Dita pa makina, Basha: “Përdorni biçikleta për transport”

583
Sigal

Është hapur dje në Tiranë, “Java e Ndërgjegjësimit”, për reduktimin e përdorimit të makinave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, së bashku me një grup të rinjsh, kanë preferuar që përmes përshkimit me biçikletë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”, të japin mesazhin e domosdoshmërisë së rritjes së përdoruesve të biçikletave. Krahas sensibilizimit, Bashkia e Tiranës deri në fund të këtij viti, do të ketë krijuar 24 km korsi të dedikuar për biçikleta, siç premtoi Kryebashkiaku. “Në vitin e parë të administratës sime, jam angazhuar për shtrimin e 20 km rrugë biçikletash në qytet dhe në fakt, me përfundimin e projektit multimodal, i cili do të shtrihet në plot 12 rrugë kryesore të qytetit, në përfundim të këtij viti, qyteti do të ketë 24 km korsi biçikletash, korsi të dedikuara, të shënuara, të pajisura me sinjalistikë dhe që garantojnë sigurinë e çiklistëve” – u shpreh Kryebashkiaku Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha theksoi se krahas korsive të dedikuara, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ruajë me fanatizëm sigurinë e çiklistëve. Basha u bëri thirrje qytetarëve t’i rikthehen edhe njëherë këtij mjeti të transportit, që Tirana e ka njohur mirë për dhjetëra vite.