Ftohje PD-LSI? Meta: “Spekulime, kemi vetëm mendime të ndryshme”

480
Sigal

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka cilësuar spekulime, hamendësime për një ftohje të mundshme në koalicionin qeverisës pas abstenimeve të kësaj lëvizje për paketën kushtetuese të PS dhe pr/ligjin për lirimin e banesave. “Qëndrimet tona kanë të bëjnë me pozicionet tona politike dhe vlerësimin tonë. Abstenimi për ndryshimet për lirimin e banesave të ish-pronarëve erdhi pas mosmarrjes në konsideratë të kërkesës sonë për të vijuar dialogun në mënyrë që jo vetëm të jepej zgjidhje për kthimin e pronave të zëna me qera, pronarëve të ligjshëm, por edhe për të evituar një diskriminim ndaj qytetarëve jo për fajin e tyre, por të sistemit të kaluar”,- deklaroi Meta, gjatë një konference për shtyp. Meta vlerësoi se ashtu si në çdo parti edhe koalicionet mund të kenë mendime të ndryshme, ndërkohë që theksoi se LSI  i është përmbajtur paktit me PD. “Qëndrimet tona në raport me koalicionin mendoj se kanë qenë tepër konstruktive, ne i jemi përmbajtur gjithë marrëveshjes PD-LSI, kemi pasur qëndrimet tona që kanë të bëjnë me vete identitetin e LSI apo dhe bindjet tona për zgjidhjet që mund te ofrohen”,- shtoi Meta. Kreu i LSI-së duke iu referuar votimit për heqjen e imunitetit ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, përshëndeti konsensusin e arritur mes palëve duke e cilësuar hap me rëndësi për mbarëvajtjen e reformave. Meta apeloi që të vijohet në të njëjtën frymë edhe me reformat e tjera.