Reforma në drejtësi, sot në Komisionin e Venecias

461
Komisioni i Venecias, një organ i specializuar i Këshillit të Euopës në fushën e legjislacionit pritet të marrë në shqyrtim projektin e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar për reformën në Drejtësi. Komisioni do të njihet sot me thelbin e këtyre ndryshimeve gjatë punimeve të sesionit të tij. Për prezantimin e projektit ishte ftuar kryetari i Komisionit ad Hoc Fatmir Xhafa, por ai e evitoi pjesmarrjen.
Në një letër dërguar kryetarit të Komisionit të Venecias, zoti Xhafaj shpjegon se “reforma është konceptuar dhe është duke u realizuar si një reformë e ekspertëve dhe profesionistëve të fushës së drejtësisë. Projekti me ndryshimet kushtetuese që i është përcjellë Komisionit të Venecias për opinion është në thelb fryt i punës së Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, (vendas e ndërkombëtar).Për këtë arsye mendoj që fjala në këtë sesion plenar të Komisionit të Venecias duhet të jetë për ta, për të përcjellë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, analizën, vlerësimin dhe zgjidhjet që ata kanë propozuar në këtë paketë të ndryshimeve kushtetuese”, shkruan zoti Xhafa.
Por anga ana tjetër edhe mosbesimi politik që ka shoqëruar procesin e reformës, me opozitën që vetëm në tre muajt e fundit ju bashkua komisionit, ka qenë një tjetër arsye. Edhe në letrën e tij zoti Xhafa shpjegon se “kjo është një reformë e thellë që synon ndryshime thelbësore në organizimin dhe funksionimin e institucioneve aktuale të sistemit. Eshtë normale që rreth saj të jenë prezente edhe debatet dhe kundërshtitë rreth tyre. Dëshiroj ta shoh mospjesëmarrjen time në atë tryezë të nderuar si një kontribut shtesë për të shmangur në këtë mënyrë cfarëdo lloj insinuate që do të politizonte apo do të përdorej për të cënuar vlerat e larta, paanësinë dhe profesionalizmin e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit”.
Paraqitja e propozimeve për ndryshime kushtetuese të cilat synojnë të sjellin ndryshime gati radikale në të gjithë sistemin e Drejtësisë shqiptare do të bëhet nga grupi i ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, Rainer Deville, Shef i Misionit EURALIUS të Bashkimit europian në Shqiperi, dhe Jon Smibert, Këshilltar Ligjor i misionit OPDAT të SHBA-ve në Shqipëri.
Nga ana e tij Komisioni i Venecias, pritet të japë një opinion mbi këto propozime brenda muajit dhjetor. Këtij Komisioni do t’i duhet të vlerësojë edhe një numër jo të vogël propozimesh të dërguara edhe nga opozita shqiptare, e cila ka hedhur dyshime mbi projektin e hartuar nga ekspertët e angazhuar nga Komisioni parlamentar. Propozime të tjera ka paraqitur edhe Lëvizja socialiste për Integrim, aleate e socialistëve. Realizimi i reformës në Drejtësi konsiderohet si një moment kyc që Shqipëria të bëjë përpara në procesin e integrimit europian dhe të mundësojë hapje e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Sigal