Raporti i auditit fundos Imamin, zbulon abuzimet me kompleksin “Partizani”

534
Sigal

Ditën e djeshme në Komisionin e Sigurisë së Kuvendit, anëtarët socialistë të komisionit kanë nxjerrë në dritë të vërtetën e shitjes së pronave të ushtrisë, dhe pse Arben Imami është përgjegjësi kryesor i këtyre shitjeve në çmime shumë larg vlerës reale të tregut. Deputët socialistë kanë akuzuar ministrin Imami se ministria që ai drejton nuk shet prona, një gjë, tërësisht e pavërtetë. Deputetët socialistë janë shprehur se:  “Potë konfirmojmë të kundërtën e kësaj që thoni ju, nëpërmjet një dokumenti të firmosur nga auditimi i Ministrisë Mbrojtjes, një ekstrakt të të cilit po jua vëmë në dispozicion ju dhe medias”. Ata janë shprehur se, Arben Imami po mashtron opinionin publik kur thotë që Ministria e Mbrojtjes nuk shet prona. “Së dyti, materialet që disponojmë, njërit prej të cilëve jua referova,  tregojnë që ju, jo vetëm po i shisni pronat, por për më keq akoma po i dhuroni ato ku ju do qejfi, siç është rasti i 4.478 m2 në klubin sportiv Partizani”theksoi njëri nga deputetët socialistë në komision.

RAPORTI

Mbi auditimin e plotë me objekt: “Vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare në ish Komandën Mbështetëse (Komanda dhe Shtabi, ish Reparti Ushtarak nr.4001), Tiranë. Në zbatim të Programit të auditimit miratuar nga Ministri i Mbrojtjes, nr.12071, datë 23.12.2011, për kryerjen e angazhimit të auditimit me objekt “Vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare në ish Komandën Mbështetëse (ish Reparti. Ushtarak nr.4001), Tiranë. Auditimi u krye për periudhën 01.02.2009 deri më 31.07.2010, nga grupi i punës i përbërë nga inspektorët/auditët, z.Agim Zenelaj dhe z.Tonin Tuci, me personat përgjegjës të ish kësaj strukture, ish shefi i financës së shtabit të KM, z.Armir Balili, ish shefe e degës financës N/Kolonele Figali Golemi, ish shefat e logjistikës N/Kolonel Jorgo Mino dhe Kolonel Ilmi Laçi, ish shefi i personelit N/Kolonel Mehmet Baze, ish shefi i furnizimit N/Kolonel Janaq Prifti i ngarkuar me detyrën e përgjegjësit për mbylljen e aktivitetit të veprimtarisë ekonomiko-financiare të KM për periudhën 1 Mars 2010 deri më 30 Maj 2010, ish shefi i infrastrukturës Majror Nikoll Tushi, i ngarkuar edhe me detyrën e përgjegjësit për mbylljen e aktivitetit të veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën 1 Qershor 2010 deri më 31 Korrik 2010, ish komandanti i togës shtabit, Toger Bledian Dule dhe ish Komandantët e Komandës Mbështetëse (Rep.Ushtarak nr.4001) Tiranë, për periudhat që kanë drejtuar; Gjeneral Brigade Vladimir Qirjazi dhe Gjeneral Major, Xhemal Gjunkshi si dhe Komandantin e Brigadës Logjistike, strukturë e cila ka thithur aktivitetin e ish-KM, Kolonel Bardhyl Hoxha. Auditimi nga grupi i punës u realizua nga data 28.12.2011 deri më 20.02.2012. Nga auditimi i kryer në fushën e administrimit, për regjistrimin e vlerës së pronës nr.11 me emërtimin “Klubi sportiv Partizani” rezulton  se, veprimet e kontabilizimit të kësaj prone janë kryer në mënyrë ekstra kontabël, dhe pa dokument. Sipas protokollit të Dhomës së Noterisë Tiranë, me Nr.3553 Rep. dhe Nr.661 Kol. Të mbajtur mes palëve shitësi, Ministria e Financave, Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, përfaqësuar nga z.Urim Muja, Drejtor dhe Ministria e Mbrojtjes, Komanda Mbështetëse e përfaqësuar nga Komandanti i KM, Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi, sipas autorizimit të Ministrit të Mbrojtjes nr.6927, datë  15.10.2009 dhe blerës pronaret përkatës… Rezulton se kjo procedurë është bërë  në kundërshtim me Kreun III, Dokumentimi i veprimeve ekonomiko-financiare, neni 7 i Ligjit nr.6942, datë 25.12.1984 “Për ruajtjen, administrimin, dokumentimin dhe qarkullimin e vlerave materiale e monetare”, nenin 6, të Ligjit nr.9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i ndryshuar, Kapitullin I, pika 2, germa c, Dokumentet kontabël, të VKM nr.783, datë 22.11.2006 “Për përcaktimin e standardeve dhe rregullave kontabël”, dhe ngarkon me përgjegjësi grupin e punës dhe ish shefin e financës së shtabit të KM, në zbatim të nenit 23, shkeljet dhe dënimet, të Ligjit nr.9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” i ndryshuar, nenit 71, kundërvajtje administrative, germa “ë”, të ligjit nr.9936, datë 26.06.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.