“ Reformat e Berishës e çojnë Shqipërinë në humnerën e totalitarizmit”

533
Sigal

INTERVISTA/  Idajet Beqiri Kryetari i PUK-ut: “Berisha nuk ka hallin e imunitetit, por kërkon të përfitojë kapital politik”

Juristi dhe Kryetari i PUK-ut, Idajet Beqiri, në intervistën për “Telegraf” thotë, se për Shqipërinë, reforma më e madhe e integrimit të vendit në BE është rikthimi i Kushtetutës para 2008-s. Ato ndryshime,  të bëra vetëm me kompromisin e një nate Berisha- Rama, sipas zotit Beqiri, janë burimi i gjithë të këqijave, “ndaj sot nuk mund të bëjmë fjalë për luftë kundër korrupsionin me reformën e heqjes së imunitetit, derisa keni Gjyqësor dhe prokurori “të tredhur” nga politika e Kryeministrit Berisha”, është shprehur ai.

Zoti Beqiri, përse ka kaq rëndësi të madhe, siç po bën fjalë përditë Kryeministri dhe LSI-ja, që reforma e heqjes së imunitetit të votohet patjetër në 6 gusht?

– Diskutimi për imunitetin është “beteja” e radhës që “Sanço Panço” ynë, Sali Berisha, bën me mullinjtë e erës!. I është mbushur mëndja për këtë datë dhe bën rolin e “të fortit të katundit”. Luan me nervat e opozitës dhe të popullit. Pra, Berisha nuk ka hallin e imuniteti, por përmes kësaj “beteje” donkishoteske, kërkon të përfitojë kapital politik.

– Në qoftë se reforma e imunitetit nuk miratohet në Parlament në 6 gusht, a është rrezik, që këto ndryshime në Kushtetutë, të rivijnë në Parlament, pas një viti, duke bllokuar reformën?

Halli  i vetëm i Berishës janë bllokimi i reformave në Shqipëri. Ai ka vite që është dëshmuar si “Kollona e Pestë” në demokracinë shqiptare.  Berisha e provokon vazhdimisht opozitën me synimin që ta bëjë atë gjithmonë kundër dhe mospjesmarrëse në reformat konsensuale, flasin pikërisht për atë që shqiptarët nuk kanë një qeveri të tyre. Shqipëria tashme mund të konsiderohet një vend, ku demokracia falimentoi dhe investimi që ka bërë BE dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për kryerjen e reformave demokratike në vend, dështuan turpshëm. Cilido që përpiqet të bëjë “arnime” humbet kohën kot dhe e çon më tej në humnerën e totalitarizmit dhe anarkisë këtë vend.

– Sa janë përfshirë në draftin e përbashkët të reformës së imunitetit, edhe mendimet e grupeve të interesit, të shoqërisë civile, por edhe të partive joparlamentare?

– Kemi bërë shumë masakra kundër demokracisë në vend. Ajo e vitit 2008 kur u masakrua Kushtetuta, ishte më e dhimbshmja. Pasojat e saj po i vuajmë me turpërimin për tre vjet me radhë të refuzimit të statusit kandidat për në BE. Pasojat e saj po i vuajmë edhe me instalimin në Shqipëri të parimit bolshevik, “gjithë pushtetet PD-së dhe Berishës”. Ky vend nuk ka më institucione dhe pushtete të pavarura. Ky vend nuk është më demokraci. Në vend që e gjithë klasa politike, bota akademike, intelektualët dhe faktorët e përgjegjshëm që e duan vendin e tyre si demokraci funksionale, jo si totalitarizëm mediokër bolshevik krahinor, të bëjnë analiza dhe përgjithësime të përgjegjshme për të reflektuar dhe ndërhyrë me bisturinë e kirurgut, në radhë të parë mbi Kushtetutën, si ligji themeltar i shtetit, për ta sjellë në radhë të parë atë në mbrothësinë që e kishim para vitit 2008, vazhdojmë me masakrime të tjera të atyre pak elementëve demokratik që u kanë mbetur institucioneve tona. Kjo mendësi dhe këto veprime të mbrapshta, duhet penguar me çdo kusht. Dhe opozita duhet të bëjë rezistencën e duhur në këtë drejtim. Ajo duhet të angazhojë gjithë potencialet e saj për të shkuar te intelektualët, te bota akademike, te grupet e interesit dhe te shoqëria civile, me qëllim që të përfitojë rrugëzgjidhjet e duhura për të ndalur pikësëpari rrokullimën që na ka vënë përpara, e pastaj për të bërë me profesionalizëm e pjekuri korrigjimin e të gjitha deformimeve që i janë bërë demokracisë dhe shtetit ligjor tek ne. Ndryshe, edhe opozita do e rendiste veten si bashkëfajtore me këtë qeverisje bolshevike dhe antishqiptare.

– Mos vallë PD-PS sillen me ndryshimet në Kushtetutë, që kërkojnë të bëjnë, sikur këto të jenë privilegj dhe e drejtë politike vetëm e atyre?

– Deformimet e vazhdueshme që i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen demokracisë në vendin tonë kanë sjellë mendësinë e principatave. Domethënë, këto dy parti duan dominimin e përjetshëm mbi shqiptarët. PS-ja ka nxjerrë mësime pas vitit 2009-s. Dhe tashmë bën mirë që të mos tërhiqet nga parimet demokratike të funksionimit të shtetit ligjor dhe të mos bëjë më kompromise në dëm të këtyre parimeve. Për fatin e keq ka kundër në këtë rrugë një pjesë të faktorit ndërkombëtar, të cilët e kanë të vështirë të pranojnë dështimin e tyre me Shqipërinë, dhe për të justifikuar investimet e kota dhe sedrën e sëmurë, e shtyjnë opozitë në mëkate të reja “për të qepur pantallonat e zeza me arna të bardha”!

– Juridikisht, a mund të justifikohen këto ndryshime të pjesshme të bëhen tani dhe të tjerat më vonë? Mos këtu fshihet ndonjë hile e qëllimeve politike?

Kushtetuta nuk është leckë pa vlerë, siç ja ka nëpërkëmbur nderin dhe dinjitetin asaj Berisha dhe shpura e tij. Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit. Kur t’i bëhen ndryshime asaj, duhet të bjerë tërmet në të gjitha poret e vendit. Tani Berisha kërkon t’i japi vlerën e leckës në 6 gusht, Ligjit Themelor të Shtetit!

– Në vetë draftin e përbashkët, juridikisht, a realizohet heqja e plotë e imunitetit të politikanit?

– Ligji për heqjen e imunitetit është një akt formal. E kërkon si kusht BE, dhe duhet të bëhet. Por e keqja demokracisë sonë nuk i vjen se politikanët tanë nuk ndëshkohen se, kanë imunitet ligjor! Ata nuk ndëshkohen se kanë imunitet faktik. A e dorëzoi imunitetin Lulëzim Basha, Fatmir Mediu, Ilir Meta, Dritan Prifti, Taulant Balla, besnik Bare, Tom Doshi etj? Cili prej këtyre u dënua? Çfarë imuniteti kanë fëmijët e Berishës që janë bërë latifondistët e vendit? Ata nuk i mbron imuniteti ligjor, por i mbron pushteti totalitar dhe klanor që është instaluar në vend. Ata i mbron mungesa e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. I mbron pushteti i pakufizuar i Kryeministrit, i cili i kontrollon me 71 votat e vjedhura të parlamentit gjithë pushtetet në vend. Në këto kushte, kur gjyqtarët zgjidhen me 71 vota, dhe po me kaq vota emërohet edhe Prokurori i Përgjithshëm, e madje me kaq vota zgjidhet edhe Presidenti i Republikës, në do hiqi, në nuk do, mos e hiq imunitetin, korrupsioni, kapja e shtetit, trafiqet dhe krimi i organizuar, do lulëzojnë gjithnjë e më shumë. Ndaj, para se të miratohet ligji i imunitetit, duhet të bëhen ndryshimet në Kushtetutë, me qëllim që gjyqtarët, Prokurori i Përgjithshëm, kreu i shtetit, Presidenti i Republikës etj, të zgjidhen me 84 vota e jo me 71 vota.

– Kjo reformë i jep dorë të lirë Prokurorisë të përgjojë telefonat edhe të deputetëve, pa marrë lejen e Kuvendit, madje, pa paraqitur prova të akuzës. Mos vallë kemi tejkalim të kompetencave kushtetuese?

–  Mënyra si emërohet Prokurori i Përgjithshëm, pushtetet “de jure” dhe “de fakto” që ka përvetësuar kreu i ekzekutivit në Shqipëri, mënyra primitive dhe arrogante e sjelljes së tij, e kanë “tredhur” organin e akuzës. Në Shqipëri ka një Prokurori që merret me qytetarët e pambrojtur të këtij vendi, duke i mbajtur burgjet plotë edhe me fakirfukarenj që luftojnë për bukën e gojës, por “ujqërit” e pushtetit dhe të politikës nuk janë objekt i punës së tyre.

-Mirëfunksionimi i Kushtetutës dhe ndryshimet për imunitetin

– Demokracinë në Shqipëri mund ta shpëtojë së paku vetëm rikthimi i saj në gjendjen që ishte para vitit 2008. Në këtë drejtim duhet përshëndetur nisma e opozitës për propozimet që ka paraqitur. Ndërsa, të ecësh akoma me mendësitë leniniste të Berishës “gjithë pushtetet m’i jepni vetëm mua”, dhe 6 gushtin për këtë qëllim e do ai, për të qenë i ndershëm me vetveten dhe me fatin e kombit tonë, çdo shqiptar i ndershëm dhe i përgjegjshëm duhet të mendoj thellë për rrugëzgjidhje të tjera, domosdo tepër të dhimbshme.

 -Ju faleminderit!