

512
Sigal

Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013 në Shqipëri. Rezultatet në Qarkun e Dibrës

Nga ana e vet deputeti i Qarkut të Dibrës i PS-së, Shkëlqim Cani duke treguar si gjithmonë modestinë e përkryerjes së vet, nuk pranoi të merrte mbi vete asnjë meritë personale, por ia atribuoi ato, platformës së Partisë Socialiste dhe punës në grup. Midis të tjerave ai tha se: “Unë mendoj që pika më e fortë e kësaj fushate ishte platforma dhe pikat e programit të Partisë Socialiste, të cilat përbëjnë një alternativë të fuqishme dhe të besueshme për nxjerrjen e vendit nga kriza e korrupsionit galopant, ku e ka zhytur qeveria e Berishës. Unë mendoj se banorët e Qarkut të Dibrës këtë radhë ishin krejtësisht të bindur në vërtetësinë e platformës tonë, e cila është bërë për të shpëtuar vendin nga kriza e rëndë ekonomike, por edhe nga aktet korruptove të zyrtarëve demokratë. Në këtë mënyrë, unë dëshiroj të falënderoj në mënyrë të sinqertë të gjithë votuesit e Partisë Socialiste, që votuan për mua dhe për kandidatë socialistë, duke u premtuar atyre se këtë votëbesim, do t’ua shpërblej me seriozitetin e punës time, në Kuvend, apo në çdo detyrë tjetër që do të më ngarkohet gjatë këtyre 4 viteve”.

Zgjedhjet

Në Qarkun e Dibrës për zgjedhjet e 23 Qershorit ishin të regjistruar 127.231 zgjedhës, por në votime shkuan vetëm 76.024 ndërsa numri total i vendeve të zgjedhjeve ishte 264. Qarku i Dibrës ka tre rrethe 1) Rrethi i Dibrës ka 1 bashki dhe 14 komuna, zgjedhësit e regjistruar 55.089, numri total i vendeve të zgjedhjeve 124. 2) Rrethi i Bulqizës ka 1 bashki dhe 7 komuna, zgjedhësit e regjistruar ishin 28.352 dhe numri total i vendeve të zgjedhjeve 56. 3) Rrethi i Matit ka 2 bashki dhe 10 komuna, zgjedhësit e regjistruar 43.790 ndërsa numri total i vendeve të zgjedhjeve 84. Në Qarkun e Dibrës janë marrë 6 deputet, 2 deputet PS, 1 LSI dhe 3 PD.

Deputetët e Qarkut Dibër

Partia Socialiste  – 2 deputetë

– Shkëlqim Cani, Ulsi Manja

Lëvizja Socialiste për Integrim – 1 deputet

– Përparim Spahiu

Partia Demokratike – 3 deputetë

– Sherefedin Shehu, Bedri Hoxha, Roland Keta

Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013 në Shqipëri. Rezultatet në Qarkun e Kukësit

Vexhi Muçmata: “Suksesi i Kukësit, i dedikohet Programit të Rilindjes”

Deputeti socialist i Qarkut të Kukësit, Vexhi Muçmata u shpreh se, me votën e tij, elektorati kuksian ka vendosur të mbështesë Partinë Socialiste për reformat europianiste që do të ndërmarrin të majtët në këtë qark. Midis të tjerave ai tha se: “Përmbysja e rezultatit të viteve të kaluar në Kukës është në radhë të parë meritë e drejtimit të Partisë Socialiste, e programit të saj largpamës, si edhe e strukturave të bazës, të cilët punuan natë e ditë për të arritur në këtë miratim popullor që shprehet me anë të votës. Me këtë rast unë i falënderoj dhe i jam mirënjohës të gjithë atyre që votuan për fitoren tonë dhe u them se nëpërmjet kësaj vote ata mundësuan shpëtimin e Shqipërisë, nga kriza ku e kishin çuar rivalët tanë, të Partisë Demokratike. Unë mendoj se nëpërmjet kësaj vote ata i thanë jo korrupsionit dhe aferave korruptive, duke përkrahur integrimin dhe europianizimin e vendit tonë. Për këtë arsye them se Kukësi, i cili deri tani është ndjerë i zhgënjyer nga parullat e PD-së, shumë shpejt do të ketë përmirësimet e duhura për mbarëvajtjen e punëve”.

Zgjedhjet

Përfundoi numërimi i votave edhe në Qarkun e Kukësit. Numri i deputetëve të marrë është 4, ku 1 mandat e ka marr PS, 2 PD dhe 1 LSI. Mandatet e PS-së përkthehen në 11 348 vota, mandati i LSI-së përkthehet në 5654 vota, ndërsa mandati i PD-së, përkthehen në 22 273 vota. Ky qark në këto zgjedhje pati 77.072 zgjedhës të regjistruar, ndërsa numri total i vendeve të zgjedhjeve ishte 169. Qarku i Kukësit ka tre rrethe. 1) Rrethi i Kukësit, i cili ka 1 bashki dhe 14 komuna. Për këtë rreth zgjedhësit e regjistruar ishin 41.806 ndërsa numri total i vendeve të zgjedhjeve 88. 2) Rrethi i Hasit ka 1 bashki dhe 3 komuna. Nr i zgjedhësve të regjistruar ishte 14.503 ndërsa numri total i vendeve të zgjedhjeve 31. 3) Rrethi Tropojë ka 1 bashki dhe 7 komuna, zgjedhësit e regjistruar ishin 20.763 dhe numri total i vendeve të zgjedhjeve 50.

Deputetët e Qarkut të Kukësit

Partia Socialiste – 1 deputet

– Vexhi Muçmata

Partia Demokratike – 2 deputetë

– Flamur Noka, Besnik Dusha

Lëvizja Socialiste për Integrim – 1 deputet

-Apostol Goçi