Sigal

Ja fjalimi i plotë i Senida Mesit:

“Punësim në vend të ndihmës ekonomike. Është objektivi i qartë i qeverisë për të ndihmuar të gjitha familjet në nevojë”. Kështu u shpreh sot Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi, gjatë një tryeze pune të organizuar nga Kryetari i Kuvendit Ruçi,me fokus uljen e varfërisë.

“T’i japësh njerëzve në çdo pjesë të botës mbështetjen e duhur që ata të dalin nga varfëria është thelbi i zhvillimit të qëndrueshëm ndaj dhe përcaktohet në objektivin kryesor “No poverty”. Ky objektiv përqendrohet tek strategjitë e ndërlidhura, përfshirë promovimin e sistemeve të mbrojtjes sociale, punësimin e duhur dhe ndërtimin e tyre për të ndihmuar në daljen nga varfëria”, tha numri dy i qeverisë duke shtuar se axhenda 2030 dhe dinamikat e integrimit të Shqipërisë në BE kanë mbështetur në mënyrë reciproke rritjen e shpejtë ekonomike dhe përmirësime të rëndësishme në standardet e jetesës.

Mesi u ndal tek reforma e ndihmës ekonomike, realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore.

“Ky projekt mbështeti perpjekjet e qeverisë për të targetuar në mënyrë më efikase burimet për shtresën më të varfër dhe në nevojë, duke përfshirë në Programin e Ndihmës Ekonomike, të varfërit që ishin përjashtuar me parë dhe duke pastruar skemën përmes reduktimit të rasteve të mashtrimeve dhe gabimeve”, tha Mesi.

Në fjalën e saj Zëvendës Kryeministrja nënvizoi faktin se qeveria ka orientuar qytetarët përmes strategjive, në mënyrë që ndihma ekonomike mos të shihet më si një status i përhershëm, por të shfrytëzohet çdo mundësi për të dalë nga varfëria përmes punës.

“Reformat dhe punësimi janë çelësi i suksesit në luftën kundër varfërisë. Punësim në vend të ndihmës ekonomike është objektivi i qartë i qeverisë për të ndihmuar të gjitha familjet në nevojë, përmes bashkëpunimit të biznesit me Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Ne jemi fokusuar tek nxjerrja e familjeve nga varfëria dhe vetëm vendet e reja të punës në këto katër vite janë dritë në shumë familje shqiptare.Në 2018-2021 do të kemi një kërcim të rëndësishëm në shifrat e punësimit falë programit për nxitjen e punësimit që synon rritje ekonomike me anë të punësimit”, u shpreh Mesi.

Duke cituar shifrat, referuar të dhënave nga INSTAT, Mesi deklaroi se për periudhën janar mars 2018, shkalla zyrtare e papunësisë zbriti në 12.5 për qind me një rënie prej gati 1.7 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Për ne, sfidë mbetet punësimi i të rinjve dhe mos largimi i tyre nga vendi. Trajnimi profesional, edukimi profesional dhe programi i punësimit janë përgjigjet tona për këtë çështje. Ndaj, përfituesit e ndihmës ekonomike përfitojnë formim profesional falas dhe gjysmën e pagesës së papunësisë”.

Zëvendës Kryeministrja foli edhe për Programin Kombëtar për Punësimin, ndërsa u shpreh  se qeverioa do të vazhdojë të inkurajojë investimet e sektorit privat.