Sfilata e parë, më e bukura dhe emocionuesja

536
Sigal

INTERVISTA / Flet ish Miss Shqipëria 2009 dhe modelja Rovena Domi

Rovena është një vajzë inteligjente, e bukur por dhe shumë kërkuese, ambicioze. Arritjet e saj në fushën e modelingut nuk janë të rastësishme, pasi ajo krahas modelingut studion edhe për juriste. Gjithmonë e gjen në aktivitete dhe nuk e harxhon kohën kot. Larg veseve, si pijet, por e dhënë shumë pas palestrës për të ruajtur linjat e trupit. Ka objektiva të caktuara në jetë, por dyert e suksesit nuk e mohon se përkojnë me konkursin Miss Shqipëria 2009.

 -Si erdhi konkurrimi për Miss tek Rovena?

Konkurrimi për Miss ka qenë një dëshirë dhe ëndërr e imja që  në fëmijëri. Mund të them se në kohën kur e ndjeva veten të sigurtë për këtë konkurrim e realizova me sukses.

 –Kush ishte nxitësi kryesor?

Faktori nxitës kryesor ka qenë pa dyshim familja ime, e cila më ka dhënë mbështetjen e duhur në këtë rrugë.

    -Çmimi që morët dhe si u ndjetë pas çmimit?

Çmimi që mora ishte “Miss Fotozhenia” në Gjermani në eventin ndërkombëtare të bukurisë “Miss Queen of the World” si përfaqësuese e Shqipërisë. U ndjeva shumë e vlerësuar nga pikët e jurisë si dhe çmimi.

 -Kush ju përgëzoi i pari për çmimin?

Komplimentet dhe përgëzimet kanë qenë të shumta nga të gjithë, por përgëzimet e para kanë qenë nga miqësia ime.

 -Kur ka filluar si modele Rovena dhe kush ju ka ofruar për herë të parë?

Fillimet në këtë fushë për mua kanë si pikënisje eventin e bukurisë “Miss Shqipëria” në vitin 2009 ku unë konkurrova. Më pas çdo gjë erdhi në rritje.

 -Si jeni ndjerë në momentin e sfilatës së parë dhe çfarë modeli keni prezantuar. Çfarë moshe kishit?

Sfilatat e para ishin shumë të bukura dhe emocionuese njëkohësisht, pasi, si në çdo fillim nuk isha mësuar shumë me skenën. Kemi prezantuar veshjet e stilistes së njohur Rezarta Skifteri. Tashmë u bënë rreth 3 -4 vjet. Atëherë isha adoleshente ….

 -Sa e vështirë është sot të jesh modele?

Si çdo fushë tjetër edhe modelingu ka mangësitë apo problematikat e saj. Duhen përmirësuar disa aspekte kryesore të tij si pagesa, organizimi, etj.

 -A jeni e kufizuar nga jeta private me këtë profesion?

Kufizime ka sigurisht p.sh në fundjava kur ka organizime për sfilata apo duhet të realizosh një set fotosh nuk ke kohë të mjaftueshme për jetën private.

 -Kur e keni ndjerë veten me keq në profesionet tuaja?

Se di nuk më vjen ndërmend ndonjë çast kritik deri tani ndjehem shumë mirë me profesionet.

 -A jeni e detyruar të mbani dietë dhe cila është dieta juaj?

Dieta strikte jo, por kujdesem ndaj ushqimit. Nuk duhen konsumuar pije gazuese apo ushqime të yndyrshme. Pa harruar që faktori kryesor për të qenë në formë është palestra të cilës i kushtoj shumë rëndësi.

 -A ka moshë ky profesion?

Sigurisht që ka moshë dhe në vendet më të zhvilluara në modeling ka një limit të caktuar. Mosha e duhur për këtë profesion vijon nga 18-26 vjeç.

 -Cilat modele me famë botërore janë idhull për ju?

Modelja Adriana Lima dhe Irina Shayk.

 -Një përkufizim për dashurinë?

E vlerësoj shumë si ndjenjë, por nuk e përkufizoj dot.

 -Mendimi juaj për bashkjetesën?

Mendimi për bashkëjetesën është më se pozitiv e mbështes, si një etapë dhe fazë e nevojshme për t’u kaluar para se të ndërmerren vendime përfundimtare.

 -Jeni supersticioze?

Jo, nuk jam nuk i besoj gjërave të tilla, por atyre reale dhe objektive.

 -Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Marrëdhënia me kuzhinën, kur kam kohë t’i përkushtohem asaj është shumë e mirë. Kur dua, gatuaj vërtet shkëlqyer. Kuzhina e preferuar janë disa, por po përmend makaronat me fruta deti, peshku etj….

 -Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Nuk kam ndonjë moto specifike çdo gjë në jetë duhet të jetohet natyrshëm dhe pa komplekse.

 -Një ditë pune e zakonshme?

Një ditë pune e zakonshme fillon në mëngjes dhe përfundon mbasdite nëse ka të bëjë me profesionin që kam zgjedhur “juriste”. Pra mëngjesi është në zyrë ndërsa ka të bëjë me artin me siguri që një ditë e tërë më shkon duke bërë foto për revista.

 -Ku preferoni t’i kaloni pushimet?

Pushimet i adhuroj sidomos në Spanjë, Miami, Gjermani etj.

 -Veshja e preferuar?

Veshjet klasike, kryesisht fustanet që të tregojnë me së miri linjat, pa harruar edhe takat haha.

 -Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Vlerësoj shumë  inteligjencën dhe arritjet e tij në jetë, ndërsa kritikoj mungesën e vullnetit, besimit në vetvete, iniciativave etj.

 -Keni ndonjë peng në jetë?

Jam shumë e re për pengje në jetë. Deri tani dëshirat dhe ëndrrat më janë realizuar.

 -A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Vlerësimi është subjektiv varet sa e aftë je t’i arrish vlerësimet pozitive. Por, mendoj që ka mjaft femra të suksesshme në karrierë dhe në jetën e tyre private. Në Shqipëri çdo gjë është në progres.

A jeni e dashuruar?
E theksova më lart “dashurinë”e vlerësoj shumë si ndjenjë. Pa të nuk je asnjëherë e plotë dhe një vlerësim i tillë e tregon më mirë përgjigjen…

 -Kur ndiheni më mirë, kur ju thonë jeni simpatike apo jeni inteligjente?

Ndjehem më mire sigurisht kur më thonë “jeni inteligjente” apo më mirë akoma kur thuhen të dyja.

-Cilat janë planet tuaja në sirtar në marrëdhënie me idetë profesionale?
Planet në sirtar janë të shumta duke i nisur nga shtatori kryesisht kanë të bëjnë me studimet e juridikut.