SHISH kërkon më shumë fonde në 2018/ Sterkaj i “kthehet” Felajt: Mos u sill si mësuese

486
Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka diskutuar në mbledhjen e sotme projektbuxhetin për vitin 2018, për SHISH. Duke u ndalur tek nevojat ku duhet të fokusohet buxheti për këtë institucion për vitin e ardhshëm, drejtori ekonomik në SHISH, Ylvi Aga, u shpreh se duhet të bëhen disa ndryshime në projektligj, si dhe ka kërkuar më shumë fonde.
Aga ka kërkuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar. “Mund të dalin informacione të klasifikuara”, ka thënë Aga.
Qeveria kishte parashikuar 1.5 miliardë lekë për këtë institucion, por SHISH kërkon fonde shtesë për godina dhe shpenzime operative (paga, përgjime).
Në fund të mbledhjes është votuar për rishikim të buxhetit për SHISH, duke shqyrtuar edhe kërkesat për rritje të fondeve.
Drejtori ekonomik në SHISH (Ylvi Aga): Qeveria ka parashikuar që nga kërkesa që ne kemi bërë për këtë vit të japë më pak fonde.
Ervin Salianji: Drejtor kam një pyetje për ju. A mund ta realizoni punën tuaj në kushte kur jua përgjysmojnë fondet? Në kushtet ku jemi, mendoj se institucioni i SHISH, duhet të marrë jo vetëm fondet e kërkuara, por edhe shtesë në gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Ermonela Felaj: Z.Salianji kërko fjalën përpara se të ndërhysh.
Sterkaj kërkon të marrë fjalën, por Felaj e ndalon.
Paulin Sterkaj: Mos na u sill si mësuese në komision. Edhe unë mendoj që për të ardhmen e fëmijëve tanë duhet të heqim nëse është e nevojshme edhe heqja e fondeve për ndonjë institucion tjetër, përballë të ardhmes së fëmijëve tanë. SHISH është një institucion shumë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.
Sigal