Reklamat shtetërore, PS: “Ministria e Mbrojtjes, 2.5 milionë dollarë për TV e qeverisë”

437
Sigal

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi ka vijuar edhe dje denoncimin e skandalit të reklamës shtetërore, ku sipas tij janë përfshirë pothuajse të gjitha ministritë e “qeverisë Berisha”. Sipas PS-së, Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga ministri Imami ka paguar 2.5 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, për reklama të prodhuara nga një kompani e vetme e më pas të transmetuara në televizionet pranë qeverisë. Sipas deputetit Shalsi, në 4 vitet e fundit kjo ministri ka shpenzuar 2,465,500 dollarë nga paratë publike, për të reklamuar veten. “Ministria e Mbrojtjes ka shpenzuar 300 mijë dollarë për një koncert. Ja dhe shifrat e shpenzuar ndër vite nga kjo ministri: 2007 – 235 000 dollarë; 2008 – 115 000 dollarë; 2009 – 385 000 dollarë; 2010 – 30 000 dollarë; 2011 – 700 000 dollarë dhe 2012 – 700 000 dollarë.” Një ditë më parë, gjatë një konference për shtyp deputeti socialist Eduard Shalsi denoncoi shpenzimet e Ministrisë së Brendshme për tu vetëreklamuar në televizion. Sipas Shalsit, shpenzimet e MB-së kapin vlerën e mbi 4 milionë dollarëve, për të prodhuar dhe shfaqur në televizionet pranë qeverisë reklama propagandistike. Shalsi u shpreh se shpenzimet e kryera nga qeveria arrijnë rekordin e tyre me rreth 2 milionë dollarë në vitin 2010.