Ruçi: BE nuk duhet të lerë në ishull të izoluar vetëm qytetarët e Kosovës

131
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi u prit në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Në komunikimin me mediat në përfundim të këtij takimi, dy personalitetet e larta shprehën kënaqësinë për këtë takim mes palëve, duke theksuar rëndësinë e vizitave të këtij niveli të lartë zyrtar për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Haradinaj u shpreh se ndjenja vëllazërore, gjithçka që na bënë ata që jemi, e bën këtë moment të ndjerë të, sikundër e nderon fakti që pret në një takim kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, si dhe kryetarët e tri grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla nga Partia Socialiste, Edmond Spaho nga Partia Demokratike, si dhe Petrit Vasili nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryeministri i Kosovës theksoi gjithashtu dëshirën që, nga këto shkëmbime të krijohet më shumë përmbajtje në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke shprehur angazhimin që, përvoja, shkëmbimi dhe bashkëpunimin parlamentar, i trajtuar në takim me Ruçi, të vijojë e të shtrihet edhe më gjerë mes dy qeverive, por edhe në rrafshin njerëzor. Nga ana e tij, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu urimin dhe inkurajimin që qeveria e re e Kosovës të përmbushë me sukses gjithë atë pritshmëri që ka i gjithë komuniteti kosovar. Ruçi vlerësoi si mjaft pozitiv faktin që në përbërjen e qeverisë së re të Kosovës, prej pozicionit të ministrave e deri tek zëvendëskryeministrat, janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet. “Kosova, si një shtet multi-etnik, duhet të plotësojë të gjitha pritshmëritë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në të”, u shpreh Ruçi, duke vënë në dukje se kështu mund të krijohet besimi dhe ndjenja e sigurisë tek të gjithë komunitetet dhe tek të gjithë banorët që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Duke u ndalur në çështjen e integrimit në Bashkimin Evropian, Ruçi nënvizoi se “në rrugën e gjatë, që ka për të bërë Ballkani Perëndimor për integrimin e tij në BE, dy popujt, ai serb, kudo ku jeton, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnje, si dhe populli shqiptar kudo që ai jeton, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, apo në Serbi, sigurisht kanë shumë në dorë për të evropianizuar Ballkanin në radhë të parë dhe për të integruar në BE Ballkanin Perëndimor”. Kryetari i Kuvendit u shpreh se “ne mbështesim një zgjidhje të Bashkimit Evropian për çështjet e vizave të qytetarëve të Kosovës” dhe se “BE nuk duhet të lerë në një ishull të izoluar vetëm qytetarët e Kosovës”.