Rregullat dhe masa e kompensimit të pronarëve për vitin 2012

378
Sigal

ZYRTARE/Këshilli i Ministrave miraton fondin special për pronarët me propozim të Ministrisë së Drejtësisë

Eshtë miratuar nga Këshilli i Ministrave vendimi për “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave.

Sipas këtij vendimi të gjitha subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur për kompensim, të kompensohen sipas radhës  kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse përmbushen këto kritere:

a) Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është përfundimtar;

b) Vendimi, që ka përcaktuar kompensimin e pronës, është i ekzekutueshëm;

c) Vendimi, për të cilin aplikohet, nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim.

Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike, për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone. Vendimi I miratuar  nga qeveria parashikon që kompensimi të bëhet për pronën e llojit truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet.

Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008, 2009 dhe 2011 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2012.

Dokumentet që duhen

Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë pranë AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm:

a) kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b) deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim dhe të kushteve të tjera që lidhen me to, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

c) titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që, sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës, në rastet kur vendimet e sipërpërmendura janë ndryshuar në rrugë gjyqësore;

ç) planvendosjen përkatëse të vendimit, si edhe planin e rilevimit të pronës së njohur për kompensim në fragmentin e hartës treguese të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

d) dëshminë e trashëgimisë;

dh) nëse disponon, prokurë të posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, në ato raste kur pjesët takuese nuk janë të përcaktuara në vendimin e KKP-së/ZRAKKP-së;

e) vendimet e KKP-së/ZRAKKP-së ku janë përcaktuar pjesët takuese të secilit bashkëpronar.

ë) çdo akt tjetër gjyqësor apo administrativ me anë të të cilëve provohet pjesa takuese e secilit bashkëpronar.

f) dokumentin e identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë;

g) mandatpagesën. AKKP-ja shqyrton dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim në të holla, duke kryer veprimet e mëposhtme:

a) Verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

b) Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që, brenda 10 (dhjetë) ditëve, të konfirmojnë, për:

i) regjistrimin e vendimit përkatës në ZVRPP;

ii) përcaktimin e gjendjes juridike aktuale të pronës dhe verifikimin nëse ajo ka ndryshuar nga momenti i daljes së vendimit me të cilin aplikohet;

iii) verifikimin e ushtrimit të së drejtës së parablerjes.

MASA E KOMPENSIMIT PËR ÇDO KATEGORI TOKE

a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500 (një mijë e pesëqind) m², masa e kompensimit të jetë deri në 200 (dyqind) m².

b) Për pronat e njohura për kompensim mbi 1500 (një mijë e pesëqind) m² deri në 3000 (tre mijë) m², masa e kompensimit të jetë 300 (treqind) m².

c) Për pronat e njohura për kompensim mbi 3000 (tre mijë) m² deri në 5000 (pesë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 400 (katërqind) m².

ç) Për pronat e njohura për kompensim mbi 5000 (pesë mijë) m² deri në 10000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 500 (pesëqind) m².

d) Për pronat e njohura për kompensim mbi 10000 (dhjetë mijë) m², masa e kompensimit të jetë 600 (gjashtëqind) m².