Rama na bindi se duhet të ikë një orë e më parë

323
Sigal

Analizë nga Arian Starova/ Fjalimi i Kryerilindasit në hapjen e fushatës elektorale ishte një tjetër argument se përse Rama duhet të largohet sa më shpjet nga qeverisja. Ai e mendon veten si Enveri, urren opozitarizmin dhe popullin e thjesht, bëhet ekspert për gjithçka, mendon se mund t’ju zëvendësoi njerëzve bukën dhe punën me llafazanëri-gënjeshtrash, me 3 D dhe “ambalazhin me ngjyra” nga jashtë

 

Fjalimi i kryerilindasit Rama parmbrënë ishte një tjetër argument krejt i freskët se përse ai duhet ikë një orë e më parë prej qeverisjes së vendit!

A e dini përse mendoj kështu?

1- Rama e kujton vehten si më të mirin, kurse të tjerë nuk paska! E mendon vehten si Enver i ri që po të na ikte, do të na shembej bota. Mendësi e mjerë!  Ende nuk e ka kuptuar se në demokraci nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm, aq më shumë kur janë te provuar dhe të dështuar!

2- Rama urren opozitën, por përsëri si i mjeruar, sepse të gjithë fjalimit te tij nuk mundi të mos i hedhë vrer, sharje dhe shpërfillje për opozitën, si gjithnjë. Nga fillimi deri në fund të llafazanërisë-sëmundje të tij që po përhapet si covid-truri ndër “rilindasit”, sidomos te ai i Tiranës, këtë punë bëri dhe ndoshta e ndjen frikën e ndëshkimit në këtë fundprill! Ai e urren gjysmën e popullit të vet, që mendon ndryshe prej tij dhe “rilindasve” të tjerë.  E si mund të pretendojë të vazhdojë të udhëheqë njerëzit, që e tregon përditë se i shpërfill, tall dhe urren?! A e shikojnë të gjithë se çfarë “udhëheqësi” është?

3- Rama kujton po aq mjerisht, se vetëm politika i bën punët dhe sidomos ai vetë, si kryerilindas, duke shpërfillur qindra mijë shqiptarët që punojnë si specialistë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore.  Ai harron se opozita do t’i bëjë punët më mirë se të dështuarit “rilindas”dhe me të njëjtët njerëz. Pra opozita, do apo nuk do ai, do ta marrë pushtetin dhe do të qeverisë shumë më mirë se “rilindasit” e tejkorruptuar. Dhe do të qeverisë jo si “rilindasit”, si kalorës të vetmuar, por bashkë me popullin, si një i vetëm, i pandarë në të pëlqyer dhe të urryer, siç bën “kryerilindasi”.

4- Rama është mjerisht plot “iluzione estetike dhe gramatikore” mbi zhvillimet shoqërore. Ai mund të ketë bërë gjëra ndoshta estetikisht të bukura, por shoqëria disa milionëshe shqiptare nuk jeton me bukuri estetike të detyruara vetëm se i pëlqejnë atij, ndonëse edhe ato duhen. Ai duhet të mësojë se më e rëndësishme se të harrosh një pikë, apo presje të një fjalimi, më e rëndësishme se një gjetje estetike si trëndafili socialist i parë nga lart i mbrëmjes së pardjeshme “rilindase” është vendimarrja e duhur për një popull që kërkon ta udhëheqësh. Rama kujton se po të mbajë fjalim-hartime e ka kryer punën e tij.  Prandaj ai në tetë vjet  ka ndërtuar një realitet kryesisht “verbal”, fjalaman dhe ka dehur para se gjithash vehten, duke kujtuar se ka kënaq-gënjyer shqiptarët.

5- Rama vazhdoi edhe në fjalën e tij të hapjes së fushates politiken e tij tetëvjeçare të “ambalazhimit të bukur” të një Shqipërie turistike që ta shijojnë vetëm turistët e huaj, të pasurit dhe ata që për politikë jane gati të sakrifikojnë mirëqënien e tyre vetiake dhe familjare. Ai ka harruar se koha e tij mbaroi, kurse katër vjetët e fundit ua vodhi shqiptarëve. E si mund të kesh katër vjet të tjerë një të tille kryeministër vehtedashurues, moskuptues dhe shpërfillës për të tjerët dhe të maskuar si dashurues të popullit?!