Raportimi, shtyhet mbledhja e komisionit, kreu i SHISH pa certifikatë sigurie

507
Sigal

Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, u paraqit dje në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të raportuar mbi veprimtarinë e këtij shërbimi, për vitin e kaluar. Mbledhja, qё nisi me dyer tё mbyllura, u ndërpre, sepse kreu i SHISH-it, z.Ajazi, u paraqit pa certifikatën e vlefshme të sigurisë. Kjo u konsiderua e paligjshme nga ana e deputetëve të maxhorancës, të cilët kërkuan ndërprerjen e mbledhjes dhe shtyrjen e saj në një moment tjetër, deri sa kreu i SHISH të pajiset me certifikatën e nevojshme, duke mos dëgjuar raportin vjetor tё mbushur me sekrete shtetërore. Certifikata e sigurisë është një dokument i veçantë, që u jepet zyrtarëve të përcaktuar me ligj para se, të bien në kontakt me sekretet shtetërore. Kryetari i komisionit, Spartak Braho, pas mbledhjes së ndërprerë, duke informuar mediat, bëri të ditur se, kryetari i SHISH nuk kishte certifikatë sigurie dhe se, po punon për pajisjen me këtë dokument. Deputetët, qё nuk kishin certifikatë sigurie u nxorën jashtë. “Seanca dëgjimore do të zhvillohet në momentin që të gjithë personat e interesuar, që nga kreu i SHISH dhe të gjithë deputetët të jenë në rregull me ligjin”,-deklaroi për gazetarët, Spartak Braho. Sekretari i komisionit të Sigurisë, deputeti i PS-së, Taulant Balla, shpjegoi se, sipas ligjit, kur paraqitet një informacion i klasifikuar, mbledhja duhet të zhvillohet vetëm në prani të personave të pajisur me certifikatë sigurie. “Për rastin në fjalë, të gjithë deputetët e PS-së e LSI-së ishin të pajisur me këtë certifikatë dhe një pjesë e përfaqësuesve të PD-së, por për habinë e të gjithëve, vetë kreu i SHISH ishte i papajisur me certifikatën e vlefshme të marrjes së informacionit të klasifikuar. Për këtë arsye, mbledhja u shty për një moment tjetër, kur kreu i SHISH të paraqitet me këtë certifikatë, pasi është z. Ajazi që do të raportojë në komision”,-tha deputeti Balla. Një tjetër deputet i maxhorancës, Pirro Lutaj, theksoi se, pajisja me certifikatë sigurie e z. Visho Ajazi ka një veçori, pasi ai disponon dyshtetësi. “Certifikata e sigurisë e z. Ajazi ka skaduar dhe këtu ka një problem. Personi, për të cilin flasim ka një veçori në pajisjen me një certifikatë të tillë, se ai nuk është një qytetar i zakonshëm i shtetit shqiptar. Unë dyshoj se, dhe pajisja me certifikatën e parë është bërë në shkelje të ligjit, pasi vendimi i qeverisë ka një veçori në pajisjen me një dokument të tillë të personave me dyshtetësi. Mendoj se, z. Ajazi fillimisht është emëruar drejtor i SHISH dhe më pas e ka marrë certifikatën e sigurisë, gjë që është në kundërshtim me ligjin”,-shpjegoi deputeti Lutaj. Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se, kjo ishte një përpjekje e deputetëve të shumicës socialiste për t’iu shmangur informacioneve qё solli kryetari i shërbimit sekret. “Ishte një shtyrje qesharake dhe një akt i turpshëm i deputetëve socialistë për të mos dëgjuar raportin e Shërbimit” – tha ai. Tematika e seancës së sotme dëgjimore në komisionin e Sigurisë përfshinte raportimin vjetor të kreut të SHISH, për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2013. Çështje të tjera për të cilat do të informonte z. Ajazi ishin bashkëpunimi mes Shërbimit Informativ dhe Ministrisë së Brendshme, për sigurinë dhe rendin në vend, e kërkuar nga deputetët e opozitës. Informacion për problematikën e ngritur nё media për shkeljen e ligjit në emërimet e kreut tё SHISH, si dhe një informacion lidhur me përmbajtjen e shkresës ‘sekret’, dërguar drejtorëve të SHISH nё prefektura, ku kërkohet informacion për personat e implikuar nё veprimtari antiligjore, të emëruar nё pozicione drejtues nё Policinë e Shtetit.