Servet Pëllumbi: Brezi i 18-19 vjeçarëve që voton për herë të parë, të vlerësojë rëndësinë e votës

48
Ata 18-19 vjeçarë, që në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, do të votojnë për herë të parë, as nuk mund ta imagjinojnë, se 19 vjet më parë, saktësisht në 26 maj 1996, opozita e sotme PD, atëherë në pushtet absolut me disa aleatë të djathtë ballistë, republikanë, legalistë etj., la si gjurmë në historinë shqiptare të zgjedhjeve post-komuniste, “damkën” e vjedhjes dhunshme të votës së lirë e të dhunës shtetërore mbi opozitën e cila protestoi për masakrën zgjedhore gjatë fushatës dhe ekstremisht në ditën e votimeve. Kishin kaluar 5 vjet nga zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991 në Shqipëri, kur komuniteti ndërkombëtar kishte zbarkuar në Shqipëri dhe priste me shpresë të zhvillohej i parë proces zgjedhor me standarde demokratike. 
– Profesor, sot është 26 maji, data që 19 vite më aprë, u damkos me ngjarjen e rendë të zgjedhjeve që u vodhën e u gjakosën nga ish-pushteti i PD, na thoni diçka për atë “histori”…
Ajo datë, ajo ngjarje e rëndë për shoqërinë, për politikën për shtetin dhe demokracinë 4 vjeçare shqiptare (viti 1996), nuk duhet harruar, duhet përçmuar edhe sot, por nuk duhet përsëritur. Me shumë se një krim politiko-shtetëror ndaj votës dhe opozitës, ishte një turp që damkosi Shqipërinë, turp e krim që nuk ndodhi as në Dhjetor ‘90 dhe as në 31 mars 1991, kur Shqipëria nisi rrugën e demokracisë. Ata që e bënë atë trup e krim, do të ndëshkohen nga historia. Ata që e kujtojnë, kryejnë një shërbim ndaj mos përsëritjes së atij akti barabar. 
– Ju profesor, ishit drejtuesi de fakto i PS dhe opozitës në vitin 1996, që në protestën për votën e lirë në 28 maj, u dhunuat egërsisht nga ish-pushteti, si e keni fiksuar atë moment? 
Ishte një moment tepër i vështirë, më tepër jo për mua personalisht, se sa për shqiptarët, që gjendeshin përballë një pushteti mizor, i cili nuk pranonte votën e lirë, nuk njihte dhe nuk lejonte popullin të votonte sipas vullnetit, nuk lejonte opozitën të komunikonte me popullin dhe të mbronte votën e lirë. Gjej rastin, që edhe sot pas 19 vitesh, të shpreh mirënjohjen time, për socialistët që u përballën me dhunën policore në mbrojtje të votës dhe demokracisë.
– Po përmendni shpesh votën, përse?
E përmend, sepse duhet vlerësuar rëndësia që ka vota e lirë e secilit shqiptar, sepse duhet ndjerë përgjegjësia politike, shtetërore, ligjore e shoqërore, për të mos e përdhosur e shkatërruar përmbajtjen dhe funksionin shoqëror e demokratik të votës së lirë. Duhet mbajtur mirë parasysh, rëndësia dhe fuqia që ka vota e lirë!
– Më 21 qershor 2015, voton për herë të aprë edhe brezi që ka lindur 18-19 vite më parë, kur ju si opozitë luftonit dhe gjakoseshit për votën e lirë, çfarë mesazhi përcillni për ta?
Mesazhi im, si një nga ish-drejtuesit opozitarë, që 19 vite më parë përjetova krimin shtetëror kundër votës, opozitës dhe vetes, për brezin e 18-19 vjeçarëve që në 21 qershor 2015 votojnë për herë të parë është ky: Të mos përjetojnë votimet e dhunshme e të trupshme të 26 majit 1996?
– A mendoni, se ka ardhur koha, që në Shqipëri të krijohet një “lobing” për të respektuar dhe mbrojtur votën e lirë në çdo aspekt të saj?
Mendoj se vota shqiptare brenda Shqipërisë, ka nevojë për këtë “lobing”, le të hidhet kjo ide e madhe dhe e domosdoshme për kohën, të cilën për herë të parë po e dëgjoj prej gazetës “Telegraf”…
PS u tërhoq nga votimi, PD mbushi kutitë me 99.91% të votave për… PD!
PD kishte 4 vite që ishte në pushtet, ndërsa PS pasardhëse e PPSH, ishte në opozitë që prej 22 marsit 1992. Qeverisja e PD, kishte shfaqur në 4 vjet pushtet, mjaft elemente të së shkuarës komuniste në ushtrimin e pushtetit. Bëhej fjalë për dhunë psikologjike, shtetërore e policore ndaj medias së lirë, bëhej fjalë për mungesë të pavarësisë së institucioneve dhe kontroll e përdorim total të tyre prej pushtetit politik. Bëhej fjalë për përqendrim të pushtetit në duart e një individi të vetëm, që ishte Presidenti i Republikës, Sali Berisha. Po afroheshin zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 dhe ishte momenti, që PD të dëshmonte se ishte një parti e përmasave demokratike, pasi pritej që të zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose të paktën ky ishte pretendimi i perëndimorëve, veçanërisht i SHBA, që kishin mbështetur hapur PD, për ardhjen në pushtet në vitin 1992, por edhe në kryerjen e reformave gjatë katër viteve të qeverisjes. Por nuk ndodhi kështu, mbasi qendrat dhe kutitë e votimit u futën nën kontroll policor e politik prej partisë në pushtet, aq sa bëhej edhe presion të hapur për të votuar publikisht për PD. Kjo situatë, krijoi irritim të PS dhe forcave të majta në opozitë, duke e çuar në vendimin që ditën e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996, PS të tërhiqte komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në gjithë Shqipërinë, pa u mbyllur afati kohor i votimit. Ikja e komisionerëve të PS, ishte terren i lirë, që PD të mbushte kutitë me fletë për kandidatët e vetë, duke shpallur veten fituese me 99.91%. PD-ja i vodhi zgjedhjet me forcën e pushtetit, ndërsa PS nuk i njohu rezultatet dhe bojkotoi parlamentin. PD dhe aleatët e saj legalistë, ballistë, republikanë kishin 122 vende në parlament, ndërsa PS dhe opzita e majtë kishin kishte vetëm një “furgon” me deputetë. Pas 26 majit, beteja pozitë-opozitë braktisi parlamentin dhe zbriti nëpër bulevardet dhe rrugët e Tiranës, me protesta të opozitës dhe dhunë fizike me polici e banda të pushtetit, të ushtruar deri në gjakosje mbi protestuesit e veçanërisht mbi krerët drejtues dhe deputetët e PS e të opozitës. 
Rrahje e gjak në mes të Tiranës mbi Servet Pëllumbin dhe 30 drejtues të PS e opozitës
Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të vjedhura e të dhunuara të 26 majit 1996, konkretisht më 28 maj, pushteti iu vërsul opozitës së majtë e cila doli në protesta në qendër të Tiranës, duke denoncuar vjedhjen e votave. PS dhe partitë e tjera të opozitës, të cilat deri në atë kohë e kishin liderin e tyre në burg politik, nuk u pajtuan me procesin dhe rezultatin e votimeve të 26 majit dhe organizuan një protestë në 28 maj 1996, duke e nisur atë në sheshin “Skënderbej”. Por pushteti urdhëroi që kjo protestë të mos bëhej në sheshin e Tiranës, por tek fusha “Ali Demi”, me rrethim policor. PS dhe opozita e zbatoi urdhrin, por fjalimet e saj nxitën turmën të marshonte drejt qendrës së Tiranës. Pikërisht, kur protestuesit e opozitës nisën matshmin drejt qendrës, afro 6 mijë forca policie, forca speciale dhe forca të armatosura të SHIK-ut,, bllokuan protestuesit tek “Rruga e Elbasanit”, duke mos i lejuar të shkojnë drejt qendrës. Me blinda, me qenë policie, me ushtri, policë e forca speciale, pushteti u vërsul kundër opozitës, duke përdorur dhunë fizike. Përplasja opozitë-pushtet, degradoi në dhunë reciproke deri të përgjakshme. Në krye të protestuesve ishin 30 krerë të opozitës, që drejtoheshin nga Servet Pëllumbi, në atë kohë drejtues faktik i PS dhe opozitës së majtë, në mungesë të Fatos Nanos, i cili gjendej në burg. Tek ura në “Rruga e Elbasanit” u ngrit barrikada me 700 policie, forca sepciale e SHIK-as, barrikadë që degjeneroi në përledhje mes palëve. Forcat speciale, që ishin instruktuar të izolonin drejtuesit e opozitës, arrestuan dhe dhunuan fikisht deri me gjakderdhje 30 drejtues të saj. Personazhi kryesor që u sulmua fizikisht, ishte Prof. Servet Pëllumbi, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko etj, duke u mbyllur kjo përleshje me rrahjen, masakrimin fizik dhe arrestimin e 320 manifestuesve opozitarë. Kjo ka ndodhur 19 vite më parë, më 28 maj 1996, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996. 
Raporti i OSBE-ODIHR: Votime me vjedhje, kërcënime e dhunë policore
Për të kuptuar më mirë atë që ndodhi atë ditë mjafton t’i hidhet një sy raportit që ODIHR-i do të publikonte dy javë pas zgjedhjeve të 26 majit dhe ripërsëritjes së votimeve më 2 qershor. Raportimet e mbledhura nga ndërkombëtarët shpalosin një panoramë tejet shqetësuese. Qindra vëzhgues të huaj ishin në qendrat e votimit që në mëngjesin e asaj dite, por u penguan të vëzhgonin. Shumë prej vëzhguesve vërejtën një prezencë të madhe të policisë brenda dhe jashtë qendrave të votimit, sidomos në Tiranë, Korçë, Elbasan, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Berat dhe Lushnjë, ku episodet e dhunës ishin të pranishme, madje edhe gjatë numërimit të votave. Raporti i ODIHR-it në vitin 1996 për zgjedhjet parlamentare ishte më kritiku në tërë historinë e zgjedhjeve shqiptare. Në 14 faqet e raportit, vëzhguesit, të cilët ndoqën nga afër zgjedhjet e 26 majit, u shprehën me nota të forta kritike për sa i përket përgjegjësisë së qeverisë, ndërhyrjeve politike në proces, rolit të institucioneve kryesore të shtetit përfshirë Presidentin, Gjykatat, Qeverinë, Policinë, SHIK e KQZ. Ekipi vëzhgues ndërkombëtar, deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale. Konkluzioni i vëzhguesve ishte ky: në zgjedhjet e 26 majit 1996, ishin shkelur 32 nga 79 nenet e ligjit zgjedhor. Raporti i ODIHR, mision i cili kryesohej nga Audrey Glover, i cilësonte zgjedhjet të papranueshme dhe në shkelje të plotë jo vetëm të standardeve të këtyre institucioneve por dhe të demokracisë. 
Tregon Marco Scarpelloni, fotoreporteri italian
”Mijëra njerëz në shesh nën shiun e dendur për të protestuar kundër qeverisë së Partisë Demokratike të presidentit Sali Berisha që duket se ka manipuluar përfundimisht zgjedhjet e zhvilluara të dielën. Edhe një herë ja tek ia behin kamionët e policisë që pa paralajmërim qëllonin rreptësisht. Dhe e shpërndajnë turmën nën zhurmën e shkopinjve të gomës. Agjentët e maskuar me skafandra kanë qëlluar mes të tjerëve dhe liderët e opozitës, zëvendës-presidentët e partisë socialiste Dokle e Pëllumbi… Dhjetëra arrestime. “Kam parë një burrë të vjetër që largohej me biçikletë prej nga atje ku zhvilloheshin përleshjet. Një skuadër policësh e ndoqi nga pas. E qëlluan egërsisht me shkopinj gome, dhe kur ra përtokë e shqepën me shqelma. Nuk po bënte asgjë të keqe, ishte thjesht një plak që po kalonte andej. Kur pushoi së lëvizuri e ngritën peshë e futën në një makinë së bashku me biçikletën dhe e hoqën prej andej. Gianni Zampariola, vëzhgues i zgjedhjeve në Shqipëri, nuk u beson atyre që ka parë. “Për pak sa nuk shtypën njerëzit me ata kamionë, është një mrekulli që nuk ka të vdekur. Policia u konfiskoi aparatet dhe blloqet shumë gazetarëve”. Rreth orës 10.00 policia rrethoi selinë e Partisë Socialiste. Që këtu arrestimet e para, kur mbërritën liderët socialistë policia u organizua. “Policë fashistë”, thërrisnin njerëzit duke brohoritur parulla kundër Berishës. Më qëlluan dhe mua”.