Shembulli i Kroacisë dhe çfarë është rasti “Sanader”

75
Rasti i hetimit të ish-kryeministrit kroat, Ivo Sanader dhe kompanisë të njohur FIMI MEDIA ka nisur nga informimi i vazhdueshëm në media. Gazetarët raportonin që Sanader mbante ora dore shumë të shtrenjta, një prej të cilave mendohej se vlente mbi 100 mijë euro. Hetimi ka nisur pas indicieve të para dhe ishte shumë i vështirë grumbullimi i provave. Hetimi u krye nga një skuadër, që konsistonte nga 7 prokurorë. Është arritur të merren fakte të rëndësishëm, që çuan në konkluzionin se ish-kryeministri ishte përfshirë në aktivitete korruptive kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm janë kontaktuar ku kanë dhënë fakte shumë të rëndësishëm, veçanërisht për fillimin e procesit. Fakte dhe prova janë verifikuar për marrjen e të dhënave të nevojshme. Gjatë hetimit janë marrë në pyetje më tepër se 500 persona, disa prej tyre më shumë sesa një herë në mënyrë të përsëritur. Një prej tyre, bashkëfajtor me ish-kryeministrin, është Mladen Barisiç dhe është pyetur 19 herë, pasi prokurorët nuk besonin në deklaratat e tij. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës të vendosë monitorim me kamera dhe audio regjistrime. Gjithashtu, një hetim i hollësishëm financiar është kryer lidhur me pasurinë e Sanader. Ka pasur një bashkëpunim me agjencinë e parandalimit të pastrimit të parave të pista, administratën tatimore dhe ndihmë të veçantë ligjore nga Austria dhe SHBA. Është kërkuar heqja e imunitetit të Sanader, për të cilin Parlamenti ka vendosur menjëherë. Ai është arrestuar në Austri, më 10 dhjetor 2010 dhe është ekstraduar në Kroaci për veprime të mëtejshme procedurale. Ish-kryeministri për këtë çështje është dënuar me 8 vjet heqje lirie.