Si po pasurohen ndotësit e Shqipërisë dhe pasojat e rënda të importit të plehrave

451
Sigal

Intervista/Flet ambientalisti Lavdosh Ferruni, për problemin e importimit të mbetjeve

Importimi i mbetjeve në Shqipëri mbetet ende një nga problemet shqetësuese për ambientalistët dhe për qytetarët. Por nga importimi i mbetjeve pasojat janë të mëdha dhe këto pasoja do ti vuajnë dhe brezat e ardhshëm. Faktin që pasojat do të jenë të mëdha e mbështesin edhe ambientalistët. Një ndër ambientalistët që ka luftuar kundër importimit të mbetjeve në Shqipëri është ambientalisti i njohur Lavdoosh Ferruni, I cili ka dhënë një intervistë për “Telegraf” në lidhje me këtë çështje. Sipas zotit Ferruni, importim mbetjesh do të thotë importim ndotjeje. Ndotja e re e shtuar nga importi mbi ndotjen 20 vjeçare të akumuluar në gjithë lëkurën e Shqipërisë dhe gjithë damarët e saj  nuk do të mund të pastrohet dot me asnjë ilaç.

-Problemi i mbetjeve është një problem i pazgjidhur në Shqipëri, ju si shoqatë ambientaliste çfarë hapash keni marrë për këtë çështje?

-Problemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri jo vetëm që është i pazgjidhur, por me nismat ligjore dhe praktike të importit të mbetjeve është e garantuar zgjidhja e gabuar. Por ky problem nuk  është që fshihet zgjidhja e gabuar e më pas zgjidhet ai me rrugën e duhur. Gabimi që po bëhet tani është i pakorrigjueshëm. Importim mbetjesh do të thotë importim ndotjeje. Ndotja e re e shtuar nga importi mbi ndotjen 20 vjeçare të akumuluar në gjithë lëkurën e Shqipërisë dhe gjithë damarët e saj  nuk do të mund të pastrohet dot me asnjë ilaç. Ambientalistët dhe Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) nuk janë aktorët që e zgjidhin problemin, por nëse dëgjohen në kërkesën e tyre për ndalimin e importit të mbetjeve ndihmojnë shumë në zgjidhjen, pasi mundet që në vitet në vijim me një vetëmobilizim kombëtar problemi tepër i vështirësuar  i mbetjeve ta gjej zgjidhjen.

-Në lidhje me këtë problem keni akuzuar vazhdimisht qeverinë, përse e ndërmori ajo një hap të tillë për importimin e mbetjeve në kundërshtim me interesat e vendit?

-Ajo që po ndodh tani është se janë shtuar si kërpudhat pas shiut fabrikat për përpunimin e mbetjeve. Administratorët e këtyre fabrikave thonë se mbetjet e vendit janë shumë të pakta dhe të pista prandaj i kërkojmë Qeverisë  që të na jap leje për import. Qeveria thotë se nuk mund të pengojë iniciativën private e të lërë pa punë fabrikat. Kështu biznesi i përpunimit të plehrave të importit po lulëzon dita ditës. Vetëm në qytezën e Vorës  këto ditë po shqyrtohen 2 leje për import plastike. Por pyetjes pse vendet e tjera kanë leverdi ti eksportojnë mbetjet në Shqipëri, Qeveria nuk i përgjigjet dot, ose më saktë refuzon ti përgjigjet.  Në fakt përgjigja është fare e thjeshtë dhe e kuptueshme. Në Shqipëri, kush ndot jo vetëm që nuk paguan për ndotjen, por fiton duke ndotur. Fiton, pasi eksportuesi për të mos paguar për ndotjen në vendin e tij e ofron atë edhe falas tek ndotësi Shqiptar, që konvertohet në fitim të madh për ndotësin shqiptar. Ndotësi Shqiptar nuk paguan për ndotjen, por shqiptarët paguajnë dhe brezat e ardhshëm do paguajnë dhe më shumë. Nuk është e largët dita kur ujërat tona nëntokësore dhe shumë burime të ujit të pijshëm të bëhen të papijshëm nga ndotja e plehrave të shtuara. Djegiet e plehrave qoftë në ambient të hapur si tani, apo dhe në plehra-djegës, siç po i vinë rrotull të bëjnë, është një kosto e jashtëzakonshme  shëndetësore për t’u përballuar nga Shqiptarët. Gjithë sa thamë më sipër ndodh vetëm në rastin kur importohet ajo që shkruhet, dhe jo ajo që ndodh shpesh, siç është konfirmuar dhe nga ndonjë investigim i rrallë që është bërë (natyrisht jo nga Qeveria ), ku mbetjet e parrezikshme janë koperturë e mbetjeve të rrezikshme e shumë të rrezikshme.

-Po roli i opozitës në këtë çështje sa ka ndikuar sipas jush, sa aktive ka qenë ajo në një çështje të tillë?

-Opozita dhe vetë kryetari i saj Edi Rama janë shprehur publikisht se janë kundër importit të plehrave dhe se me ardhjen në pushtet do ndalojnë edhe ligjërisht importin e mbetjeve. Opozita mbështeti AKIP në nismën referendare dhe besoj se do jetë konsistente në qëndrimin e saj edhe nëse vjen në pushtet në vitin 2013. Por opozita duhet të mos presë verën e 2013, pasi mjaftojnë muaj e mbetur që Shqipëria të ndotet prej importit në mënyrë e në masë të tillë që nuk mund të pastrohet për disa dekada. Opozita duhet të luftoj tani për një moratorium të importit të mbetjeve deri në kohën kur do të kryhet referendumi, që me shumë të ngjarë do të bëhet në pranverë -verë të vitit 2014.

-Duket se ka pasur një tërheqje kohët e fundit nga shoqata juaj, a mos kanë ndikuar presionet e qeverisë për këtë?

-Lëvizja jonë qytetare nën drejtimin e AKIP nuk është aspak e tërhequr dhe as mund të tërhiqet, pasi ajo operon nën besimin e mbi 60,000 firmëtarëve të referendumit kundër import të plehrave. Shqipëria normalisht këto ditë mund të ishte duke zhvilluar referendumin e kërkuar nga qytetarët, por KQZ e Ristanit e futi vendimin e datës 28 Qershor në sirtar dhe tha se do e çonte në Gjykatë Kushtetuese më 3 Janar. AKIP ankimoi këtë pikë të vendimit për mos dorëzim në kohë, por Gjykata e Apelit nuk e pranoi nuk e shqyrtoi ankimimin. Sidoqoftë AKIP vazhdon të ndjekë situatën me shumë kujdes. AKIP ka bërë gjatë kësaj kohe një sensibilizim ndërkombëtar ë çështjes deri në Gjenevë në Komitetin e Përputhshmërisë së Konventës së Ahrusit e deri tek Komisioneri i BE-së për mjedisin z. Potocnik në Bruksel. AKIP ka hedhur poshtë falsitetin e sajuar nga Ministria e Mjedisit sikur gjoja importi i plehrave në Shqipëri sipas ligjit qenka dhe u bëka njësoj si nëParise nëBerlin. Dhe po vazhdojmë të informojmë opinionin publik se si Qeveria po e ndot këtë vend për ditë e më shumë.

-A ka raste të tjera në vendet fqinje, nëse po mund të na i përmendni?

-Kroacia po performon mirë për shembull. Duke ditur potencialin që ka turizmi në vend ata nuk importojnë mbetje nga vendet e tjera, por përpunojnë mbetjet e vendit. Maqedonia, Greqia synojnë të eksportojnë plastik në Shqipëri. Kryeministri ynë bashkë me ministrin e Mjedisit i ka hipur kalit së prapthi.

-Importi i mbetjeve është një nga problemet, por problemet ekologjike në Shqipëri janë të mëdha dhe përpjekja për parandalimin e tyre është minimale, si e vlerësoni ju këtë?

-Shqipëria nëse vazhdon me këtë vëmendje minimale ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe nuk ka të ardhme, edhe sikur të bëhet superfuqi energjetike, edhe sikur të mbjellë 50 milion ullinj, edhe sikur të hyj në BE qysh nesër. Për arsye gjeografiko-historike Shqipëria vetë mjedisin e saj ka pasurinë më të  madhe të vetën, mbi të cilin mund të marr hov e të zhvillohet. Shqipëria mund të konkurroj e të përmirësoj jetën e qytetarëve nëse do ketë aleat Mjedisin e saj. Nëse aleati Mjedis sot po masakrohet dhe hesht, është e sigurt që herët a vonë do hakmerret.