Artistja e famshme italiane Loretta Goxhi, mbesë në Borshin e Sarandës…

1613
Sigal

Ekskluzive nga Fiqiri Goxhi njeriu i afërt i Loretta Goxhit, artistes së madhe italiane me origjinë shqiptare

 Fiqëri Goxhi është një intelektual i mirënjohur në Vlorë, me kulturë të gjërë, që ka drejtuar institucione të rëndësishme. Është shkrimtar, madje i njohur si “Çajupi i Vlorës”, nga krijimtaria e tij e fundit “Elegji për Dianën”..  Ai rrëfen për herë të parë, ekskluzivisht për “Telegraf”, shqetësimin e tij, që tashmë pas 20 vitesh përpjekje të tij, është shndërruar në brengë. Gjithçka lidhet me mbesën e tij që jeton në Itali, artisten e famshme Loretta Goxhi. Ai rrëfen letrën që i ka dërguar artistes fill pas viteve ‘90, pemën e fisit të dëgjuar Goxhi nga Borshi i Sarandës, bëmat e burrave të këtij fisi, që janë shquar për bukuri dhe intelekt, duke u ndalur tek gjyshi i Loretës, Rexho Goxhi. Fiqëriu i jep me detaje historitë e burrave të fisit, përgjatë 7 brezave, për të mbërritur deri në ditët e sotme, djali i së cilës është fejuar me vajzën e ish-Presidentit Bamir Topi. Duke e bërë publike këtë brengë, sipas tij jo pse Loreta është një artiste e famshme në Italinë fqinjë dhe sigurisht kjo është krenari për fisin dhe Shqipërinë, por për faktin tjetër se ajo duhet të njohë të afërmit e saj që ka në Shqipëri dhe të mësojë se vendlindja e gjyshit të saj Rexho, është Borshi i Sarandës.

 -Z. Fiqëri, duke ju falënderuar që këtë intervistë e jepni ekskluzivisht për “Telegraf”, dëshiroj ta fillojmë bisedën me pyetjen. Cili është fisi Goxhi, çfarë dokumentesh dispononi?

Sikurse e shihni unë kam një dosje me dokumente, data, foto, me aktivitetin e disa nga burrave të këtij fisi, është hartuar saktë pema e fisit, ku përfshihen 7 breza. Gjithçka ka ardhur në duart e mira e ruajtur me kujdes nga stërgjyshi, gjyshi, babai dhe unë Fiqiriu do t’ia kaloj tim biri.

 -Dëshiroj ta fillojmë duke sqaruar se nga rrjedh mbiemri Goxhaj. Ka ndonjë histori mbiemri fisit tuaj?

Këtë desha t’ju them. Një gojëdhënë thotë se, i pari i fisit, shtatë breza më parë, që nuk kujtohet emri, ka qenë një burrë shumë i pashëm dhe kur e shihnin njerëzit thonin: Goxha burrë. Behet fjalë 5 shekuj më parë se tre shekuj është gjyshi im. Por, kjo “Goxha”, ka kaluar nga një brez në tjetrin pasi burrat e këtij fisi, sikurse ju disa i njihni, janë të gjatë dhe shumë të pashëm.

 -Dukë parë pemën e fisit, çfarë mund të veçoni?

Kjo skicë është bërë nga gjyshi im, Xhelil Goxhi, që i përket vitit 1870. Që këtu mund të nis të shpjegoj. Gjyshi im, Xhelili, vëllezërit e tij Rexho dhe Muslimi, që janë djemtë e Tahir Goxhit, në vitin 1908 vendosën që të shkonin në Turqi. Gjyshi im kishte gruan, djalin dhe vajzën në Shqipëri dhe nuk qëndroi ndërsa Rexho dhe vëlla  tij Mysliu, shkuan në Stamboll dhe u vendosën atje. Mysliu ishte i martuar këtu, la edhe dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Rexho, pra vëllai i gjyshit tim, ka qenë një djalë shumë i bukur. Ndoshta edhe për këtë shkak, ai është vendosur menjëherë në punë, në një kafaz në një konsullatë në Stamboll. Sikurse dihet nga i gjithë fisi, në këtë kohë, ai dashurohet me një vajzë greke, gjë që nuk e dëshiroi askush dhe iu kërkua që të mos martohej me të, por në të vërtetë ai u martua. Ishte ky shkaku që të gjithë guxhollarët e braktisën dhe i thanë të kemi bërë lanet, sepse na prishe fenë. Megjithëse ndodhi një farë ndarjeje, përsëri gjyshi interesohej për të vëllanë. Ai mësoi se, Guxho mori gruan greke dhe iku në Greqi më pas u vendos përfundimisht në Kajro, Egjipt.

 -Ku bazoheni?

Këtë e dinte shumë mirë edhe im atë, jo vetëm kaq, por atje e ka gjetur edhe një njeriu ynë, që shkonte atje e shiste qitro për pashkët. Bëhet fjalë në vitet 30-të. Kaq dihej, por nuk kishin korrespodencë.

 -Kush janë burrat më në zë të fisit Goxhi?

Të ndalemi tek kjo foto, që është bërë në Berlin në vitin 1933, ku janë tre burra. Ai që është ulur, quhet Lano Goxhi-Borshi, është xhaxhai i babait tim. Historia e njeh si fanolist, madje ai ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes në periudhën e Fanolit. Është pikërisht personi që i ka bërë gjyqin Ahmet Zogut dhe e ka dënuar me vdekje, ka qenë jurist në profesion. Personi tjetër është Dr. Omer Nishani dhe në të djathtë të tij, është Heroi i Popullit Halim Xhelo. Ata kanë dalë në Berlin, ku detyrohen të largohen pas rrëzimit të Qeverisë së Nolit dhe gjetën strehë në Gjermani. Ata morën pjesë në Konare dhe kanë qenë në shoqërinë e Gjergj Dimitrovit, Vilhem Pikut OtoGrotovorit. Kur u dogj Raishtagu, të tre këta, u cilësuan komunistë dhe kërkonin me çdo kusht që Hitleri t’i fuste në burg. Në këto rrethana ai shkoi u strehua tek e motra në Turqi, ndërsa dy të tjerët shkuan në Bashkimin Sovjetik. Lano nuk u martua, qëndroi tek e motra, e mbajtën nipërit me mallin për vendin e tij. Kam një detaj, që e thotë im atë. Në vitin 1968, im atë, Subiu, i dërgon një peshqesh nga Shqipëria, ku kishte  paketa “Arbëria”, “Partizani dhe Durrësi special. Pasi ka marrë dhuratën, ai dërgon një letër ku shkruan: “ I dashur nipi im Subo, e mora pakon që më dërgove dhe sa thitha cigaren “Arbëria” ndjeva aromën e Portokalleve të Borshit tim, për të cilin më dogji malli.

 -Për ndonjë figurë tjetër?

Dëshiroj të them dy fjalë për tim atë, Subi Goxhi. Çuditërisht dëgjova emisionin ”Opinion”, që drejton gazetari Fevziu, i cili është shprehur se fisi Goxhi, ka qenë armik i betuar i Mbretit Zog. Kjo ka një të vërtetë. Në vitin 1931, im atë, bashkë me të atin e Heroit të Popullit Perlat Rexhepi, me të atin e Petrit Hakanit dhe një tjetër, bënë grupin e oficerëve të shkollës së plotësimit në Tiranë. Pasi përfunduan studimet ata do të dilnin aspirantë e kryetar komune. Këta djem bashkë edhe me dy të tjerë, dolën në pritë që ta vrisnin Zogun, por dështuan. Pas kësaj i futën në burg, dolën në gjyq, por nuk gjetën provat që të dënoheshin me burg. Kësisoj, tim atë e internuan përgjithmonë në Borsh, që të mos kthehej më kurrë në qytet edhe pse ishte i shkolluar. Qëndroi atje deri më 1939.

Im atë ishte nënkryetar i Prefekturës së Fierit, ku ka dhënë kontribut në ndihmë të luftës për çlirimin e vendit. Figurë e rëndësishme është Gani Goxhi, Kolonel i Ministrisë së Brendshme, së fundmi Drejtor i Akademisë së shkollës së Ministrisë së Brendshme. Ai ka tre vajza, njëra, Miranda është krushka e ish- Presidentit Bamir Topi, pasi djali i saj është fejuar me vajzën e madhe të tij.

 -Tani të ndalemi tek brenga që keni, që nuk po lidheni me mbesën, sikurse thuhet nga Vlora, artisten e famshme italiane Loretta Goxhi. Si e mësuat që është mbesa e Rexho Goxhajt?

Sigurisht, kjo është e mbështetur në fakte dhe jo thjeshtë nga mbiemri. Kur doli Ganiu në pension shkoi në Turqi, për të takuar të afërmit, që i kish ndarë sistemi. Atje goxhallarët i thonë: A e dini ju se Rexho ka një mbesë, që është këngëtare me famë në Itali dhe emrin e ka Loreta Goxho, madje ajo vjen shpesh në Turqi për punët e saj. Pas kësaj unë mora përsipër t’i dërgoj një letër.

 -Cfarë i shkruajtët dhe cila ishte përgjigjja e letrës?

I tregova pemën e familjes, duke i shpjeguar se gjyshi i saj Rexho, ishte vëllai i gjyshit tim, se kemi të njejtin gjak. Të vetmen gjë që të kërkojmë, i theksova në letër, është që të vish të njihemi, të shohësh Borshin, ku ka lindur gjyshi yt dhe ku është origjina e të parëve tuaj. Letrën ia dërgova në adresën e TV Rai, ku ajo punonte dhe jam i sigurtë që e ka marrë, e ka lexuar, por që nuk ktheu asnjëherë përgjigje. Kemi 20 vjet që presim, por ajo nuk bëhet e gjallë. Për këtë nuk na vjen mirë, pse e kemi shumë të afërt dhe duam të njihemi. Ndoshta duke e bërë publike në gazetën “Telegraf” Loreta do të bëhet e gjallë dhe do të vijë mes njerëzve të afërt të saj.

 Çfarë përpjekje keni bërë më tej. Dini ku është i ati saj, se ndoshta me të mund të bëhej më i lehtë takimi?

Jam interesuar në të gjitha mënyrat dhe verifikuam që babai i saj, është gjallë, quhet Xhulio,se ai ka edhe dy vajza, njëra quhet Daniela, që edhe ajo kontribuon në fushën e artit dhe tjetra Lili. Flitet se babai i saj punon në Parlamentin Italian, por nuk jemi të sigurtë. Sa jemi të informuar, Loretta është martuar së fundmi, pasi e kemi parë në TV italiane. Loreta është e datëlindjes 1950, kurse Daniela 1953.

 -Do ta lini me kaq interesimin ndaj artistes italiane, kushërirës tuaj Loretta Goxhi?

Në të vërtetë jam disi edhe i mërzitur, pasi ne jemi patriotë dhe e duam shumë vendin tonë. Ja kam theksuar Lorettës, po e ritheksoj publikisht se unë dhe fisi, që mezi presim ta shohim Lorettën, nuk kemi asnjë nevojë dhe interes, na thërret gjaku. Të them të drejtën u shqetësova, që në CV e saj, që ndodhet edhe në internet, Loreta nuk përmendte as të atin dhe as gjyshin e saj, pa lere të bëhej fjalë për origjinën e tyre. Nuk mund të kuptohet pse ndodh kjo. Kam vënë edhe njerëz të afërm që jetojnë në Itali, që janë angazhuar për vite të tëra dhe mos interesimi i saj do të thotë: Jo

 -Ndoshta nuk ka dijeni, nuk ka marrë letrën apo nuk kanë shkuar zërat deri në veshin e saj?

Jam i bindur që e di çështjen, por ka gjykuar të mos përzihet.

 -Ndonjë të dhënë tjetër?

Përpos kësaj, më ka ardhur një fakt tjetër. Në Romë është një firmë shumë e dëgjuar që e ka emrin “Borshi”, prodhon pije të ndryshme. Pronari i saj është nga Borshi. Në vitin 1990 ka shkuar një delegacion nga Shqipëria, ku ka qenë edhe ish-sekretarja e Komitetit Ekzekutiv të Vlorës me mbiemër Shtylla, ka qenë edhe Hulsi Izmo, kushëriri im nga Fyterra që ishte në Ministrinë e Jashtme. Pronari ishte shprehur se ishin me origjinë arvanitas dhe se kishin ardhur aty që në kohën e Skënderbeut dhe për respekt të vendlindjes së të të parëve, që ishin me origjinë nga Borshi, kishin vënë atë emër. Pra të bën përshtypje që ata që nga koha e Skënderbeut dhe nderojnë vendlindjen e të parëve.    Nuk ndjehemi mirë kur artistet e tjera si Ana Oxa, apo Rafaela Kara, thjeshtë se janë  produkt i një dashurie shqiptare, pranojnë origjinën nga Shqipëria, ndërsa Loretës, i ka lindur gjyshi, ka tërë fisin e të atit në Borsh të Sarandës. Nuk jam në gjendje ta kuptoj.

 –Për Anna Oxa dihet, po për Rafaela Kara, nuk ka ndonjë të dhënë që ka babanë shqiptar. Ku e keni gjetur këtë argument, që e bëni publik?

Kur operova tim vëlla në spitalin civil të Tiranës, ne sektorin e Neurologjisë në Kirurgji, mjeku më tregoi historinë. Ai kishte një kolege aty, mjeke, që i kish treguar historinë, që e dinë të gjithë. Rafaela Kara, ka ardhur në Ministrinë e Brendshme për të marrë dokumentin për atësinë e saj, pasi kërkonte të bëhej senatore në Parlamentin Italian.

Babai i saj është Refat Karaj nga Kruja, por që banonte në Durrës. Në vitin 1931 bënte tregti në Itali. Ka qenë burrë i bukur dhe ra në dashuri me një italiane, të cilën e la shtatzënë dhe lindi një vajzë. Pastaj filloi lufta dhe detyrimisht do të bëhej ndarja. Nëna e saj, në respekt të dashurisë me shqiptarin i vuri emrin Rafaela Kara, që do të thotë Refat Karaj. Madje kur vdes nëna e Rafaelës, lë një libër, ku thuhet se sekreti më i madh i jetës është ky: Kam dashuruar djaloshin shqiptar Refat Karaj dhe me të linda vajzën, që në respekt të dashurisë me të i vura emrin Rafaela Karaj.….

 Kush është Loretta Goggi

Me origjinë nga Circello, që e vogël, Loretta Goggi mori mësime për kanto e muzikë, këto pasione, ajo i trashëgoi nga i ati. Në fillim të viteve ‘60, ajo regjistroi këngën e saj të parë, e shkruar nga Nico Fidenco, për filmin francez “Gjak në kokë”. Mori pjesë në xhirimet e fotoromaneve, me zërin e saj mori pjesë në edicionet Paoline. Megjithëse shumë e re, ajo mori pjesë në shumë filma televizivë të RAI. Në fillim të vitit 1965, pasi kishte marrë pjesë në 30 prodhime kinematografike, vazhdon të marrë pjesë në emisionet televizive. Loretta Goxhi, prezanton specialin televiziv “Takim” me Lucio Battisti, Ylli i skenës Claudio, Nokturn pranveror, si dhe Radio për shkollat. Ajo ishte në krah të Pippo Baudo në Gjuetia e zërave, mori pjesë në imitime të ndryshme në radio si dhe prezanton shumë spektakle televiziv. Bashkë me të motrën Daniela mori pjesë në “Ballo boomerang”. Pipo Baudo, pasi zbuloi aftësitë e saj të shkëlqyera si interprete, gjatë një emisioni radiofonik e zgjodhi si partnere të tij në edicionin 1972-73 të Canzonissima.
Loretta Goggi, pasi shpalosi talentin e saj jo vetëm si prezantuese, ajo u pëlqye shumë nga publiku edhe për imitimin e shkëlqyer të këngëtareve si Mina, Patty Pravo e Ornella Vanoni. Me 1976 kthehet në RAI me spektaklin “Nga çasti i parë që të pashë” me Massimo Ranieri. Në 1981 merr pjesë në Festival di Sanremo me këngën e saj më të njohur “Maledeta Primavera”, renditet e dyta në klasifikim dhe bëhet një himn ndërkombëtar. Pas viteve ‘90 Loretta Goxhi punon në Telemontecarlo, prezanton Festa e ditëlindjes, në Mediaset me Mike Bongiorno prezantojnë katër edicione të Viva Napoli. Në 1999 është protagoniste në Canale 5 me programin Çmendurisht të dashuruar, transmetuar për Shën Valentinin. Në tetor të këtij viti, Loretta i kthehet televizionit, për herë të parë pas humbjes së bashkëshortit Gianni Brezza si e ftuara e Carlo Conti në programin “Vitet më të bukura”. Gjatë mbrëmjes u kremtua 50 vjetori i karrierës së saj. Në pranverën e vitit 2012 është pjesë e jurisë në programin muzikor Tale e Quale Show në Rai .