Ministria e Punëve të Brendshme deklaron se në asnjë rast nuk është shkelur asnjë marrëveshje me dëshmitarët e mbrojtur të drejtësisë, por ata të gjithë janë trajtuar sipas dispozitave ligjore në fuqi.
MPB sqaron se dëshmitari Arben Kicja, i cili dëshmoi për çështjen e njohur si “Banda e Lushnjës” humbi statusin, pasi shkeli marrëveshjen me shtetin shqiptar duke thyer, në mënyrë të vetëdijshme për më shumë se 1 herë, rregullat e përcaktuara.
Në zbatim të Ligjit, ky dëshmitar i mbrojtur nuk mund të gëzojë më statusin e të mbrojturit.
Theksojmë se heqja e statusit të një dëshmitari të mbrojtur nga drejtësia nuk bëhet as nga Qeveria dhe as nga Ministria e Punëve të Brendshme, por nga Komisioni shtetëror përkatës, ku janë anëtarë përfaqësues të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë së Shtetit dhe MPB-së.
Përsa i përket dëshmitarit të vrasjes së komisar Dritan Lamaj, sqarojmë se ai është nën mbrojtje të posaçme dhe gëzon statusin që përcakton ligji.
Ministria e Punëve të Brendshme bën thirrje që të mos përdoren çështje të tilla për luftë politike, apo të spekulohet me zbatimin korrekt të ligjit.