Meta: Mbështetje institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit

585
Presidenti i Republikës, në lidhje me lirimin e Genc Tafilit, urdhëroi verifikimin nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi dje mbështetjen e tij për të gjitha institucionet ligjzbatuese në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit. Nëpërmjet zëdhënësit, Presidenti i Republikës, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u njoh me lajmin dhe reagimin publik të institucionit të Prokurorisë, për veprimtarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në lidhje me lirimin e shtetasit Genc Tafili, ka urdhëruar menjëherë Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate. Presidenti i Republikës garantoi se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit. “Presidenti i Republikës mbështet të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë në veprimtarinë e tyre, në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Presidentit Meta.

Genc Tafili, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari në vitin 2000, është liruar mesditën e së martës nga Gjykata e Krujës, kur i kishin mbetur dhe më shumë se 3 vjet për të përfunduar dënimin. Ka qenë gjyqtarja Enkeleda Hoxha, e cila ka pranuar kërkesën e Genc Tafilit për lirim me kusht, edhe pse prokuroria e cilësoi vendimin në kundërshtim të hapur me ligjin. Sipas organit të akuzës, ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili. Por Gjykata e Krujës nuk e ka marrë parasysh këtë fakt dhe ka urdhëruar lirimin e tij. Menjëherë vendimi është apeluar dhe i është kërkuar kreut të KLD-së të nisë verifikimin për këtë rast. Vëllezërit Tafili janë të njohur për drejtësinë shqiptare. Pas ngjarjes së vitit 2000, ku veç Arben Zylyftarit mbeti i vrarë dhe Bahri Tafili, babai i Genc dhe Admir Tafilit, ky i fundit nisi hakmarrjen, pasi sipas tij, shkaktar për vrasjen e babait ishte shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi. Admir Tafili arriti t’i bëjë një atentat Pjetrushit në Malësinë e Madhe, por fatmirësisht ai arriti të shpëtonte dhe u largua nga Shqipëria. Edhe pse i arrestuar, Admir Tafili më 2 tetor të vitit 2010 mori 5 ditë leje për të takuar familjarët. Ai arriti t’u largohej gardianëve dhe pas 6 muajve në arrati, më 18 mars 2011 qëlloi për vdekje dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi. Më pas Admir Tafili u dorëzua në polici, për t’u arratisur dy vjet më pas nga burgu i Drenovës. Arrati që zgjati vetëm disa orë.
Sigal