Rokadë prokurorësh, lëvizje në disa institucione hetimi në rrethe

82
Këshilli i Prokurorisë vendosi ditën e djeshme të rikthejë sërish në kryeqytet prokurorin Ramadan Troci, ndërsa dërgon në Shkodër Anton Martinin
Prokuroria e Përgjithshme kryen lëvizjet e radhës të prokurorëve në disa rrethe. Prokuror që kanë mbajtur mbi supe çështje me ndjeshmëri të lartë në publik, dje me vendim të Këshillit të Prokurorisë dhe me firmën e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, janë lëvizur. Një nga emrat e përfolur si prokurori që arrestoi ish-Guvernatorin, Ramadan Troci, lëvizet nga Vlora dhe rikthehet, pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ishte një nga prokurorët që gjatë detyrës së tij, nuk ka marrë parasysh asgjë, madje ka vendosur për arrestimin e personave me pushtet. Troci ndodhej i komanduar në Prokurorinë e Vlorës, qyteti, i cili prej vitesh është përfolur për lidhet e trafikantëve me elementë të policisë së shtetit. Gjatë qëndrimit të tij në krye të kësaj prokurorie, nuk pati pakënaqësi. Ditën e djeshme, Troci është rikthyer në Prokurorinë e Përgjithshme, me urdhër të kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ndërkohë, në vend të Trocit në Vlorë shkon Ardian Ylli, i cili deri tani ka ushtruar detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Fierit. Një tjetër lëvizje është bërë edhe në Prokurorinë e Shkodrës. Në krye të këtij institucioni hetimi është dërguar prokurori i krimeve të rënda Anton Martini. Martini njihet si një nga prokurorët që ka hetuar grupe kriminale, duke nisur nga ai i Lushnjës. Nga ana tjetër, Granit Shehu që ishte drejtuesi i organit të drejtësisë në Shkodër do të kthehet prokuror në Tiranë. Ndërsa, kryeprokuror i Fierit komandohet Pali Deçollari. Këto lëvizje u bënë me vendim të Këshillit të Prokurorisë, pas një mbledhjeje të mbajtur këtë të premte. Emrat e mësipërm i janë propozuar kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe pritet firma e tij për miratim. Lëvizjet bëhen pikërisht në këtë periudhë, ku në rrethet e prekura kishte gjalluar krimi dhe trafiku i drogës. Rifreskimi i institucioneve të hetimit në Fier, Vlorë dhe Shkodër, bëhet në kuadër të rinisjes së punë intensive për goditjen e grupeve kriminale të trafikut të drogë edhe krimit të organizuar. Ndërkohë është kërkuar që në ditët në vazhdim të hapen të gjithë dosjet që mbahen të pezulluar dhe një pjesë e atyre të konsideruara të mbyllura për mungesë provash. Sipas Prokurorisë së përgjithshme, rifreskimi i drejtuesve të organeve të hetimit është i domosdoshëm të kryhet herë pas herë. Pavarësisht dyshimeve të krijuara për këto lëvizje, drejtuesit e prokurorisë shprehen se gjithçka bëhet për të përmirësuar cilësinë e hetimit. Prokuroria e përgjithshme është duke punuar për të vënë në efiçencë veprimet hetimore. Pas rikthimit në këtë institucion, prokuroi Ramadan Troci, pritet të marr përsipër hetimin e çështjeve të rëndësishme.